Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2026 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kirill Kutin – konsulli i parë nderi i Bullgarisë në Norvegji

Pianisti dhe menaxheri i suksesshëm e përkufizon atdheun e tij si “një thesar kulture”

4
Foto: Facebook /Bulgarsk Kulturforening Rogaland

Më 24 tetor, me një ceremoni zyrtare dhe koncert festiv në qytetin norvegjez Stavanger, u hap Konsullata e Nderit e Bullgarisë në Norvegji. Konsulli i parë i nderit është pianisti Kirill Kutin, i cili gjatë dy dekadave të fundit është afirmuar si një personalitet me autoritet në shoqërinë norvegjeze. Muzikanti është themelues dhe drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Klaviaturës në Stavanger – i vetmi i këtij lloji në Norvegji, ku marrin pjesë pianistë të njohur nga e gjithë Evropa.





Kutin ka një karrierë të konsiderueshme, ka luajtur në shumë vende evropiane, në Lindjen e Mesme dhe në Kinë. Ai ka lindur në Bllagoevgrad dhe ka përfunduar me medalje të artë Shkollën Kombëtare Muzikore “Ljubomir Pipkov” në Sofje. Në Akademinë Kombëtare Muzikore “Prof. Panço Vlladigerov” ka studiuar në klasën e njërit prej pedagogëve më të njohur bullgarë të pianos – prof. Stella Dimitrova-Majstorova. Ka bërë specializim për piano edhe në Universitetin e Stavangerit. Është fitues i konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktualisht Kutin është drejtor artistik i shoqatës Kutin Konsert Forening, e cila organizon koncerte klasike në Norvegji, Suedi, Danimarkë, Gjermani dhe Austri.


Ekskluzivisht për Radio Bullgarinë, Kirill Kutin ndan hollësi rreth përzgjedhjes së tij si konsull nderi:



“Kjo është konsullata e parë e nderit në Norvegji, deri tani nuk ka pasur. Shkëlqesia e saj, ambasadorja Dimitrova, ishte e ftuar në festivalin që unë organizoj. Në bisedat paraprake ajo përmendi se kishte nevojë për ndihmën time për të gjetur një konsull nderi të Bullgarisë në Norvegji. Duhej të ishte një qytetar norvegjez me pozita të larta në shoqëri. Unë u përpoqa, gjeta disa kandidatë, por pas disa ditësh ajo më njoftoi se tashmë e kishte gjetur konsullin e nderit dhe se duhej t’i anulojmë takimet. Kjo për mua ishte disi befasuese, sepse kisha punuar shumë për të organizuar këto takime me njerëz të rëndësishëm nga Stavanger. Por ajo tha: ‘Po, unë e kam gjetur konsullin e nderit, dhe ai jeni ju.’ E gjithë ideja vjen nga ambasadorja e Bullgarisë në Oslo – Desisllava Dimitrova.”



Në Norvegji, Kirill Kutin ka mbërritur… krejt rastësisht. Ai nisi nga zero. Në fillim jepte mësime private për piano dhe luante në kisha. U desh të ushtronte edhe profesione të tjera – kuzhinier, berber – ndërkohë që udhëtonte dhe jepte koncerte në gjithë Norvegjinë. Në vitin 2016 themeloi Shoqatën Koncertale Kutin (Kutin Konsert Forening) – një organizatë jofitimprurëse që synon të promovojë artin klasik në Stavanger. Fokusi kryesor është prezantimi i muzikantëve vendas, të cilëve u mungon mjaft hapësira për t’u shprehur. Edicioni i parë u zhvillua në vitin 2023. “Pata fatin dhe privilegjin e madh të kem muzikantë të mrekullueshëm, të cilët dëshironin të mbështesnin festivalin, të luanin. Nga ana bullgare mora një mbështetje të jashtëzakonshme – jo vetëm si artist, por edhe si njeri – nga Pllamena Mangova.”


Shkolla bullgare e pianos është shumë e fortë, kemi pianistë të shkëlqyer, të realizuar në mbarë botën. Cilin prej tyre e ka ftuar dhe do ta ftojë në Stavanger?

“Bullgaria është një thesar i vërtetë. Dhe ne, muzikantët që jemi jashtë Bullgarisë, s’mund të mos përfitojmë nga ky thesar. Do të përmend disa emra që tashmë kanë luajtur në festival me sukses të jashtëzakonshëm. Më kanë bërë të ndihem jashtëzakonisht krenar që jam bullgar. Këta janë: Ivajlla Caçeva, Galin Gançev, Martin Ivanov (ai është në Vienë), Simeon Goshev, e mrekullueshmja Kristina Sandulova nga Amsterdami. Kam shumë ide të mëdha për të ardhmen. Tashmë kam folur me Viktoria Vasilenko, kam një dëshirë të madhe që ajo të vijë të luajë në festival. Kam biseduar me Georgi Çerkin, Evgeni Bozhanov, Nadezhda Canova, Ljudmill Angellov. Këta janë njerëz që e përfaqësojnë Bullgarinë në dritën më të mirë – çdo orë, çdo çast.”


Në përfundim, konsulli i parë i nderit i Bullgarisë në Norvegji ndan se me çfarë e lidh më shumë atdheun:
“Së pari e lidh me një thesar kulture. Së dyti – me vendin që më ka formuar si person. Aty janë rrënjët e mia. Dhe së treti – me një vend me natyrë të jashtëzakonshme.”





Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: Facebook /Bulgarsk Kulturforening Rogaland, Ambasada e Bullgarisë në Oslo, Facebook /Kyril Kutin, Facebook /Hummeren Hotell, Stavanger International PIANO Festival



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Erika Perales

Argjentinasja Erika Perales, në venat e së cilës rrjedh gjak bullgar

Erika Perales erdhi nga Argjentina e largët dhe arriti të pushtojë zemrat e pjesëmarrësve në Festivalin e Parë të Ansambleve Folklorike Bullgare jashtë vendit. Gjatë ngjarjes në Veliko Tërnovo, ajo interpretoi në një mënyrë të papërsëritshme një nga..

botuar më 25-09-08 7.15.PD
Devorina Gamallova

Devorina Gamallova dhe teoria e saj optimiste për njerëzimin

Një soliste e suksesshme dhe pedagoge e njohur, violinistja bullgare Devorina Gamallova jeton më shumë se tre dekada në Londër. Është lindur në Gabrovo, në familjen e një bullgari dhe të një gjermaneje nga Dresdeni. Studion në Ruse dhe në Akademinë..

botuar më 25-09-03 7.00.PD
Atë Matej Preobraxhenski – Mitkalloto (1828–1875)

Çfarë nuk dimë për shpikjet e Matej Preobrazhenski?

Edhe pse është i njohur kryesisht si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vasill Levskit dhe një luftëtar i përkushtuar për çlirimin kombëtar, Atë Matej Preobrazhenski (1828–1875) nuk kufizohej vetëm në aktivitetin revolucionar. Pak detaje dihen..

botuar më 25-08-26 4.20.MD