“Çdo njeri beson ndryshe në Zot. Në forcën që ne e quajmë Zot” – thotë në një intervistë për gazetën “Trud” në vitin 2017 Janka Rupkina – një nga simbolet e kulturës muzikore bullgare. Dhe shton me sinqeritet: “Unë besoj. Çdo njeri duhet të besojë në diçka. Qoftë në një këngë, qoftë në një njeri, qoftë në një dru të thatë, që ti mendon se është i thatë, por ai ka shpirt – nuk ka rëndësi. Në të gjitha këngët e mia besoj, sepse ato më mbushin me tekstet e bukura dhe me meloditë e bukura, por mbi të gjitha besoj në “Kalimanku Denku”, sepse ajo më solli famë botërore.”

Këngëtarja legjendare nga rajoni i malit Stranxha lindi në fshatin Bogdanovo, në krahinën e Burgasit, më 15 gusht të vitit 1938, ditën kur festohet Fjetja e Shën Mërisë, një nga festat më të mëdha të kalendarit ortodoks, që ka një rëndësi të veçantë në traditën bullgare. Por, në vend që ta quajnë me emrin e Shën Mërisë, prindërit e saj i dhanë emrin e gjyshes nga ana e babait – Jana.
Më vonë, Janka Rupkina do të theksonte pothuajse në çdo intervistë se gjyshja e saj ka qenë “një këngëtare shumë e madhe dhe njeri me shpirt të pasur” dhe se nuk mund ta harrojë “zërin e saj prej mjalti.”
Mezi gjashtëvjeçare, ajo filloi të këndonte këngët e para, të mësuara nga gjyshja Jana. Të gjithë në familjen e saj të madhe ishin muzikantë: babai i saj, hallat, të afërmit nga ana e nënës. Por, duke qenë se ishin të zhvendosur nga Trakia, në qendër të malit Stranxha mbanin kostumet dhe këndonin këngët e krahinës së Trakisë. Kur Janka u martua me Georgi Rupkin nga fshati Gabër, aty dëgjoi këngët e para të krahinës së Stranxhës, mes të cilave ishte “Kalimanku Denku, moj e bukur”. Sot, repertori i saj mbresëlënës i krahinës së Stranxhës numëron mbi 250 regjistrime për fondin e Radios Kombëtare Bullgare. Por “Kalimanku Denku” – në interpretimin solo ose në përpunimin e mrekullueshëm me kor nga Krasimir Kjurkçijski – mbetet kartëvizita e saj. Pas Janka Rupkinës, pak këngëtarë guxuan të prekin këtë kryevepër folklorike, dhe të gjithë e pranojnë interpretimin e saj si të papërsëritshëm.
“Këtë këngë më e tregoi një kushëri i bashkëshortit tim – kujton Rupkina. – Emri i tij është Stoju Stoev. Na vizitoi shumë vite më parë, që në fillim të karrierës sime. Ai gjithashtu ishte nga fshati Gabër dhe më dha këtë këngë, për të cilën i jam shumë mirënjohëse, edhe pse tashmë ndërroi jetë, qoftë shpirti i tij në paqe… Teksti i saj është shumë interesant, sepse në vendin tonë, kur dy të rinj martohen, ata bëhen si familje me kumbarët. Dhe nuk është e drejtë që fëmijët e këtyre dy familjeve të martohen mes tyre… Dhe pikërisht për këtë flitet në këtë këngë.” Djali i thotë vajzës: “Kalimanku”, që do të thotë: “Oj Ndrikull, të pëlqej shumë dhe dua të martohem me ty”. Por vajza i përgjigjet: “Nuk mundet, nun, sepse ne tashmë jemi të afërm”. Megjithatë, ai i thotë se nuk e intereson këtë, sepse e do dhe është i tharë nga dashuria dhe është bërë “pemë e thatë arrash” – e sqaron tekstin këngëtarja.
Kalimanka në dialektin e Stranxhës do të thotë nun. Zakoni, sipas të cilit, kur një familje bën kumbari i të sapomartuarve, ata bëhen të afërm, dhe fëmijëve të tyre u ndalohet të bien në dashuri dhe të martohen me njeri tjetrin, ende respektohet nga familjet bullgare në malet Stranxha dhe Rodopet, të cilat nderojnë traditat e vjetra.”

Një nga solistet më të dashura të “Misterit të zërave bullgarë”, që ka kënduar me yje botërorë si Kate Bush dhe Linda Ronstadt, pjesë e trios triumfale “Bëllgarka”, Janka Rupkina ka pasur shumë momente të ndritshme në karrierën e saj, por ndër kujtimet më të paharrueshme është takimi me George Harrison. Pas një koncerti të trios në Londër, ai e ftoi Jankën dhe koleget e saj në shtëpinë e vet dhe u kërkoi të këndonin për një të afërme të tij – një këngëtare të sëmurë, për të cilën kujdesej familja e tij. “Ajo më kërkoi t’i këndoja “Kalimanku Denku”, dhe unë këndova me lot në sy, e përkulur pranë saj. Atëherë Harrison më dhuroi një nga disqet e tij me një autograf të shtypur posaçërisht për mua: “Për këngëtaren më të madhe të planetit, Janka Rupkina – me shumë dashuri”.”
Me këngën “Kalimanku Denku”, në përpunimin e papërsëritshëm të kompozitorit Krasimir Kjurkçijski, e madhja Janka Rupkina u bë pjesë e albumit të parë legjendar të serisë “Misteri i zërave bullgarë”.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA, arkiv, Facebook/ Yanka Rupkina (Zyrtare), arkiv personal
Më 16 nëntor 2025 në orën 19:30 në katedralen katolike "Shën Jozefi" në Sofje do të mbahet një koncert barok, i dedikuar festës së mbrojtëses së muzikës kishtare – martires romake shenjtja Cecilia. Koncerti "Cantantibus organis" është pjesë nga një seri..
Popullarizimi dhe interpretimi i muzikës popullore bullgare prej kohësh është misioni i këngëtares, dirigjente dhe pedagoge, Neli Andreeva . Ajo është e njohur edhe për pjesëmarrjen e saj në formacione të ndryshme, përfshirë edhe Korin “Nusha” ,..
Një udhëtim muzikor emocionues, i lindur në fundin e botës – në Antarktidë – do të prezantohet më 28 nëntor, në orën 19:00, në Kanada, në adresën: 769 Niagara Stone Rd, Niagara-on-the-Lake, ON L0S 1J0. Virtuozi bullgar me famë botërore i kavallit,..
Popullarizimi dhe interpretimi i muzikës popullore bullgare prej kohësh është misioni i këngëtares, dirigjente dhe pedagoge, Neli Andreeva . Ajo..
Më 16 nëntor 2025 në orën 19:30 në katedralen katolike "Shën Jozefi" në Sofje do të mbahet një koncert barok, i dedikuar festës së mbrojtëses së muzikës..