Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Vallja misterioze – riti i vjetër “Ruajtja e tharmit”

“Ruajtja e tharmit” është një rit i vjetër që kryhet midis Ditës së Shën Ignat Hyjmbajtësit (20 dhjetor) dhe Ditës së Shën Vasilit të Madh (1 janar). I rrethuar me një mister, ky cikël ritual është pak i njohur. Është përshkruar për herë të parë në fund të shekullit XIX. Riti është përhapur vetëm në disa rajone të Bullgarisë Veriore, por praktika të ngjashme ka në tërë vendin.

Shumë janë llojet e bukës, të cilat bullgarët i përgatitnin dikur. Ditët e zakonshme mbrunin bukë pa tharm. E piqnin mbi thëngjij, në hi ose në çerep. Kjo bukë nuk çahej me thikë, ajo këputej me dorë dhe shpesh herë hahej me gjalpë dhe mjaltë. Përdorej dhe në disa rite për shëndet, kur lindet një fëmijë, që të dëbohen forcat e këqija ose sëmundjet.

Për festat bullgarët gatuanin bukë me tharm. Kjo bukë, sipas përfytyrimeve të vjetra, kishte forcë magjike. Buka me tharm stolisej në varësi të rastit, për të cilin bëhej. Nuk dihet kur tharmi hyri në kuzhinën bullgare. Sipas historianëve të dhëna të sigurta ka për shekullin XV, por ndoshta përdorej dhe para kësaj. Tharmi bëhej në procesin e mbrujtjes së miellit dhe ujit deri sa të bëhej një qull, i cili vihej disa ditë në një enë deltine. Pas përgatitjes së bukës, tharmi thahej, mbulohej me një peshqir të pastër dhe përdorej përsëri pas ca kohe. Thoshin se tharmi është ati i bukës. Në përfytyrimet e popullit ai ishte një qenie e gjallë, për shkak të aftësisë së tij të rritet, domethënë të shtojë vëllimin e tij. Përveç kësaj ai vjetërson – humb forcat e veta. Atëherë duhet të rinohet – pra, të rinovohet. Një tharm i ri bëhej në ditë të veçanta – para Pashkëve, para dasmave dhe para Krishtlindjeve. Përzierja e fermentuar prej uji dhe mielli konsiderohej mjekuese. Besonin se tharmi mbronte nga magjitë. Ai përdorej dhe në mjekësinë popullore. Në fund të shekullit XIX etnografi i madh bullgar Dimitër Marinov përshkroi për herë të parë ritin “Ruajtja e tharmit”. Ai e zbuloi vetëm në disa fshatra rreth qytetit Ruse të Bullgarisë Verilindore. “Duhet të ekzistojë dhe në vende të tjera, por e fshehin”, shkroi shkencëtari. Sipas tij riti ka një karakter magjik dhe prandaj përndiqej nga priftërinjtë.

“Ruajtja e tharmit” fillonte në vigjiljen e 20 dhjetorit, para Ditës së Shën Ignat Hyjmbajtësit dhe mbaronte më 1 janar, Ditën e Shën Vasilit të Madh. Këto janë të ashtuquajturat “ditë të ndyra” ose tranzicioni nga viti i vjetër në vitin e ri, nga kaosi në organizimin e ri të Universit. Mblidheshin vetëm gra, disa prej tyre me përvojë në namatisje dhe në mjekimin e sëmundjeve. Më parë bënin një valle rituale. Dy vajza të reja bënin tharmin. Zgjedhja e tyre nuk ishte e rastit – njëra doemos duhej të jetë fëmija e parë e nënës së saj, tjetra – fëmija e fundit. Gratë e moshuara vinin në tharm barna mjekësore magjike, hi lajthie, ahu dhe panje. Tharmin e gatshëm e vinin në një peshqir dhe e vendosnin në këndin e dhomës. Gjatë tërë natës pranë atij rrinte njëra nga gratë, ndërsa të tjerat vazhdonin të hidhnin vallen. Deri në Ditën e Shën Vasilit tharmi ruhej dhe çdo natë e zhvendosnin në një shtëpi tjetër. Por vallen e fshehtë rituale e hidhnin vetëm tri net – në vigjiljen e Ditës së Shën Ignatit, në vigjiljen e Krishtlindjeve dhe në vigjiljen e Ditës së Shën Vasilit. Herët në mëngjes më 1 janar të gjitha shkonin në shtëpinë, ku ruhej më në fund tharmi. Gjyshet e ndanin në kaq copa, sa ishin të gjitha pjesëmarrëset. Tharmi i ruajtur kishte cilësi të jashtëzakonshme – mjekonte, mbronte shtëpitë nga magjitë, gratë tërhiqnin me të të dashurit.

Në disa fshatra të Bullgarisë Qendrore bëhej pothuaj i njëjti rit. Atje miellin e sitnin disa herë, kurse brumin e bënte një vajzë me prindër të gjallë. Tharmin e vinin mbi një krehër. Është interesante se sipas besimeve popullore krehri ka forcën të dëbojë forcat demonike. Më vonë në ruajtjen e tharmit u përfshinë burra dhe kështu riti u transformua në një spektakël festiv. Por megjithë modernizimin e tij, disa elemente kyçe mbetën të pandryshuara. Gruaja, e cila mbrunte tharmin, duhej të mbante veshje festive. Uji duhej të sillej me heshtje të plotë në një enë të pastër pas perëndimit të diellit, kurse mielli të sitej disa herë. Bashkë me gëzimin dhe atmosferën festive, të moshuarit u transmetonin brezave të rinj dhe aftësitë e tyre të gatuhet dhe të ruhet ky përbërës kaq i rëndësishëm i bukës festive.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Allbena Bezovska


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Holandezja Esther Willems i magjeps bashkatdhetarët e saj me ritmet e valleve popullore bullgare

Holandezja Esther Willems vazhdon të tërheqë njerëz nga qytete dhe kombësi të ndryshme në klubin e saj për vallet popullore bullgare, i krijuar në Hagë dhe i quajtur "Zora". Klubi u themelua në vitin 2017 dhe në të u regjistruan edhe atëherë 13..

botuar më 24-08-18 7.35.PD

Mbrëmjet e kulturës bullgare në Shqipëri po vazhdojnë

Mbrëmjet e kulturës bullgare në Shqipëri po vazhdojnë edhe në muajin gusht. Shfaqjet e para ishin në qershor, kur grupe folklorike nga Bullgaria prezantuan kostume, valle dhe këngë popullore bullgare para teatrit "Aleksandër Moisiu" në qytetin e..

botuar më 24-08-11 10.15.PD

Tingulli i gajdeve do të dëgjohet mbi livadhet e Ilindenit me rastin e tubimit në fshatin Gella

Me rastin e tubimit tradicional në fshatin Gella , nga sot, 2 gusht, deri në të dielën, 4 gusht, në livadhet e Ilindenit do të tingëllojë një program pesëmbëdhjetëorësh me muzikë autentike të Rodopeve. Pritet që eventi të tërheqë mijëra..

botuar më 24-08-02 8.05.PD