Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Studentët protestues në Serbi shpallin grevë të përgjithshme

Protestat e studentëve kundër qeverisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiq po vazhdojnë në Serbi për të katërtin muaj rradhazi.  Shkak për shpërthimin e protestave ishte një incident i 1 nëntorit 2024, në të cilin një tendë betoni u shemb në stacionin e trenit në Novi Sad, duke vrarë 15 persona. Tragjedia ndezi një valë pakënaqësie sociale kundër qeverisë dhe presidentit.

Parlamenti serb ka miratuar ndryshime legjislative që përgjysmojnë tarifat e studentëve, rrisin buxhetin e arsimit të lartë me 20% dhe vendosin huadhënie preferenciale për strehim për të rinjtë. Sipas kryetares së parlamentit, Ana Bërnabiç, ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë do të qetësojnë protestuesit dhe do t'i inkurajojnë ata të heqin bllokadën e mbi 60 fakulteteve, e cila filloi në fund të nëntorit 2024.

Ligji duhej të shqyrtohej më 4 mars, por atëhere shpërthyen përleshjet në sallën plenare dhe opozita hodhi bomba tymuese dhe ngriti një pankartë ku shkruhej "Serbia po ngrihet në mënyrë që regjimi të bjerë". Gjatë skenave të betejës në parlament u plagosën tre deputete.

Turqia ndërton gardh përgjatë kufirit të saj me Greqinë

Turqia do të ndërtojë një gardh 8.5 kilometra përgjatë kufirit me Greqinë për të rritur sigurinë në zonën kufitare të lumit Marica, e ngjashme me gardhin në kufirin turko-bullgar. Kështu ka deklaruar guvernatori i Edrenesë, Yunus Sezer, në një takim për çështjet e sigurisë në qytetin dhe rajonin ku takohen kufijtë e Turqisë, Bullgarisë dhe Greqisë, transmeton agjencia Ihlas Haber Ajansi, cituar nga Agjencia Telegrafike Bullgare. "Për herë të parë këtë vit, ne do të zbatojmë masa fizike për të forcuar sigurinë e kufirit tonë perëndimor me Greqinë," tha Yunus Sezer. Rrugët e patrullimit tashmë janë ndërtuar. Sipas guvernatorit, si pasojë e masave të forcuara të sigurisë përgjatë kufirit. Edrene ka pushuar së qeni një nga rrugët kritike të fluksit të migracionit. 

Gjashtë të arrestuar në Rumani për lidhje me Rusinë dhe tradhti

Drejtoria Rumune për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit ka arrestuar gjashtë persona dhe i ka akuzuar për krijimin e një grupi të krimit të organizuar dhe tradhti. Sipas prokurorëve, të gjashtë morën pjesë në krijimin e një organizate të tipit ushtarak dhe diskutuan me agjentët rusë tërheqjen e Rumanisë nga NATO dhe përmbysjen e rendit aktual kushtetues në vend, thuhet në një deklaratë për shtyp të kësaj drejtorie. Organizata drejtohej nga gjenerali 101-vjeçar në pension dhe veterani i luftës Radu Teodoru, raporton Radio Romania International. Në janar, dy nga të pandehurit udhëtuan për në Moskë, ku ranë në kontakt me njerëz të gatshëm për të mbështetur përpjekjet e organizatës për të marë pushtetin në Rumani.

Qiproja pret verë të vështërë me thatësirë

Muaji më kritik për bilancin e ujit të Qipros dhe i fundit me mundësi më të larta shiu - shkurti, përfundoi me një nivel rekord të ulët reshjesh, raportoi korrespondentja e BNR në Qipro Branisllava Bobanac, duke cituar të dhëna nga Shërbimi Meteorologjik. Reshjet në shkurt janë vetëm 41% e mesatares së muajit. Sasia e tyre është rritur, por jo e mjaftueshme, krahasuar me muajin janar, kur arritën vetëm 17% të shumës së zakonshme për muajin. Ministria e Mjedisit ka paralajmëruar qytetarët për një verë të vështirë për shkak të mungesës së ujit dhe thatësirës, pasi rezervat ujore në vend mbeten “dramatikisht të ulëta”.

Saranda fitoi çmimin e bronztë “Green Destinations” në Berlin

Bashkia shqiptare e Sarandës fitoi çmimin e bronztë “Green Destinations” në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit të këtij viti në Berlin (ITB Berlin 2025), njoftoi BTA, duke cituar agjencinë shqiptare ATA.

"Ky çmim konfirmon angazhimin e qytetit tonë për turizmin e përgjegjshëm, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e natyrës dhe klimës. Një arritje që na motivon të vazhdojmë drejt një të ardhmeje më të gjelbër", theksoi kryebashkiaku i Sarandës, Oltion Çaçi.

Ai vuri në dukje se Shqipëria u paraqit jashtëzakonisht mirë përpara 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të biznesit.

Përpiloi: Miglena Ivanova
Foto: apnews.com vreme.com, yenisafak.com, orademedias.ro, in-cyprus.philenews.com 
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Më shumë nga rubrika

Si e “çimentoi” mocioni i tretë radhazi i mosbesimit qeverinë e pakicës në Bullgari

Opozita është gati të paraqesë një mocion të ri mosbesimi, të tretën radhazi. Dy të parët, kujtojmë, ishin të pasuksesshme. I pari u iniciua nga "Vëzrazhdane" me temën "dështimi në politikën e jashtme të shtetit", ndërsa i dyti ishte i partisë MEÇ me..

botuar më 25-05-15 5.00.PD
Presidenti Rumen Radev

Çfarë po “thotë” presidenti me propozimin e tij për një referendum mbi futjen e euros në vendin tonë?

Më 12 maj 2025, Presidenti bullgar Rumen Radev nënshkroi një propozim drejtuar Asamblesë Kombëtare për të mbajtur një referendum kombëtar me pyetjen: "A jeni dakord që Bullgaria të miratojë monedhën e vetme evropiane "euro" në vitin 2026?"...

botuar më 25-05-13 1.15.MD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Më 18 maj rumunët do të votojnë sërish për president George Simion dhe Nicushor Dan janë dy kandidatët që do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani më 18 maj. Simion, kandidati i partisë nacionaliste “Aleanca për..

botuar më 25-05-10 7.05.PD