Në kuadrin e debatit në BE sa i përket propozimit të Komisionit Evropian për ndryshime të politikës së përgjithshme në peshkim dhe të organizatës së tregjeve për periudhën 2014 – 2020, Bullgaria ngul këmbë për krijimin e një organi regjional për administrim të resurseve të peshkut në Detin e Zi. Deri tani çështjet e lidhura me këtë det pak të studiuar shqyrtoheshin në kuadrin e Komisionit të përgjithshëm të peshkimit për detin Mesdhe.
Mirëpo situata në Detin e Zi është më specifike dhe kërkon një vëmendje të posaçme, janë të mendimit ekspertët në Bullgari dhe Rumani. Ato janë vendet e vetme në BE me dalje në këtë det. “BE-ja duhet ta ndërpresë praktikën që problemet e Detit të Zi të shqyrtohen në kontekstin e politikës për Detin Mesdhe. Ka nevojë për një politikë të veçantë regjionale të BE-së për Detin e Zi”, vuri në dukje para pak kohe në Bruksel ministri bullgar i bujqësisë dhe ushqimeve Mirosllav Najdenov.
Çfarë është problemi?
Deti i Zi lan brigjet e gjashtë shteteve. Bullgaria dhe Rumania janë anëtare të BE-së nga viti 2007. Turqia tani për tani është vetëm kandidat për anëtarësim në bashkësi, por ajo është anëtare e Komisionit të përgjithshëm të peshkimit dhe është e detyruar të raportojë për peshkimin e kryer në regjion, si dhe të zbatojë një sërë kërkesash të tjera normative për ruajtjen e resurseve biologjike në të. Tri vendet e tjera nga rajoni i Detit të Zi – Ukraina, Rusia dhe Gjeorgjia, nuk janë lidhur me marrëveshje ndërkombëtare në këtë fushë, me përjashtim të Konventës për ruajtjen e Detit të Zi nga ndotja, e cila daton që në vitin 1982 dhe është tepër abstrakte. Në fakt vetëm Bullgaria dhe Rumania, duke respektuar kërkesat e BE-së për peshkim të qëndrueshëm, kanë aplikuar kuota kufizuese për peshkimin e dy llojeve të peshkut – harenga e vogël dhe shojza e detit, kurse katër shtetet e tjera nuk varen nga këto kufizime. Është logjike pyetja “a ka efekt nga aplikimi i një kufizimi të tillë të pjesshëm?” Nuk është e drejtë që për Bullgarinë dhe Rumaninë të ketë kuota për peshkimin e shojzës së detit, megjithëse peshkimi i tyre përbën vetëm 10 për qind të peshkimit të përgjithshëm, kurse shtetet e tjera nga rajoni i Detit të Zi të bëjnë çfarëdo që të duan, është i mendimit ministri bullgar i bujqësisë dhe ushqimeve Mirosllav Najdenov.
“As Turqia, as Ukraina, Rusia ose Gjeorgjia kanë kuota ose detyrime ndaj peshkimit në ujërat e Detit të Zi, tha para Radio Bullgarisë Dejan Bllagoev, krye ekspert në Agjencinë ekzekutive të peshkimit dhe akuakulturave. – Pikërisht për këtë shkak ne duam që të krijohet një organ i posaçëm regjional për administrim të resurseve të peshkut në Detin e Zi. Në rast të kundërt kufizimet vetëm për Bullgarinë dhe Rumaninë nuk kanë kuptim dhe janë në dëm të Bullgarisë dhe Rumanisë.”
Diçka më tepër, nuk mund të ketë një studim cilësor të pasurisë së peshkut në Detin e Zi, pa pjesëmarrjen e shkencëtarëve nga të gjitha shtetet e këtij regjioni. Atëherë edhe politikat përkatëse për përdorimin e qëndrueshëm të rezervave të peshkut nuk do të jenë adekuate. Një organ i përbashkët si Organizata regjionale për administrimin e peshkimit në rajonin e Detit Baltik mund t’i zgjidhë të gjitha këto probleme, pasi studiohen rezervat e peshkut në Detin e Zi dhe përdorimi i tyre i qëndrueshëm. Sipas fjalëve të Dejan Bllagoevit “tashmë ka dëgjueshmëri në Komisionin Evropian sa i përket kësaj çështjeje”.
“Ka rezultate konkrete – thotë ai. – Në ofertat e Komisionit Evropian për reforma në politikën e përbashkët në peshkim, të publikuara zyrtarisht më 14 korrik, tashmë është shënuar një afat konkret – viti 2015, kur pritet të krijohet një organ i tillë regjional për administrimin e peshkimit në Detin e Zi. Qëllimi ynë është që ky afat të shkurtohet sa më shumë, duke pasur parasysh tërë situatën në regjionin tonë. Kështu qe shpresojmë që e gjithë kjo të realizohet para vitit 2015, mbase akoma në fund të vitit 2013, ose gjatë vitit 2014.”
Organizata regjionale për administrimin e peshkimit në Detin e Zi duhet të ndërmarrë tërë përgjegjësinë e saj në koordinimin e studimeve shkencore në Detin e Zi dhe të disponojë kapacitetin e domosdoshëm të ekspertëve për analiza të rezervave. Kjo organizatë duhet të realizojë një monitorim mbi këto lloje peshku, të cilat janë kërcënuar nga zhdukja. Ajo duhet të bëjë propozime për shpërndarjen e të drejtave të peshkimit dhe të garantojë një të ardhme të denjë të peshkatarëve.
Bullgaria ngul këmbë gjithashtu para Komisionit Evropian për krijimin e një rroje të përbashkët në bregun e Detit të Zi, bashkë me Rumaninë, që të mbrohen interesat e peshkatarëve në të dyja vendet.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Zoti i ka dhuruar njeriut cilësinë e madhe - të ëndërrojë, dhe ne ëndërronim që pikërisht këtu, në Muzeun Getty, të dëgjonim në bullgarisht për hapjen e një ekspozite të jashtëzakonshme, një ekspozitë kushtuar një populli të lashtë, një ekspozitë që flet..
Në edicionin e 14-të të Sistemit të Vlerësimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Bullgari për vitin 2024, Universiteti i Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” është në vendin e parë në 22 fusha profesionale. Sistemi i vlerësimit krahason performancën e 51..
Sukseset e Bullgarisë në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës për vitin 2024 u mblodhën në ekspozitën "Mendjet fantastike". E hapur me rastin e Ditës së Iluministëve të Popullit në “Urën e të Dashuruarve” pranë Pallatit Kombëtar të Kulturës, ekspozita..
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin..