Sulmet terroriste në zemrën e Evropës vunë në provë vlerat e BE-së për demokraci, rend juridik dhe tolerancë. Shtetasit evropianë janë shqetësuar për sigurinë e tyre dhe përgjigja e tyre zakonisht është përkrahja e formacioneve nacionaliste dhe populliste. Në përgjigje të kësaj tendence shqetësuese BE-ja është duke përpunuar “një strategji globale për politikë të përbashkët të jashtme dhe për politikë të tillë të sigurisë”, e cila duhet të votohet në samitin gjatë muajit qershor të këtij viti.
“Që të jetë i suksesshëm, ky dokument nuk duhet të jetë produkt i burokracisë së Brukselit. Prandaj jemi duke zhvilluar 14 debate në vende nga BE-ja” – deklaroi Antonio Missiroli, drejtor i Institutit për studimin e sigurisë pranë BE-së, gjatë hapjes së forumit në Sofje. Sipas fjalëve të tij evropianët duhet të kujdesen për sigurimin e më shumë mjeteve për mbrojtjen dhe kjo është çështje, e cila po bëhet gjithnjë e më aktuale gjatë disa muajve të fundit. “Luftimi i terrorizmit dhe i kiber-sigurisë janë çështje, të cilat duhet t’i zgjidhim vetëm së bashku. Këtu shtohen edhe temat e migracionit dhe të mbrojtjes së kufijve” – vuri në dukje Missiroli dhe përgjithësoi:
“Të gjitha këto ngjarje deri në një shkallë të madhe ndikojnë mbi përvijimin e strategjisë së re globale, e cila do të përpiqet të arrijë një bilanc kompleks dhe do t’i përgjigjet nevojës për strategji, e cila do të mund të përdoret të paktën 3-4 vjet në të ardhmen. Kjo strategji duhet t’i kryesojë veprimet e BE-së. Mirëpo, ajo duhet të jetë aktuale dhe t’i kryesojë edhe qytetarët. Kjo për mendimin tim është një prej sfidave kryesore, me të cilat ndeshen autorët e strategjisë së re të sigurisë së BE-së.”
Tema e sigurisë shqyrtohet, në qoftë se është kërcënuar. Në vazhdim të një periudhe të gjatë historike para Evropës nuk ekzistonte çështja e sigurisë dhe për këtë shkak nuk ishte në rendin e ditës edhe domosdoshmëria për përpunimin e një strategjie. Në vitet e Luftës së Ftohtë Evropa ishte pjesë e një modeli dypolar me kufij të jashtëm dhe sigurimi i saj ishte garantuar nga çadra bërthamore e SHBA-së. “Ky model ishte balancuar” – nënvizoi sociologu Ognjan Minçev nga Instituti për Studime Regjionale dhe Ndërkombëtare në Sofje.
“Gjatë këtyre dekadave paqësore pa sfida ndaj sigurisë u rritën disa breza në kushte qetësimi dhe pacifizmi. Në atë kohë mungonte domosdoshmëria për t’u menduar për siguri, thjeshtë sepse ajo ekzistonte. Sot Evropa është një bashkim prej shtetesh kombëtare, bashkim ky i cili në shumë aspekte të rëndësishme politike dhe strategjike nuk e ka krijuar unitetin e vet. Një pjesë e madhe e interesave evropiane mbrohen në nivel kombëtar. Pikërisht për këtë shkak është mjaftë vështirë të krijohet një interes i përbashkët politik dhe strategjik.”
Sipas prof. Dinko Dinkovit nga katedra “Marrëdhëniet Ndërkombëtare” pranë Universitetit për Ekonomi Kombëtare dhe Botërore BE-ja ka nevojë të rreptë për t’i rimenduar realitetet në botën e sotme. “Në qoftë se i injoron këto realitete BE-ja mund të krijojë dokumentin e radhës pa kuptim – është i mendimit prof. Dinkov. – Nëpërmjet Marrëveshjes së Maastrihtit BE-ja është një union politik, ekonomik monetar etj., por nuk është union i sigurisë. Para se të përpunojmë një strategji të re globale për 10-15 vitet në vijim, ne duhet të mendojmë se çfarë ndodh në BE. Themeluesit kanë krijuar një bazë, kurse brezat e sotëm janë të prirë për t’i injoruar idetë e tyre për refuzimin e shtetit kombëtar. Kjo është ideja më e madhe evropiane, por ajo ka shkaktuar dhe shumë kataklizma për Evropën. Kemi frikë për ta shqiptuar këtë me zë, sidomos tani, kur ka egoizma më të ndryshme në BE.”
Sipas analizatorëve në Bullgari Evropa ndodhet para rishqyrtimit të kategorive politike “majtas” dhe “djathtas”. Gjithmonë kur të ketë rrezik për sigurinë po ringjallen konservatorët dhe nacionalistët. Mirëpo, rreziku para Evropës së Bashkuar fshihet në faktin se vendi i tyre në debatin politik sot zihet nga popullistët e mëdhenj. Mirëpo, me ndërtimin e mureve dhe me kapsulimin e shteteve kombëtare ata në fakt sulmojnë pasojat dhe jo shkaqet për pasigurinë e forcuar në Evropë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Një maqedonasе bëhet zëvendëssekretarе е përgjithshmе е NATO-s Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi Radmila Shekerinska nga Maqedonia e Veriut si zëvendëssekretare të përgjithshme të Aleancës. "Jam i lumtur të njoftoj emërimin e..
Pothuajse një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 27 tetorit, Legjislatura e 51-të të Kuvendit Popullor ende nuk mund të fillojë punën sepse përfaqësuesit e popullit nuk mund të zgjedhin të parin mes të barabartëve. Ngërçi politik në..
Përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëhet me "efekt të vonuar" - pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska ia bëri këtë propozim kreut të shtetit Rumen Radev në..
Formimi i shumicës është një detyrë mjaft sfiduese në një parlament shumë të fragmentuar. Më vjen mirë që KuvendiPopullor po fillon të punojë, tha..