Duke udhëtuar për në bregdetin verior të Detit të Zi ka pak të ngjarë që të dilni nga autostrada për të parë gjurmët e një prej qyteteve më të mëdha të themeluara në kohën romake në këtë pjesë të Ballkanit. Bëhet fjalë për Marcianopolisin antik, kryeqyteti i provincës romake Mizia e Poshtme. Qyteti i sotëm Devnja është ndërtuar mbi rrënojat e tij. Ndërtesa të bukura publike, një bibliotekë, një banjë dhe një hark triumfal dikur qëndronin këtu, dhe dyshemetë e shtëpive ishin zbukuruar me mozaikë të hollë. Disa prej tyre prezantohen në Muzeun e vetëm të Mozaikëve në vendin tonë, për të cilin mund ta mësoni më shumë KËTU.
Në fund të vitit 2019, pak para shpërthimit të pandemisë Covid-19, arkeologët zbuluan një thesar të mrekullueshëm të artë. Ndërsa hulumtonin mbetjet e një ndërtese romake 1600-vjeçare që u dogj në shekullin e V, ata u ndeshën me 19 monedha të arta romake të karatit të lartë.
"Thesari i artë është një provë e saktë dhe datim i pushtimit të madh hun nga viti 447 pas Krishtit, kur sipas të dhënave historike qyteti i Marcianopolit u sundua dhe u dogj nga hunët, - thotë drejtori i Muzeut të Mozaikëve Ivan Sutev. - Në fakt, mënyra më e zakonshme për të gjetur thesare është lidhur me kataklizma të mëdha natyrore ose njerëzore. Në rastin konkret bëhet fjalë për shkatërrimin dhe djegien e Marcianopolit. Ne i gjetëm këto 19 “solida” - kjo është monedha e artë e Perandorisë së vonë Romake. Ato ishin shpërndarë në dyshemenë e dhomës. Ndoshta shpërndarja e tyre ka ndodhur gjatë evakuimit të shpejtë të njerëzve, arratisjes së tyre, ose në ndonjë përplasje shumë të përgjakshme. Pastaj, kur shtëpia ka marrë flakë, një mur me tulla ka rënë dhe i ka shtypur. Për këtë shkak ato janë gjetur në një gjendje shumë të mirë, pasi nuk kanë qenë në qarkullim për një kohë të gjatë. Kur t’i shihni, do të keni përshtypjen se janë prerë dje."
Në rajonin e njëjtë në vitin 1929, arkeologët u ndeshën me një nga thesaret më të mëdha në këto toka – 120 000 monedha argjendi romake me peshë 290 kg, më të vjetrat prej të cilave janë të prera në kohën e Mark Antonit. Zbulimi i fundit në Marcianopolin e dikurshëm është nga koha e perandorëve Theodosius II dhe Valentinian III dhe zbulon histori interesante rreth jetës së njerëzve 16 shekuj më parë.
"Këto monedha janë të vlefshme si eksponate, por edhe si informacion, sepse mbi to janë përshkruar skena të ndryshme", thotë Sutev. "Në njërën anë kemi fytyrën e perandorit ose të një anëtari të familjes së tij, më shpesh gruan e tij, dhe në anën tjetër - skena interesante. Në këtë rast ne mësojmë ngjarje të rëndësishme në lidhje me jetën në oborrin perandorak në shekullin V. Për shembull, hasëm në një monedhë të prerë për nder të kurorëzimit të Aelia Eudocia, gruas së Perandorit Teodosius II. Perandoresha bizantine është e veshur shumë pasur, me bizhuteri jashtëzakonisht të bukura, dhe sipër saj është dora e Zotit, e cila i vë kurorën në kokë. Një monedhë tjetër shumë interesante nga thesari rikrijon kurorëzimin dhe pranimin e titullit "Augustus" nga Valentinian III, perandori i Perandorisë Romake Perëndimore dhe kushëriri i Theodosius II. "
Ivan Sutev dhe ekipi i tij shpresojnë të marrin financim nga Ministria e Kulturës, që të vazhdojnë studimin e godinës me thesarin e monedhave, ku zbuluan edhe dysheme unikale prej mozaikësh.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Veneta Nikollova
Kanë kaluar 147 vjet nga betejat për mbrojtjen e qytetit Stara Zagorës në vitin 1877. Në shenjë respekti dhe nderimi për heroizmin e të rënëve për liri, më 31 korrik në Kompleksin Përkujtimor "Mbrojtësit e Stara Zagorës" do të kryhet një ritual..
Gjatë gërmimeve të shpëtimit, nga nekropoli i kolonisë romake Ulpia Raciaria (në afërsi të fshatit Arçar, komuna Dimovo, rajoni i qytetit Vidin) u zbuluan 17 varre, nga të cilat pesë varre dhe 12 varre në gropa. Këtë e njoftoi Zdravko Dimitrov nga..
Në vitin 2009, bashkatdhetari ynë Anton Orush solli koleksionin e tij kushtuar teknologjisë bullgare. Ndër eksponatet në të ka televizorë, radio, pajisje kuzhine, kompjutera, telefona, pajisje për lëshim faturash etj. Gradualisht, ky pasion i tij e shtyu..