Beteja për Stara Zagorën më 19 korrik 1877, e shpërthyer gjatë Luftës Çlirimtare Ruso-Turke, është një prej ngjarjeve më epike dhe në të njëjtën kohë më tragjike. Ajo mbaroi me fitoren e ushtrisë turke, me masakrim në masë të popullsisë dhe me djegien e qytetit. Pikërisht gjatë luftimit heroik për shpëtimin e Stara Zagorës ushtarët vullnetarë bullgarë pagëzuan armët, pasi u përfshinë në pararojën ruse nën komandën e gjeneralit Gurko. Duke u tërhequr nga fusha e betejës bullgarët dhe rusët zhvillonin një luftë të ashpër për shpëtimin e Flamurit të Samarës – simboli i vullnetarëve bullgarë, luftë kjo në të cilën nënkoloneli Pavell Kalitin mbajti fjalën e dhënë në Ploesht gjatë marrjes së flamurit: “Do të vdes, por flamuri nuk do të shkojë në duart e armikut”. Ai sakrifikoi jetën e vet dhe arriti ta shpëtojë Flamurin e Samarës – flamuri i vetëm në historinë bullgare, i cili është dekoruar me urdhrin “Për guxim”. Flamuri është pikturuar nga shumë krijues bullgarë. Në qytetin Stara Zagora, në kodrën Çadër Mogila, atje ku ka qenë pika e komandës së ushtarëve vullnetarë bullgarë, ngrihet Kompleksi Memorial “Mbrojtësit e Stara Zagorës 1877”. Siç thotë Vanja Doneva-Cenkova, eksperte në Muzeun Historik Rajonal, kompleksi “rikrijon në një mënyrë të talentuar “Flamurin e Samarës”.
“Gjatë Luftës Çlirimtare Flamuri i Samarës u gjend dy herë në një rrezik të madh – te Stara Zagora më 19 korrik 1877 dhe në betejën në Shipka më 11 gusht të vitit të njëjtë. Repartet, ku bënin pjesë ushtarët vullnetarë bullgarë, ishin rrethuar nga ushtria osmane, por trimëria e mbrojtësve – ushtria e rregullt ruse dhe ushtarët vullnetarë bullgarë – e shpëtoi flamurin e shenjtë. Kështu në histori mbetën emrat e flamurtarëve të guximshëm që vdiqën afër Stara Zagorës dhe guximi i Pavell Kalitinit, komandanti i regjimentit të tretë vullnetar, i cili me përpjekje heroike dhe me çmimin e jetës së vet shpëtoi Flamurin e Samarës. Ngjarjet nga data 19 korrik janë rikrijuar një shekull më vonë nëpërmjet këtij monumenti madhështor me emrin “Flamuri i Samarës.”
Monumenti është i lartë rreth 50 metra. Autorët janë skulptorët Krum Damjanov dhe Bozhidar Kozarev, si dhe arkitektët Bogomill Davidkov dhe Bllagovest Vëllkov. Inxhinieri i konstruksionit është Anton Maleev.
“Monumenti është shumë origjinal – vazhdon Vanja Cenkova – Tri shtylla të mëdha e mbajnë konstruksionin e flamurit të valëvitur. Në themelet e tij është eshtërorja. Ajo na rikujton për epilogun e përgjakshëm të betejës heroike. Në sarkofag janë shkruar fjalët e poetit të Stara Zagorës Mihaill Berberov “Stara Zagora, Stara Zagora – një qytet i gjallë me themele në eshtra”. Figurat e gjashtë ushtarëve vullnetarë bullgarë dhe të një oficeri rus qëndrojnë si simbole të gardhit të pakapërcyeshëm të gjashtë regjimenteve vullnetare bullgare, të cilat nën komandën e oficerëve rusë afër Stara Zagorës morën pjesë për herë të parë në betejë.
Zjarri i përjetshëm për nder të heronjve të vdekur po digjet në një konstruksion në formën e bajonetave. Pjesa tjetër e monumentit janë muret e memorialit, ku janë shkruar tekste, të cilat të na rikujtojnë për rrugën e Flamurit të Samarës. Këto janë fjalimi i personalitetit publik rus Petër Allabin në Ploesht më 6 maj 1877, kur flamuri iu dorëzua regjimentit vullnetar bullgar dhe fjalët e gjeneralit Josif Gurko, ku përmendet edhe reparti i Stara Zagorës, i cili e mbrojti qytetin. Bën përshtypje tërë kompozimi i monumentit, ku ka dy zona të dallueshme. Njëra – shkallët monumentale prej 100 këmbësh, të cilat na rikujtojnë se monumenti është ngritur me rastin e përvjetorit të 100-të të betejave. E dyta janë tri tarraca të njëpasnjëshme, të cilat i lidhin komponentët e veçantë. Ato janë lidhja midis së kaluarës dhe së ardhmes nëpërmjet së tanishmes.”
Lipsanat e heronjve, të cilët dhanë jetën e tyre për Stara Zagorën u transferuan solemnisht nga muzeu-eshtërore /për viktimat e Stara Zagorës, i ndërtuar në vitin 1910/ dhe u vendosën në një sarkofag gjatë hapjes së Kompleksit Memorial në vitin 1977. Gjatë vitit 2007, me rastin e përvjetorit të 130-të të betejës, me ide të një prej autorëve të monumentit Krum Damjanov dhe të skulptorit Filip Papazov, në rrezet e kompleksit u montua një kryq ortodoks, ku u vendos kryqi tradicional bullgar. “Që në vitin 2007 filloi një traditë e rikrijimit të ngjarjeve heroike rreth kompleksit memorial. Kjo e mban të gjallë interesin ndaj heronjve të vdekur dhe kujtimin për momentet madhështore dhe tragjike të ngjarjeve më 19 korrik të vitit 1877”, tha në përfundim Zonja Cenkova.
Pas betejës te Stara Zagora gjenerali Gurko tha në një fjalim drejtuar pararojës ruse dhe ushtarëve vullnetarë bullgarë: “... Kjo ishte beteja juaj e parë kundër armikut dhe ju menjëherë treguat se jeni heronj për të cilët duhet të krenohet tërë ushtria ruse... Ju jeni bërthama e ushtrisë së ardhshme bullgare. Do të kalojnë vite dhe kjo ushtri e ardhshme bullgare do të thotë: “Ne jemi trashëgimtarë të mbrojtësve të lavdishëm të Stara Zagorës.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Svetllana Dimitrova
Në ditët e para të vjeshtës, banorët dhe mysafirët e Plovdivit janë të ftuar të kujtojnë hapësira të veçanta, të dashura dhe interesante në qendër të qytetit. Ky rizbulim i veçantë dhe njohje e vendeve të përvetësuara nga emocionet dhe kujtimet personale..
Filmi "Triumfi" i tandemit regjisorial Petër Vëllçanov dhe Kristina Grozeva fitoi çmimin e madh për film artistik në Festivalin e 42-të të Kinemasë Bullgare "Trëndafilin e Artë" në Varna. Filmi mori edhe çmimin për skenarin e shkruar nga dy..
Prof. i Asociuar Marco Scarpa hulumton trashëgiminë e Krilit dhe Metodit dhe rolin e qendrave sllavo-jugore ku janë shkruar librat në të kaluarën (të ashtuquajturat skriptoriume) dhe të letrarëve që kanë punuar në to për lulëzimin e kulturës së..