Që nga viti 2000, në vendin tonë janë mbyllur 987 shkolla, sipas një raporti të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Arsyeja më e zakonshme për këtë është zvogëlimi i numrit të studentëve në to. Megjithatë, ekziston edhe prirja e kundërt - drejt ringjalljes së shkollave të vjetra që u mbyllën vite më parë. Një shembull i një lulëzimi të tillë mund të gjendet në komunën e Gorna Malinës, afër Sofjes, ku në fshatin Osoica, një ekip njerëzish të guximshëm dhe të motivuar po i jep një jetë të re ndërtesës së shkollës lokale, e cila ka mbetur bosh prej kohësh. Dhe kështu, prej një viti në oborr dhe korridoret e saj, dëgjohet sërish zhurma e gëzuar e fëmijëve.
“Është ndërtuar në vitin 1930 nga refugjatët bullgarë pas kryengritjes së Kresnës dhe Razllogut. Ata u vendosën në fshatin Osoicadhe ai gradualisht u rrit - Tatjana Zaharieva, drejtoresha e shkollës së ringjallur, na kthen në histori. - Si rilindës, njerëzit vendosën se shkolla e re ishte gjëja më e rëndësishme, ndaj kryetari i atëhershëm i bashkisë mori një kredi të veçantë. Dizajneri u bë një arkitekt italian, i cili solli me vete dy gurgdhendës italianë që trajnuan gurgdhendës vendas. Në ndërtimin e shkollës morën pjesë të gjithë banorët e fshatit dhe rrethinës. Pjesë e saj është edhe kulla e sahatit, e cila është monument kulture. Kur e pashë objektin, kishte 30 vjet që ishte i braktisur dhe e vetmja gjë që kishte bërë bashkia ishte ndërrimi i çatisë. Gjithçka në këtë godinë është bërë në mënyrë unike, e cila do të lejojë që shkolla të ekzistojë edhe për të paktën 200-300 vjet të tjera”, është e bindur Zaharieva.
Aktualisht shkolla është një nga 10 000 shkollat në 160 vende të akredituara për të punuar në programin ndërkombëtar të Kembrixhit, e cila i ndihmon fëmijët të mësojnë aftësi që do të përdorin gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo i mundëson asaj të shkëmbejë eksperiencë me institucione të tjera prestigjioze arsimore dhe të ofrojë një shans për realizimin e të diplomuarve të saj në çdo pjesë të planetit. Përveç programit ndërkombëtar, shkolla punon edhe në atë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me mësim të zgjeruar të gjuhës bullgare, historisë, gjeografisë dhe matematikës.
“Për ne është e rëndësishme që fëmijët të jenë të lidhur me natyrën, të kenë kohë për sport, shëtitje në male, por edhe të kenë një bazë shumë të mirë akademike mbi të cilën mund të shkelin për të ndërtuar të ardhmen përpara tyre”, shpjegoi Tatjana për Radio Bullgarinë. - Ne krijojmë njerëz, mbajmë gjallë imagjinatën krijuese të fëmijëve, në mënyrë që ata të mund të besojnë se mund të arrijnë gjithçka që ëndërrojnë”.
Për këtë kontribuojnë një sërë aktivitetesh jashtëshkollore, ndër to janë klubi teatror, grupi muzikor, gazeta shkollore. Aktualisht po ndërtohet një kuzhinë për ushqim të shëndetshëm, së bashku me konviktet ku fëmijët do të mund të kalojnë natën. Më shumë se 20 mësues - bullgarë dhe të huaj - janë gjithashtu të përfshirë në kauzën e Tatjanës.
“Po, mësuesja e muzikës është nga Kuba. Ajo quhet Irenia Vasquez. Fëmijët e adhurojnë për shkak të dinamikës në klasat e saj. Me ndihmën e saj ata krijuan një këngë për shkollën, me tekstin dhe muzikën e tyre. Ne duam të bëjmë që fëmijët nga i gjithë rajoni i Gorna Malinës të kenë radion e tyre për fëmijë” - Tatjana Zaharieva nuk i fsheh ëndrrat e saj për shkollën dhe rajonin.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Sezoni veror 2025 fillon zyrtarisht sot, 31 maj, në Pomorie . "Pomorie zë një vend të rëndësishëm në hartën turistike të Bullgarisë dhe ofron një kombinim të shkëlqyer të detit, historisë, kulturës, balneologjisë dhe SPA-së", njofton Ministria e..
Mbi 2200 fëmijë nga e gjithë Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Moldavia, Republika e Maqedonisë së Veriut, Serbia, Mali i Zi, Ukraina po marrin pjesë në Festivalin e 22-të Ndërkombëtar Etno për Fëmijë "Fëmijët e Ballkanit - me spiritualitet në..
Në prag të 1 Qershorit - Ditës së Fëmijëve, UNICEF dhe Instituti Kombëtar i Statistikave prezantojnë "Fëmijët në Bullgari: Të dhëna dhe tendenca kryesore për vitin 2024", një përmbledhje e treguesve demografikë, shëndetësorë, arsimorë dhe..
Dega e Universitetit të Ruses "Angell Kënçev" në Razgrad (Bullgaria Verilindore) realizon projekte të përbashkëta shkencore, pjesëmarrje në forume të..