Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus":

Duhet ndryshim rrënjësor në lidhje me ilaçet

Dimitër Marinov: Problemi kryesor në Bullgari është se nuk jepen barna gjenerike

Foto: @pixabay

Evropa ka nevojë për ndryshime rrënjësore në lidhje me ilaçet në mënyrë që ilaçet inovative të arrijnë të gjithë pacientët dhe me një çmim të përballueshëm.

Kështu, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, dhe Komisionerja Evropiane për Shëndetësinë, Stella Kyriakides, motivuan reformat e propozuara në legjislacionin farmaceutik të Komunitetit.

Qëllimi i ndryshimeve, të parat në këtë sektor për më shumë se 20 vjet, është krijimi i një tregu të vetëm për barnat për të siguruar që të gjithë evropianët të kenë akses në kohë në barna të sigurta dhe efektive.

Të dhënat tregojnë se pacientët në vende të tilla si Bullgaria, për shembull, kanë qasje shumë më të ngadaltë në terapitë moderne në krahasim me qytetarët gjermanë, theksoi Kyriakides.

Stella Kyriakides, foto: EPA/BGNES

Pacientët në shtetet anëtare perëndimore dhe në ato më të mëdha anëtare kanë akses në 90% të ilaçeve të miratuara rishtazi. Në vendet lindore dhe në ato më të vogla anëtare, përqindja është vetëm 10. Qytetarët presin nga muaj deri në dy ose tre vjet për këto ilaçe të reja.”

Reformat e propozuara synojnë gjithashtu të parandalojnë mungesën e barnave. Si gjatë pikut të pandemisë Covid ashtu edhe gjatë dimrit të kaluar, ka pasur mungesë të disa antibiotikëve dhe preparateve që trajtojnë infeksionet e frymëmarrjes.

Kompanive do t'u kërkohet të njoftojnë BE-në paraprakisht për problemet e mundshme me furnizimet, shpjegoi gjithashtu Komisionerja Evropiane e Shëndetësisë.

Drejtoresha e Organizatës Evropiane të Konsumatorëve, Monique Goyens vuri në dukje nga ana e vet:

Monique Goyens, foto: EPA/BGNES

Në 9 nga 10 raste të mungesës së barnave, flasim për barna me recetë. Pra, këto nuk janë barna që përdoruesi i blen në farmaci sipas gjykimit të tij, por ato janë të përshkruara nga mjeku për qëllime terapeutike.”

Ndër propozimet e Komisionit Evropian është reduktimi i periudhës së miratimit për një terapi të re nga 400 në 180 ditë. Gjithashtu është planifikuar të reduktohet nga 10 në 8 vjet kohëzgjatja e ekskluzivitetit bazë të tregut që marrin prodhuesit e barnave përpara se produktet gjenerike të përhapen në treg.

Megjithatë, kompanitë farmaceutike do të kenë edhe dy vite mbrojtje nëse lançojnë barnat e tyre të reja në të 27 shtetet anëtare brenda dy viteve.

Ndër theksat në propozime janë masat kundër rezistencës ndaj antibiotikëve. E ashtuquajtura "pandemia e heshtur" merr dhjetëra mijëra jetë në Evropë çdo vit.

Mirëpo, përpara se të bëhen pjesë e legjislacionit, propozimet duhet të shqyrtohen nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli.

Efekti i këtij legjislacioni do të shfaqet pas disa vitesh, sipas kryetarit të Unionit Farmaceutik Bullgar, Dimitër Marinov.

Dimitër Marinov, foto: BGNES

"Ndoshta për vendet e tregut të Evropës Lindore, në afat të shkurtër kjo do të çonte në regjistrimin e më shumë produkteve medicinale. Supozohet se ato duhet të jenë të disponueshme për pacientët. Megjithatë, në terma afatgjatë, ka shumë pikëpyetje nëse ky lloj tregu ose këto lloje rregulloresh do të çojnë në regjistrimin e më shumë molekulave të reja.

Vini re se ky legjislacion i propozuar do t’u përkasë molekulave të reja të regjistruara, dmth. status quo mbetet. Efekti i këtij legjislacioni do të ndihet pas disa vitesh. Disponueshmëria e një produkti medicinal nuk është thjesht rregullatore. Problemi është se nëse këto barna përhapen këtu, dikush duhet të paguajë për to. Pra, problemi nuk është aq rregullator, sa financiar, sepse se ne jemi të varfër.

Ndryshimet e propozuara ndoshta do të përmirësojnë aksesin në barna të reja për qytetarët e vendeve të vogla si Bullgaria, por pyetja është me çfarë kostoje, thekson eksperti:

Sipas propozimit të Komisionit Evropian nëse një kompani që lançon një produkt të ri medicinal dëshiron të ketë ekskluzivitet ose ekskluzivitet bazë në treg, duhet ta lançojë atë në të gjitha vendet anëtare të BE-së. Kjo do të përmirësojë aftësinë e vendeve të vogla, të tregjeve të vogla, për të pasur akses në produkte të tilla medicinale.

Por për një vend si Bullgaria, aksesi te ilaçi nuk mjafton, çështja është nëse dikush mund ta blejë atë. E vërteta është se ne shpenzojmë shumë pak para për kujdesin shëndetësor. Përqindja e kontributit të sigurimit shëndetësor mund të jetë afër atyre në BE, por thjesht të ardhurat tona janë shumë të ulëta”.

Mungesa e barnave në kulmin e pandemisë Covid dhe në muajt e dimrit kur gripi sezonal është në ecje të plotë mund të kontrollohet nëse monitorohet numri i recetave të paplotësuara. Por, kjo nuk mund të bëhet derisapërdoren në masë recetat në letër dhe jo ato elektronike, komentoi kryetari i Sindikatës Farmaceutike:

Nuk ka asnjë vend, apo farmaci në botë, që të ketë absolutisht të gjitha barnat në të njëjtën kohë. Por çështja është se çfarë po bën shteti për të frenuar këto probleme. Kur kërkesa apo konsumi është më i madh se ofrimi, sigurisht që lindin probleme.

Si mund të zgjidhen këto probleme? Kjo mund të bëhet duke optimizuar lëshimin e recetave dhe zbatimin e tyre. Masa më objektive e cila na tregon se sa nevojitet një bar është numri i recetave të parealizuara.

Kur kemi receta letre, nuk mund ta dini se sa receta janë përshkruar ose sa janë lëshuar.

Foto: BGNES

Sipas Dimitër Marinovit, është e pabazë të besohet se ka tendencë që barnat e lira të ndalohen nga prodhimi në kurriz të atyre që janë më të shtrenjta. Ai veçoi mungesën e recetave gjenerike si arsye kryesore për pagesën suplementare për barnat:

Tregu është jashtëzakonisht konkurrues dhe askush nuk ta ndalojë një produkt medicinal, sidomos një produkt që është përhapur në treg prej kohësh, thjesht sepse të gjithë e dinë dhe nuk është më e nevojshme të investohet për të imponuar markën në treg. Askush nuk do ta ndalojë një produkt medicinal thjesht sepse një kompani tjetër do të përfitojë nga njohja e mirë e produktit në fjalë në treg dhe do ta lançojë menjëherë atë me të njëjtin çmim apo edhe më të ulët.

Problemi kryesor është mungesa e një zëvendësimi gjenerik.

Recetat gjenerike lejohen në Bullgari. Kjo do  të thotë se mjeku mund të përshkruajë një produkt, përafërsisht, sipas përbërësve, por në praktikë, kjo bëhet jashtëzakonisht rrallë. Kjo është arsyeja se pse ne paguajmë kaq shumë për produktet medicinale.

Në shtetet normale për ilaçet e lira, dmth. për ato pa pagesë shtesë, zakonisht fondet publike shpenzojnë më shumë se 80% të mjeteve financiare pikërisht për këto barna. Në Bullgari ka grupe barnash që janë nën 1%. Ky është një nga problemet kryesore të lidhura me aksesin.”

Kontrolli mbi dhënien e antibiotikëve mund të sigurohet me receta elektronike, theksoi eksperti:

“Nëse të gjitha recetat do të ishin elektronike, nuk do të kishte asnjë mënyrë për t'u dhënë ndonjë ilaç pa recetë, sepse numri i recetave të zbatuara do të ndryshonte automatikisht nga numri i barnave të lëshuara, i cili gjithashtu monitorohet. Kjo është mënyra për kontroll të plotë.”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Cila është procedura për marrjen e shtetësisë bullgare?

Në një publikim të mëparshëm Radio Bullgaria ju tregoi për kushtet dhe arsyet për marrjen e nënshtetësisë bullgare . Në rreshtat e mëposhtëm, do t'ju tregojmë për hapat e vetë procedurës. E para prej tyre është paraqitja e një kërkese për shtetësi..

botuar më 24-05-11 8.40.PD

Presidenti u takua me përfaqësues të bullgarëve në Kosovë

Bullgaria i kushton rëndësi të madhe kontakteve aktive me komunitetin bullgar në Kosovë, deklaroi kreu i shtetit Rumen Radev. Ai priti përfaqësues të Shoqatës për Zhvillim dhe Integrim të Bashkësisë Bullgare në Republikën e Kosovës, njoftoi qendra e..

botuar më 24-05-10 9.16.PD

BNR tashmë ka një kanal në TikTok

Nga 9 maji, Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) hyn zyrtarisht në botën e TikTok. Në kanalin e ri media do të ofrojnë video informative, por edhe argëtuese me momente nga transmetimi i të gjitha programeve. Do të tregojë prapaskenat e ngjarjeve më të..

botuar më 24-05-09 10.22.PD