Kryengritja e Prillit nga viti 1876 është maja më e lartë në luftërat çlirimtare të bullgarëve kundër zgjedhës pesëshekullore osmane. Ajo shpërtheu më 20 prill (sipas stilit të ri më 2 maj). Organizatori i saj është Komiteti revolucionar i Giurgiut, krijuar në Rumani nga luftëtarët vullnetarë bullgarë. Ai e vazhdon veprën e Vasill Levskit – figura më të shquar në lëvizjen çlirimtare, i cili vdiq tre vjet para kryengritjes së famshme.
Në letërsinë shkencore ekzistojnë disa teza sa u përket qëllimeve të kryengritjes, saktëson në intervistën për Radio Bullgarinë doc. d-r Pllamen Mitev, dekani i Fakultetit Historik të Universitetit të Sofjes “Shën Klementi i Ohrit”. Sipas tezës kryesore apostujt revolucionarë të Giurgiut kishin qëllim të përgatisnin një kryengritje mbarëpopullore, duke besuar se në kushtet e Krizës së thelluar Lindore mund të zgjidhej çështja politike bullgare.
“Mirëpo ndër studiuesit ekzistojnë kundërvënie a kanë besuar vërtetë organizatorët në suksesin përfundimtar të kryengritjes. Ka dokumente, sipas të cilave disa prej apostujve kanë pasur përfytyrime realiste për mundësitë e bullgarëve dhe për përfundimin real të kryengritjes. – shpjegon doc. Mitev. – Ata më tepër kanë dashur të tërheqin vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe ta provokojnë Evropën për të marrë pjesë në Krizën e Madhe Lindore. Plani paraprak i apostujve nuk parashikonte një datë të saktë të fillimit të kryengritjes. Në Giurgiu ata diskutonin disa data të mundshme – 18 prill, 1 maj dhe 11 maj në varësi të vlerësimit të udhëheqësve të qarqeve të veçanta. Ishte parashikuar dhe akoma një mundësi. Emigracioni bullgar ishte në dijeni të planeve të Beogradit për të filluar veprime serioze kundër Turqisë në përkrahje të kryengritjes në Bosnjë e Hercegovinë. Një pjesë e pjesëmarrësve në mbledhjet në Giurgiu mendonin se do të ishte më mirë në qoftë se kryengritja bullgare koordinohej me fillimin e veprimeve ushtarake të Serbisë. Me iniciativë të njërit prej apostujve – Stefan Stambollov, gjatë pranverës së vitit 1876 në Beograd u dërgua një njeri – Georgi Zhivkov, i cili duhej të kryente veprimtaritë koordinuese me autoritetet serbe. Mirëpo një tradhti çoi në shpërthimin e paparashikuar të kryengritjes gjatë muajit prill, kurse lufta në Serbi dhe Malin e Zi filloi që gjatë muajit qershor, domethënë dy muaj më vonë pas Kryengritjes së Prillit.”
Tradhtia ishte bërë nga Nenko Terzijski nga fshati Balldevo, i cili kishte marrë pjesë në mbledhjen në krahinën malore Oborishte, të thirrur nga Komiteti i Giurgiut për përgatitjen e kryengritjes. Pas mbledhjes Terzisjki i informoi autoritetet turke, të cilat nga ana e vet arrestuan udhëheqësit e kryengritjes në Qarkun e katërt revolucionar. Kështu u arrit në shpërthimin më të hershëm të kryengritjes. “Në letërsinë shkencore ka akoma një hipotezë të prof. Hristo Gandev, e cila është përkrahur nga studiuesit më të mirë amerikanë të Kryengritjes së Prillit dhe më konkretisht nga prof. Filip Shashko – saktëson doc. Mitev. – Sipas kësaj hipoteze autoritetet turke kanë preferuar që kryengritja të shpërthejë më herët, që të jetë më e lehtë shuarja e saj. Ajo mbështetet te dëshmi konkrete, sipas të cilave edhe para tradhtisë së Terzisjskit autoritetet osmane kanë pasur informacion për përgatitjen e kryengritjes në trojet bullgare dhe në vend që të merren masa për parandalimin e saj, ato kanë zgjedhur një variant tjetër veprimi. Për këtë qëllim ishin dërguar zaptijet turke për të arrestuar Todor Kableshkovin, i cili nuk ishte një figurë kaq e rëndësishme në udhëheqjen e kryengritjes, por kishte të drejtën e shpalljes paraprake të kryengritjes në rrethana të jashtëzakonshme. Kështu u arrit në mungesë harmonie në organizimin e forcave kryengritëse dhe ato ishin fituar lehtë nga bashibozukët dhe ushtria e rregullt turke.
Sipas planit të përpunuar nga apostujt e Gjurgiut, për nevojat e kryengritjes trojet bullgare u ndanë në katër qarqe revolucionare – qarku i Tërnovos, i Slivenit, i Vracës, i Plovdivit (me seli në Panagjurishte). Në qarqet e ndryshme kryengritja zhvillohej në mënyrë të ndryshme. “Më aktive ishin veprimet në qarkun e katërt, në të ashtuquajturin Qarku i Panagjurishtes. Kjo shpjegohet me punën e mirë të apostujve, të cilët arritën të rimëkëmbin tërë rrjetin e komiteteve, të krijuar në të kaluarën nga Apostulli i lirisë bullgare, revolucionari i madh Vasil Levski, dhe të krijojnë komitete të reja. U zhvillua dhe një përgatitje paraprake e popullsisë mashkullore, u përpiluan plane konkrete për veprimet e ardhshme luftarake. U përgatitën depo me furnizime dhe produkte ushqimore. U përpunuan skenarë, që të ndihmohen banorët civilë dhe të mos ketë shumë viktima. U zhvillua një propagandë e shkëlqyeshme. U përhap fraza e famshme “Турцja ке падне” (“Turqia do të rrëzohet”), e cila deshifrohej në mënyrë speciale. Përveç kësaj bullgarët ishin të bindur se pasi fillon kryengritja do të marrin përkrahjen e Rusisë dhe Serbisë. Kjo ishte një propagandë e sajuar shumë mirë për aktivizimin e popullsisë në Qarkun e katërt . Atje vërtetë u përfshi pothuaj tërë popullsia vendore bullgare.
Për fat të keq në qarqet e tjera situata ishte pak më e ndryshme. Në Qarkun e dytë të Slivendit që në vetë fillimin kishte konflikte midis apostujve sa i përket taktikës. Disa prej tyre mbronin tezën e kryengritjes në masë në fshatra, disa të tjerë, si ndihmës-apostulli Stoill Vojvoda, ishin për taktikën e çetave. Kjo taktikë u aplikua në Qarkun e parë të Tërnovos, ku u krijuan disa formacione të mëdha – çetat e priftit Hariton, Canko Djustabanovit, Jonko Karagjozovit, Hristo Patrevit. Në saje të talentit të shkrimtarit të Zahari Stojanovit dimë më shumë hollësi për kryengritjen në Qarkun e katërt. Më pak është informacioni për rebelimin e rajonit të Sevlievos, rreth fshatrave Batoshevo, Krëvenik, Novo Sello, ku vërtetë popullsia u ngrit në masë në kryengritje. Madje flitet për shpalljen e Republikës së Novo Sellos, e cila ka ekzistuar në vazhdim të disa ditëve. Më e dobët ishte kryengritja në Qarkun e tretë revolucionar, ku apostujt nuk arritën të koordinohen me veprimet e emigracionit bullgar dhe kur përmes qarkut kaloi çeta e Hristo Botevit, veprimtarët e Vracës nuk arritën ta ndihmojnë çetën, si dhe çeta nga ana e vet nuk arriti ta ndihmojë kryengritjen në Qarkun e Vracës.”
Kryengritja e shpallur paraprakisht u shua me shumë gjak. Mbi 30 000 bullgarë ishin vrarë. Intelektualë dhe politikanë të shquar e mbrojtën kauzën bullgare.
“Gjatë verës së vitit 1876 kishte një jehonë të madhe ndërkombëtare nën formën e debateve në parlamentet e ndryshme evropiane, publikimeve në shtyp, mbledhjeve dhe mitingjeve, në të cilat njerëzit e zakonshëm shprehnin keqardhjen e tyre ndaj bullgarëve dhe përkrahje ndaj kauzës kombëtare bullgare – tregon doc. Pllamen Mitev. – Në Angli për shembull çështja bullgare u shfrytëzua nga opozita, që të kritikohet qeveria konservatore e Dizraelit. Një prej liderëve opozitarë – Gladston, shkroi një prej pamfleteve të tij më të fuqishme kundër politikës së përkrahjes së Portës së Lartë. Broshura e tij e famshme “Mësimet e vrasjes” ishte shumë e fuqishme dhe e ndihmoi popullarizimin e kauzës bullgare, duke forcuar tensionin e komunitetit bullgar mbi qeveritë e Fuqive të Mëdha për të marrë pjesë në zgjidhjen e krizës lindore. Gjatë shtatorit dhe tetorit diplomacia evropiane u detyrua të dënojë veprimet e autoriteteve osmane. Kështu gradualisht u arrit në idenë e thirrjes së Konferencës së Ambasadorëve në Stamboll, e cila ishte një provë për zgjidhjen paqësore të krizës.”
Mirëpo Porta e Lartë refuzoi të zbatojë vendimet e Konferencës për ndryshime territoriale dhe për krijimin e autonomive, gjë që çoi në fillimin e Luftës Ruso-Turke nga vitet 1877-1878, e cila nga ana e vet ia solli Bullgarisë Çlirimin e shumëpritur.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Hyrje e Hyjëlindëses së Tërëshenjtë në Tempull është një nga festat më të lashta dhe më të nderuara në botën ortodokse, e prezantuar në Kostandinopojë rreth shekullit të VIII-të, në kohën e Patriarkut Tarasij. Vetëm gjashtë shekuj më vonë, festa filloi..
Në një mëngjes të ftohtë nëntori të vitit 1917, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, një zepelin L 59 u ngrit nga baza afër Jambollit për në Tanzani. Qëllimi ishte furnizimi i municioneve dhe materialeve për njësitë ushtarake gjermane të vendosura në..
Arkeologët studiuan një nekropol në zonën Kavacite pranë qytetit bregdetar Sozopoll. Perimetri në të cilin ndodhet është pjesë e historisë së Apolonisë Pontika dhe daton në shekullin e IV-të para Krishtit. “Kjo është një zonë me varrime interesante,..
Revolucionari i madh Ljuben Karavellov (1834-1879), shkrimtar dhe publicist i Rilindjes sonë, ka lënë një gjurmë të thellë në letërsinë bullgare si prozator,..