Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Radioja Kombëtare Bullgare – 75 vjet histori dhe mirëbesim i lartë shoqëror sot

Foto: RKB
Radioja Kombëtare Bullgare, një nga radiostacionet më të vjetra në Evropë, kremton përvjetorin e saj të 75-të me një varg nismash festive. Historia e Radios filloi me një urdhër të mbretit Boris III më 25 janar të vitit 1935, me të cilin filloi radioemetimi shtetëror dhe profesional tek ne. Me botimin e urdhrit u shtetëzua “Radioja jonë”, e cila ekzistonte nga viti 1930. Shteti e mori përsipër kujdesin të ndërtonte transmetues dhe të zhvillonte radioemetimin. Drejtori i parë i radios së re u bë Sirak Skitnik – një person jashtëzakonisht i talentuar, piktor, shkrimtar dhe organizator i mrekullueshëm. Emrin e tij e mban çmimi që RKB ua dorëzon çdo vit përfaqësuesve të shquar të medias. Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, kur u bë i mundur krijimi i mediave private në Bullgari, pikërisht profesionistë nga RKB-ja vunë themelet e shumë radiostacioneve të reja private. Ndoshta për këtë shkak RKB është e njohur me emrin “Shtëpia e vjetër”.

Sot RKB është një institucion që gëzon mirëbesimin e lartë të shoqërisë, me programe të bazuara në Sofje dhe me qendra rajonale, me një varg orkestrash dhe koresh. RKB ka tri programe me prani serioze – programin për informacion dhe muzikë “Horizont”, programin për kulturë “Hristo Botev” dhe “Radio Bullgaria” – programet që transmetohen jashtë shtetit në 11 gjuhë. Pikërisht RKB-ja është media e parë në vendin tonë që nisi transmetimin digjital. Profesionalizmi i gazetarëve të radios është në bazën e popullaritetit të saj të madh deri më sot. 55% të qytetarëve bullgarë kanë mirëbesim në RKB. Programi “Horizont” është lideri i padyshimtë në eterin kombëtar me mbi 2 milionë dëgjues në muaj. Ndër të dhjetë radiotransmetimet më të njohura në Bullgari, pesë janë të RKB-së.

Media është producenti më i madh i edicioneve muzikore dhe për fëmijë në vend. Shtëpia botuese e RKB-së ka edicione shumë interesante multimediale. Drejtori i përgjithshëm Valerij Todorov nënvizoi novitetin e fundit – disqet e animuara: “Krenohemi shumë me serinë e disqeve të animuara. Deri tani kemi animuar 15 këngë të njohura për fëmijë, katër prej tyre janë në një DVD me karioke. Me këngën “Përralla dimërore” do të marrim pjesë në festivalin e kinemasë së animuar në Japoni. Do t’ju them një sekret – do të donim të bëhemi iniciatorë të një festivali të kinemasë së animuar në Bullgari. Në vigjiljen e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Bullgarisë ne bëmë një disk unik me zërat e të gjithë kryeministrave të Bullgarisë. Kurse kompaktdisku “Magjia e Magurës” përmban interpretime të legjendave të gjalla të këngës popullore bullgare në shpellën Magura.”

Për përgjegjësinë dhe privilegjin të punosh në një media aq prestigjioze po bisedojmë me dy përfaqësues të gjeneratës së mesme të gazetarëve. Krasimir Martinov ishte një koleg nga Radio Bullgaria, tani udhëheq ekipin e reporterëve në programin regjional “Radio Sofja”. Ka punuar dhe në një radio muzikore private. “Të punosh në një institucion serioz është një përgjegjësi e madhe, thotë ai. Kam punuar në një radio të re private, ku mund të bësh gabime, por këtu kolegët me përvojë dhe auditori do ta vërejnë menjëherë gabimin. Që të jem i sinqertë, e konsideroj punën time në RKB një arritje të madhe dhe deri më sot mendoj se është privilegj të jesh gazetar në një media me histori kaq të gjatë.”

Radostina Biljarska është reportere në programin “Horizont”: “Puna më ngarkon me energji, megjithëse ka momente, kur tensioni më lodh shumë. Puna kërkon një përqendrim të madh dhe reagime të shpejta. Lajmi duhet të transmetohet shpejt dhe saktë. Por kjo është një adrenalinë e jashtëzakonshme.”

Transmetimi i rregullt i programit në gjuhën bullgare për jashtë filloi në vitin 1936. Në po këtë vit filloi dhe emisioni esperanto, kurse gjatë vitit 1937 u nisën emisionet në gjuhën franceze, gjermane angleze dhe italiane. Programi në gjuhën italiane përgatitej nga Petër Uvalievi – pastaj një figurë legjendare në BBC, intelektual me interesa të gjerë dhe poliglot.

Sot Radio Bullgaria vazhdon traditat e emisioneve të atëhershme jashtë shtetit, duke krijuar ura me vende dhe kontinente të ndryshme. Përveç në eter, programet tona me tekst, fotografi dhe tinguj mund të gjenden dhe në sajtin tonë në 11 gjuhë – bullgarishte, anglishte, frëngjishte, gjermanishte, spanjishte, rusishte, turqishte, greqishte, serbishte, shqipe dhe arabishte. Drejtori i Radio Bullgarisë Valentin Stojanov nënvizoi: “Radio Bullgaria në të vërtetë është unike dhe është vetëm me një vit më e re se RKB-ja. Në të punojnë njerëz me një përgatitje të jashtëzakonshme gjuhësore, me një zë të përshtatshëm për radio dhe me stil para mikrofonit. Është unike sepse transmeton me valë të shkurtra dhe të mesme, tashmë është dhe në internet. E ardhmja është në internet. E shfrytëzojmë zhvillimin e teknologjive, sepse misioni i Radio Bullgarisë është të informojë njerëzit nëpër botë për ngjarjet në Bullgari. Kemi dëgjues në shumë shtete dhe kontinente. Vitin e kaluar morëm një letër nga disa indianë nga Peruja, të cilët dëshironin ta emërtonin shkollën e tyre “Radio Bullgaria”, sepse mësuesi i tyre është një dëgjues ynë i rregullt prej 30 vjetëve. Tani vonë na mori në telefon një dëgjues 8 vjeçar nga Austria, që ishte një befasi e këndshme për redaksinë gjermane. Dua t’u urojë të gjithë atyre që punojnë në këtë radio unike shumë suksese në punë. Vitin tjetër edhe programi ynë do të festojë përvjetorin e 75-të.”

Nga Radio Bullgaria filloi karriera e Raina Konstantinovës, tani drejtore e departamentit për radio të Bashkimit Evropian për Radio dhe Televizion, në të cilin anëtarësojnë radiot dhe televizionet publike.

“Gjatë dekadës së parë të shekullit XXI radioja u bë globale. Tani ajo është gjithkund – në celularin tuaj, në makinën tuaj, në kompjuterin tuaj, madje në televizorët digjitalë. Multimedia u zhvillua shpejt, në internet takohen të gjitha mediat dhe radioja është një lojtar i fortë. Sipas studimeve të agjencive të ndryshme evropiane, tani radio dëgjojnë mbi 100 milionë veta çdo ditë. Dhe këto shifra rriten vazhdimisht. Problemi është se që të vërehet një radio ndër ofertat e shumta në eter, ajo duhet të jetë e ndryshme, unike. RKB prej shumë kohe është një pjesë e kulturës bullgare. Duke e vështruar peizazhin e mediave në Bullgari, më duket se RKB është një nga institucionet më serioze, të cilat u drejtohen njerëzve si një komb. Ajo ka aftësinë të bashkojë. Radioja publike ka këtë mision dhe RKB e ndjek me të gjitha programet e saj. Dhe dëgjuesit e kuptojnë këtë.”

RKB ruan kujtimin e Bullgarisë. Fondi i artë i radios ka arkivin më të pasur në vend. Pritet që gjatë vitit 2010 të përfundojë digjitalizimi i kësaj pasurie. Jo rastësisht festat me rast të përvjetorit kalojnë me moton “RKB – kujtimi me tinguj i Bullgarisë”.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Maria Dimitrova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Pse disa nga rrugët e Pragës mbajnë emrat e iluministëve bullgarë?

Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në historinë bullgare, ky koncept lidhet më shpesh me periudhën e Rilindjes (shek. XVIII-XIX) dhe me..

botuar më 24-11-29 7.35.PD

A do të çojë në një sulm bërthamor vendimi i SHBA-ve për të lejuar Ukrainën të godasë objektiva brenda Rusisë me armë të tyre?

Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e furnizuara nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, shumica janë në mbështetjen e tij. Ai erdhi pak..

botuar më 24-11-27 7.08.MD
Nënshkrimi i Traktatit të Paqes të Neuilly, 27 nëntor 1919

Elegjia për Krahinat Perëndimore tingëllon si një requiem

105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë në Luftën e Parë Botërore (1914-1918). Historianët e përkufizojnë dokumentin si "katastrofa e radhës..

botuar më 24-11-27 7.05.PD