Në shtator të vitit të kaluar, në korin e grave të ansamblit folklorik bullgar "Shevica" në Sofje u përfshi një djalë i ri, me tatuazhe dhe të gjitha karakteristikat e një vokalisti të një grupi kanadez heavy metal – ai hyri dhe u ul me mirësjellje pranë vajzës së fundit nga ana e alteve.
Fabrice Petty është një muzikant që la punën e ëndrrave në Kanada për të ardhur në Bullgari dhe... për të kënduar këngë popullore. Pas 9 muajsh qëndrimi në vendin tonë, Fabrice u kthye këtë verë në vendlindjen e tij në Francë, por disa ditë para fluturimit tregoi për Radio Bullgarinë se çfarë e bëri të zgjidhte vendin tonë si një vendbanim të përkohshëm.
Ai ka lindur në Francë, por ka jetuar në Kanada për 12 vitet e fundit, kështu që ka dy shtetësi franceze dhe kanadeze. Ai flet rrjedhshëm anglisht dhe frëngjisht. Flet gjithashtu japonisht, spanjisht, gjermanisht, italisht dhe portugalisht.
Jeta e tij në Kanada është e mrekullueshme - ai punon gjatë ditës, performon gjatë natës (është vokalist i grupit heavy metal “Interdrive”) dhe luan video lojëra. Për një lojtar si ai, puna e tij si menaxher i dublimit të lojës Assassin's Creed në botuesin francez të lojërave video Ubisoft është një ëndërr e realizuar. Prandaj, vendimi për të lënë Kanadanë dhe punën e tij atje nuk ishte aspak i lehtë, thotë Fabrice. Por ai kishte nevojë për një ndryshim.
"Isha mërzitur pak nga Kanadaja. Isha i lodhur nga moti i ftohtë dhe këta dimër të gjatë. E urrej të ftohtin, nuk më pëlqen bora. Prandaj ishte kaq e vështirë për mua gjatë gjithë këtyre viteve. Doja të kthehesha në Evropë, por nuk isha i sigurt nëse doja të shkoja në shtëpi në Francë apo të provoja diçka të re, kisha takuar disa njerëz në Bullgari kur isha këtu dy vjet më parë, kështu që thashë me vete: pse të mos përpiqem të shkoj në Bullgari?"
Rezulton se Bullgaria është gjithçka që nuk është Kanadaja. Moti është i butë: bie dy herë borë gjatë gjithë dimrit. Fabrice pëlqen si kryeqytetin Sofje ashtu edhe natyrën jashtë qytetit të madh. Ai shijon perimet e shijshme, ndihet shumë mirë në klimën e ngrohtë dhe në shoqërinë e njerëzve edhe më të ngrohtë të këtij vendi ballkanik. Ai bën miq - me vajzat nga kori popullor, me djemtë nga palestra, me ish-kolegët e tij në Ubisoft.
A e trondit diçka në Bullgari?
Jo, jo me të vërtetë. Një udhëtar me përvojë si Fabrice Petit nuk tronditet lehtë, përveç ndoshta nga një gjë: pop-folku. Ky stil shumë popullor muzikor, i cili është një sintezë e ritmeve ballkanike me tekste elementare dhe shpesh vulgare, zakonisht nuk pranohet mirë nga bullgarët më të arsimuar.
Por përveç pop-folkut, Fabrice nuk neglizhon asnjë gjini muzikore. Ai regjistron rregullisht versione akustike të të gjitha llojeve të këngëve në kitarën e tij - me kërkesë të ndjekësve të tij në rrjetet sociale. "Njerëzit kërkojnë një këngë dhe unë e luaj, kështu që unë në të vërtetë nuk zgjedh dhe interpretoj stile shumë të ndryshme, nga Madonna deri te roku persian i viteve '70."
A mjaftojnë 9 muaj që të fillosh të interpretosh këngë popullore bullgare? Gjatë qëndrimit të tij në Bullgari, Fabrice ka qenë i pranishëm në pothuajse të gjitha provat e korit - tre herë në javë! Kjo padyshim shpërblehet: ai tashmë njeh mjaft këngë popullore dhe madje këndoi një në studion e Radio Bullgarisë për ta vërtetuar këtë.
"Për herë të parë i takova para 2 vitesh. Mua më ka pëlqyer gjithmonë muzika popullore bullgare me kore femra, në fakt që fëmijë. Kështu që kur erdha në Bullgari, thashë me vete: "Dua shumë të dëgjoj muzikën popullore live. E kuptoni, është ndryshe nga t'i shikoj në Youtube apo t’i dëgjoj një CD, doja të shihja një performancë live."
Fabrice arriti të marrë pjesë në një provë kori dhe mbeti i magjepsur.
Ndaj, një nga gjërat e para që bëri në shtator 2023, kur erdhi në Bullgari, ishte të bashkohej me të njëjtin kor, provën e të cilit e vizitoi dy vjet më parë. Dhe nëse mendoni se është e çuditshme që një burrë të këndojë në një kor popullor të përbërë vetëm prej femrash, dijeni se në fillim Fabrice nuk ishte shumë rehat:
"Në fillim ishte pak e çuditshme, kur pashë që nuk kishte burra të tjerë, por u mësova. Pata fatin të shkoj në një koncert të korit "Misteri i Zërave Bullgarë" - ata janë shumë të njohur jashtë Bullgarisë. Dhe, sigurisht, arrita të shikoj shfaqjen e "Shevicës" në Ruse. Ishte vërtet shumë e bukur sepse pas disa muajsh këndimi me ta, më në fund arrita ta shikoja shfaqjen.
Për mua ishte shumë interesante t'i shihja të gjithë me kostumet e tyre të bukura, të vëzhgoja përgatitjen e shfaqjes, të gjithë punën që bëhet në prapaskenë. Ishte një emocion i madh të dëgjoja muzikën live sepse në skenë ka një energji tjetër. Po, jam shumë i lumtur që munda ta shoh këtë përpara se të kthehesha në Francë”.
Në Francë, Fabrice Petit ka plane të vazhdojë të studiojë muzikën tonë popullore.
Ai erdhi në Bullgari pa planifikuar se sa do të qëndronte. Nëntë muaj më vonë, kur erdhi koha për t'u kthyer në Francë, Fabrice ishte i qetë. Ai u kthye me përshtypje të shkëlqyera, pasi arriti ta zhytet në "mënyrën ballkanike të jetesës" dhe të mësojë më të rëndësishmen - si të bëjë sallatën e tij të dashur “Shopska”.
Foto: Facebook/ Fabrice Petit, arkiv personal, Elizabet Radkova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Në ditën e tetë para Pashkëve, ne festojmë Ditën e Shën Llazarit. Është e para nga tre festat kryesore të krishtera që lidhen me mrekullinë e Ringjalljes, e ndjekur nga e Diela e Palmave dhe Pashkët. Festa festohet çdo vit në data të ndryshme, por..
Dita e Arafatit është dita e fundit nga ditët e shenjta për myslimanët në muajin e Ramazanit. Në Islam, kjo është dita më fisnike e vitit, dhe lidhet me privimet e rënda 30-ditore - "agjërimin". Ngrënja e bukës dhe pirja e lëngjeve dhe e ujit bëhet vetëm..
Një kompozim skulpturor në fshatin е malit Rodopa - Shiroka Llëka lavdëron gajdexhinjtë dhe këngëtarët vendas, të famshëm në mbarë vendin dhe më gjerë. Quhet “Gajdexhiu”, dhe së fundmi në fshat u prezantua një roman me të njëjtin titull. Fshati..