Në fëmijëri, ai e ka dëgjuar legjendën e familjes për Levskin duke vizatuar në imagjinatën e tij një pikturë që e ka mbushur me guxim, këmbëngulje dhe trimëri.
Në vitin 1971, artisti Alzek Misheff kapërceu perden e hekurt për të krijuar lirisht, një të drejtë që iu hoq në vendin e tij. Duke u larguar nga atdheu, ai rrezikoi të goditet nga një plumb në kufirin jugosllavo-italian. Nga qyteti Akui, i cili u bë shtëpia e tij e dytë në Itali, sot ai bën shpesh një udhëtim imagjinar në vendlindjen e tij me ndihmën e imazheve të fëmijërisë.
“Stërgjyshi im Ivan ka qenë piktor, por ka bërë edhe të ashtuquajturat “karroca të lyera” për ushtrinë turke - thotë Alzek Misheff. - Në këtë mënyrë ai ka qenë diçka si spiun dhe e ka informuar Levskin, i cili është fshehur në shtëpinë e tij në Koçerinovo, se ku kanë qenë ushtarët turq. Të gjitha këto më thoshte gjyshja ime - mua dhe të gjithë nipërve që në moshë të vogël. Por kjo që më bëri përshtypje më shumë është se si një piktor e ka marrë rolin e spiunit dhe ka bërë komplote dhe komitete. Kur gjyshi Ivanço u kap, ai u detyrua të pranojë besimin turk. Mirëpo, ai i pyeti katër kaditë me mjekër të gjatë, natyrisht në turqisht: "Cila është më e fortë - e vërteta, apo feja?" Dhe ata panë njëri-tjetrin dhe, të impresionuar nga ky mendim konceptual i stërgjyshit tim, e lanë të ikte, duke refuzuar ta dërgonin në Dijarbekir. Kjo është historia jonë familjare e lidhur me Levskin, e cila është pjesë e kujtimeve tona tashmë për brezin e katërt.”
Duke dëgjuar rrëfimet për stërgjyshin e tij Ivan Zograf - piktor ikonash dhe pas Çlirimit politikan, artisti është i bindur se ishte gjyshja e tij ajo që e paracaktoi rrugën e tij në art. Me historitë e saj të pasura, plaka e ka ushqyer imagjinatën e tij, duke e shtyrë atë të krijojë imazhe dhe të ndjejë empati me ngjarjet, por gjithashtu ka kërkuar që ai t'i tregojë çdo ditë 20 vizatime të tij. Në nipin e saj të madh, ajo e ka parë pasardhësin e piktorit që pikturoi një pjesë të afreskeve në Manastirin e Rillës.
“Gjyshi Ivanço ka qenë edhe figurë publike, ndryshe nga unë – vazhdon Alzek Misheff. - Pas Çlirimit, për shumë vite ishte kryetar i Komunës së Koçerinovës dhe si i tillë u zgjodh deputet në Kuvendin e parë Popullor. Ai është gjithashtu krijuesi i një fushe eksperimentale bujqësore dhe madje ka blerë nga Vjena një top kundër breshrit. Një fakt tjetër interesant është se ai u shkishërua, por jo sepse nuk besonte në krishterim, por sepse si kryetar bashkie, mori tokë nga turqit që e lanë fshatin dhe ua dha të varfërve. Mirëpo, kjo nuk i ka pëlqyer manastirit aty pranë, i cili ndoshta ka dashur të marrë të gjithë shtratin e lumit Rilla dhe ky gjest i ka kushtuar shumë”.
Dëshira për liri është një instinkt dhe ai nuk përcaktohet nga rrethanat në të cilat keni pasur fat apo nuk keni pasur fat të keni lindur, beson piktori.
“Liria pikturohet kur e shikon jetën që të rrethon, si dhe mundësinë për të bërë diçka për të tjerët”, thotë ai.
Është gjithashtu liri të provokoni një diskutim rreth postulateve të vendosura prej kohësh me pyetjet tuaja. Për shembull, nëse një vepër fetare e porositur nga popullsia vendase për kishën në fshat mund të përkufizohet si art bashkëkohor. “Kjo më ka ndodhur tashmë dy herë - a është kjo liri?”, pyet artisti, i cili ka pikturuar imazhe të mëdha të Shën Gjergjit dhe Shën Anës për dy vendbanime fqinje italiane. Dhe përgjigjen e jep vetë ai: “Mendoj se po”.
“Shpirtërorja është në artin e madh mijëravjeçar – është i bindur Alzek Misheff. – Moderniteti na bën të mendojmë se pasi gjërat zhvillohen, duhet t’i braktisim ato të së shkuarës. Por meqenëse, sipas krishterimit, ne jemi krijuar dhe ekzistojmë sipas vullnetit të Zotit, unë, sikur në pleqëri, po kërkoj vlerat e përhershme, të përjetshme”.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: culture-mfa.bg, nationalgallery.bg, Facebook / UniArt Gallery
Qyteti shqiptar i Pogradecit, i vendosur në bregun jugperëndimor të liqenit të Ohrit, është një vend ku jetojnë dhe punojnë shumë qytetarë shqiptarë me origjinë bullgare. Qyteti është qendra e bashkisë me të njëjtin emër në qarkun e Korçës, në..
Bullgarët në Shqipëri janë njohur si pakicë kombëtare në vitin 2017, por nuk kemi të dhëna zyrtare për numrin e tyre, pasi ende nuk janë publikuar të dhënat përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë së vitit të kaluar. Jo pak shqiptarë me vetëdije..
Vështirë se ekziston një djalë që nuk ka dashur të bëhet astronaut. Edhe pse më rrallë, të tilla aspirata kanë edhe vajzat. Mes tyre është udhëtarja Izabella Shopova, heroi më i madh i së cilës në fëmijëri ishte Yuri Gagarin. Ajo i përshkruan udhëtimet e..