Ditën e parë të kësaj jave Këshilli i Koalicionit i partisë në pushtet GERB dhe i “Patriotëve të Bashkuar” zhvilloi një mbledhje të dytë, të shkaktuar nga dorëheqjet e tre ministrave bullgarë – të punëve të brendshme, të transportit dhe të zhvillimit regjional. Javën e kaluar Këshilli shtyu debatin rreth kësaj teme për ditën e djeshme, pasi debatoi në vazhdim të katër orëve. Tani, pas vetëm një ore e gjysmë debatesh u vendos që dorëheqjet të votohen në Parlament këtë të enjte. Në shikim të parë duket se ka shumë të ngjarë që problemet verore në koalicionin në pushtet të përballohen sipas planeve paraprake të Kryeministrit, kurse tronditjet rreth tyre të jenë vetëm stuhi në një gotë me ujë.
Kryeministri Bojko Borisov vuri në dukje se e ka marrë vendimin për dorëheqjen e ministrave i vetëm në kundërshtim me Marrëveshjen e Koalicionit mes GERB-it dhe “Patriotëve të Bashkuar”, por njeriu i dytë në partinë GERB Cvetan Cvetanov siguroi se në rast ndryshimesh të ardhshme eventuale në kabinet më parë do të ketë konsultime me “Patriotët e Bashkuar”. Partia më e madhe në pushtet ka në plan që këtej e tutje të zhvillojë më shpesh këshilla koalicioni, që të mos ketë përsëri “probleme në komunikacion”. Supozohet se një prej formacioneve të “Patriotëve të Bashkuar” – Fronti Kombëtar për Shpëtimin e Bullgarisë, ditën e enjte do të votojë kundër dorëheqjeve të ministrave, por do të përkrahë propozimet e reja të GERB-it. Partia “Ataka” paralajmëroi se njerëz afër Kryeministrit janë duke organizuar njëfarë “komploti”, por pavarësisht nga kjo edhe Borisov, edhe Cvetanov janë të bindur se udhëheqja është e qëndrueshme.
Megjithatë në shtyp ka shumë kritika serioze. Gazeta socialiste “Duma” komentoi në një titull sot se Borisovit i mungojnë kuadro sepse ka ngritur kandidatura ministrore të personave pak të njohur nga “eshaloni i dytë i GERB-it”. Një konstatim i tillë u bë edhe nga agjencia “Mediapool”, sipas së cilës kandidatët, të cilët do ta kryesojnë ministritë kyçe të zhvillimit regjional, të punëve të brendshme dhe të transportit, janë me përvojë modeste profesionale dhe politike. Mirëpo kjo tezë do të haset me shumë oponentë, sepse për ministër të punëve të brendshme është propozuar Sekretari i deritanishëm i MPB-së Mlladen Marinov, për ministër të transportit – Zëvendësministri i Ekonomisë Aleksandër Manolev, ndërsa për ministër të zhvillimit regjional – deputetja Petja Avramova, e cila ka punuar si Zëvendëskryetare e Komisionit Parlamentar të Politikës Regjionale.
Forca kryesore politike në opozitë – Partia Socialiste Bullgare i caktoi rokadat e përgatitura si “një hap i dëshpëruar” dhe ditën e enjte do të votojnë kundër kandidaturave të reja të ministrave, sepse sipas saj ata do të vazhdojnë politikën e dëmshme të deritanishme të qeverisë. Vota e socialistëve nuk do të ndryshojë situatën, sepse që nga zgjedhjet e fundit deri tani nuk ka ndryshim në raportin e forcave politike në Bullgari. Pikërisht këtë e ka parasysh Presidenti Rumen Radev, i cili me rastin e ngjarjeve të fundit politike në Bullgari pohon se aktualisht nuk ka alternativë të udhëheqjes, ndërsa mungesa e alternativës nuk është problem i qeverisjes, por i opozitës.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Për Rusinë, lufta hibride është një ideologji dhe një industri, këtë e deklaroi gazetari investigativ Hristo Grozev para eurodeputetëve nga komiteti special për mbrojtjen e demokracisë evropiane. Grozev mori pjesë online në takimin, i cili diskutoi..
Situata politike duhet të na japë mundësinë të fillojmë të punojmë me bashkatdhetarët tanë jashtë vendit që kanë identitet dhe shtetësi bullgare, në mënyrë që të ruhet fryma dhe kujtesa bullgare. Këtë e deklaroi kryetarja e Kuvendit Popullor, Natalija..
Çmimet e mallrave të Pashkëve po rriten Tryeza e Pashkëve në vendet e Ballkanit do të jetë më e shtrenjtë këtë vit, raporton BTA. Mishi i qengjit në Serbi është rreth 1400 dinarë (11.5 euro) për kilogram në supermarkete. Të..
Bullgaria nuk do të bëjë lëshime ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut me qëllim që të fillojë negociatat për anëtarësimin e vendit në..
Lideri i GERB-it, Bojko Borisov, dhe Presidenti Rumen Radev u grindën në media rreth avionëve të rinj luftarakë F-16 të vendit tonë, i pari prej të..