Më 8 nëntor Kisha Ortodokse Bullgare kremton luftëtarët qiellorë të dritës dhe të drejtësisë, të cilët sjellin lutjet e shenjtorëve përpara Zotit. Këta janë kryeengjëjt Mihaill, Gavriill, Rafaill, Uriill, Sallatiill,Jehudiill dhe Varahaiill. Për bullgarët Dita e Kryeengjëlli Mihaill është festa e dytë më e rëndësishme e vjeshtës pas Ditës së Shën Dhimitrit (26.10.)
Një itinerar i tillë është deri në Manastirin “Shën Kryeengjëlli Mihaill”, i cili është pjesë e kompleksit të manastireve që rrethojnë Sofjen të quajtur “Mali i Shenjtë i Sofjes”. Ai ngrihet në shpatin verior të malit Pllana, jo larg fshatit Kokaljane – në afërsi të Sofjes. Qasja në manastir është pak e vështirë, pasi një shteg i thepisur pyjor çon në të. Ai fillon pak pas fshatit nga i ashtuquajtura “Ura e Djallit” mbi lumin Vedena (një degë e lumit Iskër) dhe gjarpëron mbi rrugën kryesore që lidh Sofjen dhe Samokovin, përgjatë pjesës së sipërme të grykës së lumit Iskër.
Konsiderohet se themelet e manastirit u hodhën në shekullin e XI, gjatë sundimit të Mbretit Samuill dhe në të përfshiheshin shumë prona. Në kohën e pushtimit të Bullgarisë nga osmanët, pas rrëzimit të Kështjellës Urviç rrënojat e së cilës ndodhen në anën tjetër të grykës, në manastir u çuan shumë sende me vlerë dhe libra të vjetër. Ndër ato sende kishte dy relikte nga epoka e Mbretërisë së Dytë Bullgare, të lidhura me sundimtarin e fundit, Mbretin Ivan Shishman – një enë argjendi dhe një gotë prej kristali me zbukurime ari. Më vonë, gjatë sundimit osman, manastiri dy herë u vu në zjarre dhe u plaçkit. Në vitin 1858 Jeromonah Hrisand, që erdhi nga Manastiri i Rilës, e rimëkëmbi këtë vatër të shenjtë. Kisha që sot mund të shihet në oborrin e manastirit u ndërtua në vitin 1896 mbi rrënojat e kishës që ekzistonte në të kaluarën. Përveç kishës së madhe në manastir ka edhe dy kisha më të vogla të quajtura paraklise. Kambanorja u ndërtua në vitin 2000.
Pavarësisht bastisjeve, Manastiri “Shën Kryeengjëlli Mihaill”, arriti të ruajë të ashtuquajturin “Libër Urviç”, që përmban fjalë lavdëruese për kryeengjëjt Mihaill dhe Gavraill, ku fjala e Shën Klimentit të Ohrit është veçanërisht e vlefshme.
Më shumë për manastirin mund të lexoni në botimin Manastiri “Shën Kryeengjëlli Mihaill”.
Si duken dhe çfarë bëjnë engjëjt sipas përfytyrimeve popullore mund të lexoni në botimin: Legjenda për Kryeengjëjt Mihail e Gavriil dhe fuqitë e patrup
Përpilues: Darina Grigorova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: Darina Grigorova
E Marta e Madhe është një ditë për mësime dhe udhëzime morale përfundimtare. Në këtë ditë, priftërinjtë dhe hebrenjtë dëgjojnë fjalët udhëzuese të Birit të Perëndisë në tempull për herë të fundit. Atje, Jezu Krishti jep një shembull se si të jemi..
Java e Madhe ose java e pësimit të Zotit Jezu Krisht është e fundit para Pashkëve. Kjo javë është gjithashtu më e rrepta në fund të Kreshmës së Madhe të gjatë, e cila i përgatit besimtarët për Ngjalljen e Krishtit. Fillon pas së dielës në të cilën të..
Me aromë pranvere dhe me pritjen për Ringjalljen e madhe të Krishtit, Dita e Dafinave (Cvetnica) është një nga festat më të dashura në Bullgari. Që në mëngjes herët, njerëzit mbushin kishat për të nderuar këtë ditë të shenjtë dhe për të ndarë gëzimin e..
Kanë kaluar 35 vjet që nga themelimi i shoqatës "SOS Fshatrat e Fëmijëve Bullgari". Me këtë rast, Presidenti Rumen Radev do të vizitojë fshatin Dren,..