Pikërisht një muaj pasi Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) kremtoi solemnisht 90-vjetorin e saj, historia vazhdon dialogun me ne, autorët e saj. Ekspozita "90 vjet Radio Kombëtare Bullgare - Radio e gjeneratave të bullgarëve" u hap me një ngjarje-takim të veçantë më 25 shkurt në hollin e mermertë të Radios Publike. U prezantua edhe numri i muajit shkurt i revistës “LIK”, kushtuar përvjetorit. Ekspozita “mbledh” jetën e radios publike në panele të mëdha, të përbëra prej fotografish dhe dokumentesh nga fondet e Agjencisë Shtetërore të Arkivave, Radios Kombëtare Bullgare dhe Agjencisë Telegrafike Bullgare (BTA).
“Me këto dy ngjarje ne kthejmë kokën pas në histori, jemi të detyruar ta bëjmë këtë kur ka një përvjetor kaq të rëndësishëm”, u tha të pranishmëve drejtori i përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare, Milen Mitev.
“Kohët në të cilat punojnë mediat sot nuk janë aspak të lehta – nga presionet buxhetore deri te luftimi i dezinformimit, kemi shumë sfida. Pikërisht në këtë moment kemi nevojë për miq më shumë se kurrë dhe më vjen mirë që së bashku me miqtë tanë mund të realizojmë këtë pamje drejt historisë. Kohët po ndryshojnë, dhe po ashtu edhe radioja kombëtare. Ajo që nuk ka ndryshuar është se që në fillim ajo ka qenë e mbushur me njerëz që kanë punuar me dëshirë dhe dashuri dhe i kanë kushtuar vëmendje në radhë të parë audiencës së tyre në përpjekje për të qenë sa më të dobishëm. Duke parë fotografitë e kësaj ekspozite, mund të shohim dokumente që ngjallin habi, krenari, hutim, madje edhe zemërim. Shohim momente dhe arritje të mira nga historia e radios, por edhe gjëra që na lënë me ndjenja shumë kontradiktore, si listat me emra të personave që zotëronin radio dhe besueshmëria e tyre. Por edhe këto gjëra që mund të na shkaktojnë pak zemërim, është mirë t'i kujtojmë, sepse nëse harrojmë historinë, jemi të dënuar ta përsërisim atë. Besoj se këto 90 vite histori janë vetëm fillimi dhe se nuk janë vitet tona më të forta. Vitet tona më të forta janë përpara!”
Ky përvjetor i Radios Kombëtare Bullgare është gjithashtu një festë e arkivave bullgare, ashtu edhe e gjithë shoqërisë, sepse aktivitetet e Radios gjatë afro një shekulli të kaluar pasqyrojnë historinë e Bullgarisë në tre epoka të tëra - vuri në dukje kryetari i Agjencisë Shtetërore të Arkivave, Prof. I Asoc. Mihaill Gruev.
Radioja publike ka qenë dhe vazhdon të jetë një model për punën e gazetarëve të gjeneratave të ndryshme, përfshirë edhe drejtorin e përgjithshëm të BTA Kirill Vëllçev, i cili rrugëtimin e tij profesional e filloi pikërisht në Bulevardin “Dragan Cankov” nr. 4.
Hapësira përpara Studios së Parë të Radios Kombëtare Bullgare u bë një studio për kolegët e BTA-së, dhe korrespondentët e Agjencisë dhe Radios Kombëtare Bullgare nga Bllagoevgrad, Varna, Veliko Tërnovo, Shkupi, Odesa, Ruse dhe Sliven.
U prezantua gjithashtu një video-bisedë ndërmjet korrespondentes së BTA Milena Ostrovska, e cila po shoqëron ekspeditën e 33-të bullgare të Antarktidës në Kontinentin e Akullit, dhe redaktores muzikore në Radion Kombëtare Bullgare Marina Velikova. Ajo u mbajt në klubin kombëtar të shtypit të BTA në bordin e anijes kërkimore bullgare "Shën Kirili dhe Metodi". Të gjithë ndanë momente personale nga “historia e tyre e radios”.
"Sot, Radioja Kombëtare Bullgare dhe Agjencia Telegrafike Bullgare po japim një shembull të bashkëpunimit mes mediave në Bullgari, sepse interesi publik e vendos bashkëpunimin përpara konkurrencës mes nesh. Unë do të doja të tërhiqja vëmendjen për dy gjëra më praktike ku nevojitet më shumë unitet, dhe veçanërisht në këto ditë. Njëra ka të bëjë me respektin e ndërsjellë mes mediave. E dyta, e cila është veçanërisht e rëndësishme në javën e miratimit të buxhetit të shtetit - të përpiqemi të ndikojmë tek politikanët dhe financimi i mediave bullgare në përgjithësi, jo vetëm i atyre publike, por edhe i atyre private, të bëhet në një mënyrë të tillë, kështu që të gjendet mënyra që gazetarët të trajtohen si mësuesit. Pasi shoqëria jonë beson drejt se mësuesit duhet të marrin një pagë pak më të lartë se mesatarja kombëtare, 125% e pagës mesatare, atëherë më duket se edhe gazetarët duhet të barazohen me mësuesit. “Sepse para inteligjencës artificiale në media duhet të kujdesemi për inteligjencën natyrore”, shprehu qëndrimin e tij kategorik Kirill Vëllçev.
Numri i shkurtit i revistës së Agjencisë Telegrafike Bullgare – “LIK”, mban titullin “BNR 90 vjet më vonë”, dhe Vëllçev e cilëson si një deklaratë dashurie për radion.
Si ekspozita, ashtu edhe revista "LIK" kujtojnë fillimin, hapat e parë të Radio Sofjes dhe radiostacioneve në vend, drejtuesit e parë, folësit dhe ekipet e radios, zhvillimin e radios gjatë dekadave të ndryshme të shekullit të 20-të.
Ekspozita do të udhëtojë dhe do të ekspozohet në ndërtesën e Arkivit Shtetëror në Sofje, e më pas në të gjitha qytetet e vendit ku ka radio stacione rajonale të Radios Kombëtare Bullgare, e më pas në qendrat kulturore bullgare jashtë vendit.
"Në Bullgari u prodhuan radio me dizajne fantastike që funksiononin pa të meta. Kjo ndodhi gjatë viteve 1930 dhe 1940. Madje në panel kishte një aparat të tillë, me një dizajn të shkëlqyeshëm”, tha për Radio Bullgarinë Ivelina Velinova, stilistja artistike e ekspozitës.
Vetëm trembëdhjetë muaj pas dekretit të lëshuar nga Mbreti Boris III më 25 janar 1935, në shkurt 1936, u krijuan edhe programet e Radios Kombëtare Bullgare për jashtë shtetit, të njohura sot si programi "Radio Bullgaria". Në fillim me transmetime në esperanto, kurse nga viti tjetër në vazhdim - me transmetime të rregullta në frëngjisht, gjermanisht, anglisht dhe italisht.
I afërti i drejtorit të parë të Radios, Sirak Skitnik, në atë kohë ishte intelektuali Petër Uvaliev, i cili drejtonte programin në italisht, i cili kujton këtë periudhë në një regjistrim të vitit 1995, të ruajtur në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare:
"Kjo radio dukej si diçka krejtësisht e pabesueshme... Kufijtë po zhdukeshin, sepse zërat tanë po fluturonin. Ne ishim djem të rinj, por po flisnim me dikë përtej. Ndërsa bota para 60 vitesh ishte ndarë në armiq, valët e radios kalonin llogoret e urrejtjes. Radioja na mësoi të mos urrejmë.”
“Nëpërmjet tregimeve në këto media, njerëzit ndërtojnë themelet dhe idetë e tyre për botën”, thotë eksperti i medias dhe kryeredaktori i revistave LIK, Prof.i Asoc. Georgi Llozanov.
"Revista LIK dhe politika e saj është një territor i kujtesës kulturore dhe Radioja Kombëtare Bullgare është një nga fenomenet e rëndësishme të kulturës bullgare, dhe rrjedhimisht e kujtesës kulturore bullgare. Radioja është një vatër kulturore shumë moderne dhe e madhe. Dhe ky numër duhet të pasqyrojë të gjitha këto fytyra të Radios Kombëtare Bullgare - kjo nuk është një detyrë e lehtë!”
Sot gëzon një nder të madh pikërisht gazetaria e shpejtë, spektakolare, lehtësisht e tretshme dhe e harrueshme. Sot ne harrojmë të kaluarën tonë dhe përsërisim gabimet e saj, por më të mëdha dhe më të tmerrshme. Dhe nëse në këngë pyesim veten "Ku është dashuria?", atëherë në gazetari pyetja është - "Ku është kujtesa?":
“Kujtesa është identitet – shpjegon Prof. I Asoc. Llozanov. -Por është e vështirë sepse ka diçka që quhet neofili (Neophile) - bota moderne i është nënshtruar urisë për diçka të re, sepse njeriu modern është një njeri i mërzitur. Ai vazhdimisht ka nevojë për imazhe, tema, ide të reja për të mbajtur vëmendjen e tij, qoftë edhe shkurt, derisa të shfaqet të tjerat. Dhe kujtesa është, në një farë kuptimi, një rezistencë ndaj këtij këndvështrimi të botës. Megjithatë, më duket se bota ka filluar të lodhet nga kjo neofili. Për më tepër, ajo ka filluar të japë rezultate politike mjaft shqetësuese në shkallë globale, kështu që unë personalisht kam ndjesinë se brezat e ardhshëm do të kenë një nevojë të madhe për një rikthim në kujtesë dhe në një revistë si kjo kushtuar Radios Kombëtare Bullgare”.
Lexoni më shumë në koleksionin e Radio Bullgarisë:
Foto: BTA, Vesella Krësteva, Elena Karkallanova, Ani Petrova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Të nderuar miq, në këtë program më parë mund të dëgjoni lajmet e fundit. Në rubrikën Kënga e ditës do t'ju kthejmë pas në kohë me këngën "Po të vdes, ose të më vrasin" nga Kostadin Gugov. Ju urojmë minuta të këndshme! 01:38 - Lajme 14:40-..
Të nderuar miq, në këtë program më parë mund të dëgjoni lajmet e fundit. Në rubrikën Kënga e ditës do të dëgjoni “Deri atje“ nga Mihaella Marinova Ju urojmë minuta të këndshme! 01:54 - Lajme 13:19 - Kënga e ditës
Të nderuar miq, në këtë program më parë mund të dëgjoni lajmet e fundit. Në rubrikën Kënga e ditës do të dëgjoni një këngë nga Dimana Mirçeva (DIA), e cila është frymëzuar nga forca e gruas bullgare për të mbrojtur dashurinë. Ajo titullohet “Është vonë“...
Të nderuar miq, në këtë program më parë mund të dëgjoni lajmet e fundit. Në rubrikën Kënga e ditës do të dëgjoni “Vrapo, o njeri i vetmuar“ nga Georgi..
Të nderuar miq, në këtë program më parë mund të dëgjoni lajmet e fundit. Në rubrikën Kënga e ditës do të dëgjoni “O moj rini e shkretë“ nga Desi Dobreva...