Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dita e Shën Vangjelizmoit

БНР Новини
Ungjillëzimi i Hyjlindëses, Andrej Rublov
Foto: wikipedia.org

Ungjillëzimi i Hyjlindëses ose kjo ditë e njohur ndryshe si Dita e Vangjelizmoit është një nga festat më të rëndësishme në kalendarin e krishterë. Më 25 mars Shën Marisë iu shfaq Kryeengjëlli Gabriel, lajmëtari hyjnor i dërguar nga Perëndia, për t’i treguar asaj se do të lindte Birin e Zotit, përmes mrekullisë së Shpirtit të Shenjtë. Kjo ditë përkon me fillimin astronomik të pranverës dhe lidhet me idenë e jetës së re dhe me ringjalljen e natyrës. Sipas traditave popullore në Ditën e Shën Vangjelizmoit pastrohen shtëpitë. Kjo supozon të jetë përgatitje për jetën e re. Po ashtu mbillen perimet që ta kenë shijen më të mirë. Në këtë ditë çupave u vihen vathët. Besohet se plagët në vesh shërohen më shpejt. Më 25 mars vijnë lejlekët dhe dallëndyshet, ndërsa qyqja kur të nisë të këndojë, duhet të jesh ngopur dhe të kesh para në xhep. Kjo supozon që do të jesh gjithë vitin me pasuri.

Zënia e fëmijës përmes mrekullisë së Zotit është një temë e cila zgjon imagjinatën popullore. Një sërë tekstesh folklorike e shqyrtojnë çështjen si Shën Maria është bërë me bark, duke ruajtur virgjërinë e saj. Shumë legjenda dhe këngë popullore rrëfejnë se kur Shën Maria i ka afruar një luleje, ka zërë fëmijë përmes aromës së saj. Sipas disa varianteve kjo lule ishte zambak. Prandaj në disa ikona kryengjëlli Gabriel pasqyrohet me zambak të bardhë në dorë, duke qëndruar para Shën Marisë. Ka po ashtu dhe histori të tjera ku lulja supozohet të  jetë borzilok. Ky i fundit është bima më e nderuar në folklorin bullgar për shkak të aromës që shpërndan. Besohet se borziloku largon shpirtrat e këqij dhe sëmundjet. Konsiderohet të jetë lulja e Jezu Krishtit, sepse ka çelur në varrin e tij. Sipas traditës më 25 mars në kishë besimtarët çojnë borzilok.

Sipas një legjende tjetër Shën Maria ka zërë fëmijë pasi ka kafshuar një mollë, ose pasi ka gëlltitur një elmaz. Ka lindur nga brinjët dhe kështu e ka ruajtur virgjërinë.

Në shumë ikona të vjetra e shohim Hyjlindësen, duke tjerrë në Ditën e Ungjillëzimit. Mirëpo, Shën Maria është pikturuar duke dredhur me dorë dhe jo me vegla. Një tekst apokrif tregon se priftërinjtë e Jerusalemit kanë porositur të qepet një perde e cila t’i vihet Tempullit të Zotit. Perdja është punuar nga vajza të virgjëra e bujare, ndër të cilat dhe vetë Shën Maria. Asaj i ka bjerë të punonte me fijet e ngjyrës vjollcë – që është shenja e statusit mbretëror të Virgjëreshës dhe të Birit të Zotit i cili pritej të lindte. Kur Shën Maria ka punuar perden me ngjyrën vjollcë, i është shfaqur engjëlli i cili e ka paralajmëruar atë për ngjarjen e rëndësishme që vijonte.

Shpjeguesit e fesë së krishterë e lidhin perden e ngjyrës vjollcë me trupin e Juzu Krishtit dhe e interpretojnë “veshjen” të cilën nëna qep për djalin e vetë. Biri i Zotit e “vesh” atë dhe merr pamjen e njeriut në tokë. Shkencëtarët kanë vërtetuar se tjerrja dhe endja zënë një vend të veçantë në mitologjinë dhe folklorin e popujve të ndryshëm. Kur tjerr, end ose thur, Nëna Hyjnore krijon botën: ajo krijon fillin e jetës, siç fija e kërthizës e cila lidh nënën me foshnjën.

Si tjerrëse janë paraqitur po ashtu dhe figurat e besimeve popullore bullgare e greke (orët), të cilat përcaktojnë fatin e të sapolindurit. Sipas legjendave Eva, prind i mbarë njerëzimit, gjithashtu pasqyrohet si tjerrëse pas mëkatit të saj dhe largimit të njerëzve të parë nga Parajsa. Procesi i tjerrjes luan një rol shumë të rëndësishëm në disa zakone bullgare. Kur nusja shkel pragun e shtëpisë së re, ajo nis të tjerrë. Në lojërat popullore të dimrit ku maskohen njerëz, gjithashtu haset personazhi i cili tjerr. Kjo është plakja e cila përgatit dasmën ose nusja e cila lind. Një figurë tjetër lidhur me paralajmërimin e pranverës dhe me ringjalljen e natyrës  në folklorin bullgar është Plakja e Marsit. Kjo e fundit sjell veroret të cilat dredhen me fije të kuqe e të bardha. Pra edhe këtu e vërejmë procesin e tjerrjes. Në Manastirin e fshatit Osenovllak në qarkun e Sofjes, gjendet një pikturim mural me skenë jo të zakontë. Shën Maria, ulur në gjunjë, merr lajmin e bekuar se do të lindte Birin e Zotit dhe mbi kokën e saj është pikturuar verorja. Kjo e fundit supozohet të jetë një rreze drite dërguar nga Shpirti i Shenjë. Kështu tradita folklorike ndërlidhet me fenë e krishterë dhe “sqaron” mrekullinë e zënies së fëmijës në mënyrë të virgjër.

Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një tempull unik trak në Plovdiv mund të restaurohet plotësisht

Një tempulli trak nga shekulli III para Krishtit pa analog në vendin tonë mund të shndërrojë 10 hektarë të zonës "Jug" ("Juzhen") të Plovdivit në një park arkeologjik. Vendi ndodhet në bazën e Tumës së Madhe, të cilën një ekip i Muzeut..

botuar më 24-08-23 12.16.MD

Arkeologët kanë zbuluar një varrim të pasur të një luftëtari trak të epokës romake

Gjetje të vlefshme dhe unike arkeologjike u zbuluan gjatë gërmimeve në fshatin Kapitan Petko Vojvoda të rrethit të Topollovgradit, raportoi BTA. Arkeologët e udhëhequr nga Daniella Agre kanë gjetur një varr të mundshëm të një aristokrati trak me..

botuar më 24-08-22 5.56.MD

Arkeologët zbuluan më shumë se 500 monedha të lashta në Filipopollin e vjetër

Arkeologët zbuluan në Plovdiv më shumë se 500 monedha nga periudha të ndryshme dhe shufra ari për të bërë bizhuteri. Gjetjet janë nga gërmimet e shpëtimit në rrëzat e Qytezës së Vjetër pranë portës së madhe lindore të Filipopollit të lashtë. Në epokën..

botuar më 24-08-19 7.10.PD