Mijëra rumunë protestuan në Bukuresht
Disa mijë përfaqësues të sindikatave të ndryshme nga sfera të ndryshme profesionale protestuan në qendër të Bukureshtit kundër planit të qeverisë për t’i transferuar kuotat për sigurimin social nga punëdhënësit te nëpunësit. Protesta u organizua në Sheshin e Fitores para godinës së qeverisë. Delegacioni i protestuesve u prit për bisedime në Parlament. Pas përfundimit të takimit Kryeministri Mihaj Tudose vuri në dukje se qeveria e ka refuzuar transferimin e sigurimeve te punonjësit, por do të kërkojë zgjidhje të çështjes bashkë me sindikatat, kështu qe të jenë të kënaqur të gjithë.
Hungaria ka dëshirë që ta ndihmojë Rumaninë në ruajtjen e kufirit të saj lindor nga migrantët
Kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi në Budapest se preferon ta ndihmojë Rumaninë në mbrojtjen e kufirit të saj lindor, që ta ndalojë rrymën e migrantëve, në vend që të ndërtojë gardh në kufirin rumuno-hungarez. Ai vuri në dukje se herët ose vonë do të ketë nevojë për një mbrojtje më efektive të kufirit lindor të Rumanisë. Në rast të kundërt ajo do të mbytet nga migrantët.
Presidenti i Serbisë deklaroi përkrahje për qeverinë spanjolle sa i përket Katalonjës
Beogradi do t’u bëjë thirrje anëtarëve të BE-së për ta rishqyrtuar vendimin e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës, të shpallur njëanshëm, sepse Katalonja është një shembull i dukshëm se ata kanë bërë gabim, shkruhet në gazetën e Beogradit “Veçerne novosti”. Në një takim në rezidencën “Evksinograd” afër qytetit bullgar Varna pranë Detit të Zi të kryeministrave të Bullgarisë, Rumanisë dhe të Greqisë - Bojko Borisov, Mihaj Tudose dhe Aleksis Cipras dhe të Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, Kreu i Shtetit i Serbisë shënoi se Bashkimi Evropian përdor dy standarde sa i përket referendumit për pavarësinë në Katalonjë dhe shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Vuçiç deklaroi përkrahje kategorike ndaj qeverisë spanjolle.
Turqia do të forcojë masat kundër Kurdistanit Irakian
Në një konferencë shtypi në Teheran Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan premtoi se do të forcojë masat kundër administratës së Kurdistanit Irakian lidhur me referendumin për pavarësinë e krahinës autonome. Pasi u takua me homologun e tij turk Presidenti i Iranit Hasan Ruhani deklaroi se Turqia dhe Irani nuk do të lejojnë shkeljen e tërësisë territoriale të Irakut dhe të Sirisë.
Parlamenti i Shqipërisë shqyrtoi kërkesën për njohjen e pakicës bullgare në Shqipëri
Kërkesa e Bullgarisë që të njihet pakica bullgare në Shqipëri u shqyrtua në Parlamentin e Shqipërisë. Kjo ndodhi gjatë debateve publike rreth projektligjit për mbrojtjen e minoriteteve në vend. Kundër kërkesës së vendit tonë ishin maqedonasit – një prej pakicave, të cilat me këtë dokument marrin njohje zyrtare. “Në Shqipëri nuk ka pakicë bullgare”, vuri në dukje Vasill Sterjovski, përfaqësues i “Aleancës maqedonase për integrimin evropian”. Kundër propozimit për njohjen e pakicës bullgare në Shqipëri ishte gjithashtu Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati.
Zoran Zaev fillon heqjen e monumenteve nga projekti “Shkupi 2014” në qendër të qytetit
Qeveria e re maqedonase filloi heqjen fizike të një pjese të monumenteve nga i ashtuquajturi projekt “Shkupi 2014”. Kryeministri Zoran Zaev saktësoi se pritet kontrolli i plotë i punës mbi këtë projekt, i cili filloi gjatë udhëheqjes së Kryeministrit të mëparshëm Nikolla Gruevski dhe e ndryshoi krejtësisht qendrën e kryeqytetit, duke vendosur shumë monumente të heronjve nga antikiteti. Krahas vendosjes së këtyre monumenteve regjimi i Gruevskit filloi propagandimin e “rrënjave antike” të popullsisë vendase.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Një pemë e Krishtlindjeve me dekorime bullgare është vendosur në një vend qendror në Muzeun e Industrisë në Çikago. Për të pestin vit radhazi, bashkatdhetarët nga qyteti amerikan bënë dekorimin luksoz të pemës bullgare të Krishtlindjes me mbi 30 mijë drita..
Në vitin 2023 në Shqipëri u zhvillua regjistrimi i parë i popullsisë pas njohjes zyrtare të pakicës kombëtare bullgare në vitin 2017, sipas të cilit 7057 persona janë vetëdeklaruar bullgarë. Në Shqipëri ka mbi 7 mijë bullgarë “Dy javë më parë,..
Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, objektet mjekësore në qytete të ndryshme të Bullgarisë organizojnë konsultime falas për personat me diabet dhe në rrezik të sëmundjes. Sipas të dhënave të Shoqatës Bullgare të Endokrinologjisë, çdo i treti bullgar në..
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në..