Trafiku i ngarkuar midis Bullgarisë dhe Rumanisë, i rënduar nga lufta në Ukrainë, vendos sërish në rendin e ditës çështjen e ndërtimit të një ure të tretë mbi lumin Danub, e cila do të përmirësonte lidhjen midis dy vendeve evropiane.
Analistët gjeopolitikë bëjnë një analogji me situatën e vitit 1999, kur konflikti në Kosovë dhe shkatërrimi i urave serbe mbi lumin Danub drejt Evropës Qendrore e detyruan Bashkimin Evropian të kërkonte alternativa. Kështu, u përshpejtua ndërtimi i urës së dytë midis Bullgarisë dhe Rumanisë te Vidin - Kallafat.
Në vitin 2022, lufta në Ukrainë bllokoi transportin detar në Detin e Zi dhe rriti trafikun tokësor përmes Danubit. Sipas historianit Pllamen Dimitrov, ekspert nga Shoqata Gjeopolitike Bullgare, kjo jep një shans për të përshpejtuar ndërtimin e urave në rrjedhën e poshtme të lumit të madh evropian.
“Kemi të njëjtat pengesa gjeopolitike për fluksin е lirë të tregtisë që ekzistonin në vitin 1999, kur ishte lufta midis NATO-së dhe Jugosllavisë. Tani telashet po vijnë nga verilindja. Rezulton se transporti i mallrave përmes pjesës lindore të Detit të Zi nuk mund të realizohet tani në këtë rrugë, sepse atje po zhvillohen operacione ushtarake. Ka një korridor të hapur vetëm për eksportin e drithërave, por edhe ai është mjaft problematik. Është logjike që tregtia midis Turqisë dhe Evropës Lindore, midis Ukrainës dhe Turqisë, të kalojë përmes rrjedhës së poshtme të lumit Danub dhe, rrjedhimisht, përmes kufirit bullgaro-rumun. Dihet që Bullgaria dhe Rumania po përpiqen t’i tregojnë Komisionit Evropian se ka nevojë për financimin e një ure të re pranë qytetit Ruse në kuadër të programit “Evropa e Lidhur” të BE-së. Pra, ka një impuls gjeopolitik që mund ta shtyjë këtë projekt përpara - thekson Pllamen Dimitrov, por paralajmëron rrezikun që projekti të mos shpërblehet nga pikëpamja thjeshtë ekonomike. - Pikërisht atëherë ndërhyn Komisioni Evropian, i cili mund të plotësojë një pjesë të financimit të munguar për një projekt të tillë.”
Qeveria e fundit e rregullt bullgare kishte një program ambicioz për ndërtimin e pesë urave në lumin Danub. “Megjithatë, para se të bëhen pesë, urat duhet të bëhen tre” – këshillon Pllamen Dimitrov.
“Është e paimagjinueshme të ndërtohet ndonjë lloj ure nëse nuk ka infrastrukturë që të çon drejt saj. Është e dëshirueshme që të jetë një autostradë që mund të sjellë trafik. Dhe në këtë kuptim, nëse ura e tretë do të jetë sërish në Ruse-Gjurgevo, duhet të ketë një përmirësim edhe në infrastrukturën kryesore. Dhe për momentin, edhe tek ura e dytë, që është Vidin - Kallafat, nuk ka autostradë në anën bullgare. Prandaj mendoj se ky është një projekt kompleks dhe duhet të sigurohen fonde për të projektuar rrugët kryesore në të njëjtën kohë me urën.”
Cila është pika e lidhjes midis Bullgarisë dhe Rumanisë ku është më urgjente të ndërtohet një strukturë lidhëse?
“Nëse duhet t’u përgjigjemi problemeve që lindin menjëherë si rezultat i Luftës Ruso-ukrainase, pika duhet të jetë diku më në lindje përgjatë kufirit bullgaro-rumun. Të jetë në gjendje t’i shërbejë lëvizjes midis Ukrainës dhe aleatëve të saj në Evropën Lindore, gjithashtu edhe Turqisë. Sigurisht që ndryshimi i situatës gjeopolitike duhet të monitorohet”, sqaron Pllamen Dimitrov. Prandaj, rekomandon ndërtimin e një ure mbi Danub pranë qytetit bullgar Silistra. Por ai e përkufizon opsionin e një ure të dytë pranë Ruses si më të mundshëm, me përmirësimin përkatës të infrastrukturës lidhëse, sepse ajo mund t’i shërbejë fluksit si drejt Evropës Qendrore, ashtu edhe drejt Ukrainës.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: BGNES, Ivo Ivanov
Zoti i ka dhuruar njeriut cilësinë e madhe - të ëndërrojë, dhe ne ëndërronim që pikërisht këtu, në Muzeun Getty, të dëgjonim në bullgarisht për hapjen e një ekspozite të jashtëzakonshme, një ekspozitë kushtuar një populli të lashtë, një ekspozitë që flet..
Në edicionin e 14-të të Sistemit të Vlerësimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Bullgari për vitin 2024, Universiteti i Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” është në vendin e parë në 22 fusha profesionale. Sistemi i vlerësimit krahason performancën e 51..
Sukseset e Bullgarisë në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës për vitin 2024 u mblodhën në ekspozitën "Mendjet fantastike". E hapur me rastin e Ditës së Iluministëve të Popullit në “Urën e të Dashuruarve” pranë Pallatit Kombëtar të Kulturës, ekspozita..