Pas festimit të Ditës Ndërkombëtare të Kërcimit si koreograf i shfaqjeve franceze në Stara Zagora, artisti bullgar Hristijan Bakallov ndodhet tani në Plovdiv si “regjisor” i botës rreth nesh. Tre hapësira urbane ikonike në Plovdiv - Baza e Vozitjes, Qendra Rinore dhe kompleksi memorial “Bratska Mogilla” do të shndërrohen këtë verë në objekte të artit bashkëkohor, si pjesë e projektit të tij ndërkombëtar "PURE/ Youth". Ato do të bëhen “skena” e tre instalimeve të mëdha në të hapur dhe e dy shfaqjeve deri në fund të shtatorit.
Hristijan Bakallov është një balerin, koreograf dhe artist vizual i njohur ndërkombëtarisht i cili ka punuar me emra të mëdhenj të skenës bashkëkohore. Ai u largua nga Bullgaria në moshën 19-vjeçare për t'u bashkuar me "Baletin e Rinj të Francës" në Paris dhe për të komunikuar me publikun përmes gjuhës më universale - kërcimit. Hristijan Bakallov pranon se i është jashtëzakonisht mirënjohës fatit që për më shumë se 25 vjet ka mundur gjithmonë të realizojë atë që mbart në zemër. Gjatë shtatë viteve të fundit, ai vazhdon ta bëjë këtë, edhe me mjetet shprehëse të artit pamor dhe projektin “PURE”, i cili ka arritur të ndryshojë pamjen e qyteteve në disa kontinente.
Vetëm në 18 muajt e fundit, shiritat shumëngjyrëshe të Bakallovit, që dridhen nga era, kanë sjellë ndjenjën e lirisë dhe unitetit tek njerëzit në qytetin Turnhout (Belgjikë), shkollën në Saint-Pierre d'Albiny (Francë), Parkun e Hipodromit ( Sofje), fasada e Institutit Francez të Kulturës (Sofje) dhe ReBonkers (Varna).
Sot ato janë thurur në atmosferën e qytetit të dytë më të madh në Bullgari - Plovdiv.
“U largova shumë i ri nga Bullgaria, në vitin 1991, dhe për vite me radhë kthehesha rrallë, vetëm në verë për një javë, ose dy, dhe rreth Vitit të Ri. Dhe të them të drejtën, nuk e njihja fare Plovdivin. Vitin e kaluar më ftuan në një shfaqje në Teatrin Antik, erdha dhe vendosa të qëndroj për disa ditë. Pastaj zbulova qytetin dhe vërtetë rashë në dashuri me të. Menjëherë vendosa ta bëj projektin këtu, fola me përfaqësuesit e Komunës së Plovdivit, i dorëzova dokumentet e nevojshme dhe një vit më vonë PURE Youth Plovdiv tashmë është realitet”, tha Hristijan Bakallov para gazetares Vesella Krësteva.
Fillimi zyrtar i të gjithë projektit do të jepet më 17 maj në "xhevahirin arkitekturor" të fundit të viteve 1970, sipas fjalëve të vetë Bakallovit - kompleksi memorial "Bratska Mogilla" - një hapësirë që kalon nëpër periudha të ndryshme ngritjeje dhe harrese gjatë gjysmëshekullit të fundit - nga një vend ku të porsamartuarit bënin fotografi gjatë periudhës socialiste, në një monument kulture tërësisht të vandalizuar dhe të grabitur në fillim të shekullit. Në tre muajt e ardhshëm, PURE PLOVDIV do të përpiqet të ndryshojë funksionin e tij të dikurshëm politik në një funksion kulturor dhe social përmes artit dhe ndërveprimit social midis artistëve dhe banorëve të qytetit.
“Ky projekt ka fuqinë të përshkruajë vizualisht unitetin e të gjithë njerëzve pavarësisht nga feja, kultura, ngjyra e lëkurës dhe bindjet e tyre politike. Të gjithë ne vibrojmë në të njëjtën mënyrë në jetë, e cila personifikohet nga era. Dhe këto shirita me ngjyra që unë organizoj kanë aftësinë të vibrojnë në mënyrë kinetike me erën dhe të marrin një jetë dhe lëvizje të tyren, krejtësisht të natyrshme që as unë nuk mund ta kontrolloj. Shpresa ime është që një ditë njerëzimi të dridhet në mënyrë të ngjashme së bashku, pavarësisht nga dallimet tona, në ritmin e jetës, të dashurisë, të unitetit, të bashkimit. Sepse vetëm kështu mund të mbijetojmë së bashku. Emocioni i pranimit është ajo që na bashkon, sepse në fakt jemi të njëjtë”, tha Hristijan Bakallov për Radio Bullgarinë.
Dhe Plovdivi është vendi ideal për të kuptuar idenë e PURE, sepse është një nga qytetet më multikulturore në vend, dhe në vitin 2019 ishte edhe Kryeqyteti Evropian i Kulturës.
Hristijan Bakallov gjithashtu vë në dukje shansin e jashtëzakonshëm që ka Baza e Vozitjes për të pritur Kampionatin Botëror të Kanotazhit për meshkuj dhe femra nën 23 vjeç nga 19 deri më 23 korrik. Kështu, instalacioni do të shihet edhe nga mijëra teleshikues në mbarë botën. “Ky është projekti më i madh që kam bërë ndonjëherë dhe jam shumë i lumtur që ai po ndodh pikërisht në Bullgari”, vëren me buzëqeshje bullgari.
*Instalacionet vizuale do të mund të vizitohen nga qytetarët deri më 30 shtator.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BNR, plovdiv.bg, Facebook/Plovdiv 2019 ECOCDrama biografike 138-minutëshe e Italisë, Francës dhe Spanjës “Limonov” fitoi Çmimin e Madh për Përshtatje Mjeshtërore Letrare në Konkursin Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të gjatë Cinelibri . Favoriti u shpall nga kryetarja e jurisë, aktorja..
Pak ditë më parë në qytetin tonë të Detit të Zi Burgas u hap një hapësirë ku arti, shkenca dhe magjia i japin dorë njeri tjetrit. Mysafirët e Muzeut të ri të së Pamundshmes transportohen në botët paralele për të mësuar më shumë rreth universit...
Institucioni më i madh i arsimit të lartë në Portugali ka 252 000 studentë, 20 000 prej të cilëve janë nga kombësi të tjera. Në këtë konglomerat të veçantë kulturash, një vend të veçantë për më shumë se 30 vjet ka edhe kultura bullgare. Lektorati i..