Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ekspozita foto-dokumentare kujton personalitetin dhe veprën e Ekzarkut Stefan I Bullgar

Monumenti i Ekzarkut Stefan I në Shiroka Llëka
Foto: BGNES

Një ekspozitë interesante në Kuvendin Popullor në Sofje prezanton jetën dhe veprën e Ekzarkut Stefan I Bullgar - një figurë kozmopolite që hyri në histori si luftëtar i distancimit të priftërinjve nga jeta politike, dhe si një nga shpëtimtarët e hebrenjve bullgarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të cilën iu dha titulli "I drejt i botës". Ai ishte udhëheqësi i fundit i Ekzarkisë  Bullgare – forma në të cilën ekzistonte Kisha Ortodokse Bullgare pas arritjes së pavarësisë kishtare brenda Perandorisë Osmane në 1870 deri në vitin 1953. Ekzarku Stefan udhëhoqi klerin për katër vjet - nga 1945 deri në 1948, pas së cilës ai u rrëzua nga autoritetet komuniste dhe u internua në fshatin Banja, ku jetoi deri në vdekjen e tij në 1957.

Shtëpia e lindjes së Ekzarkut Stefan I në Shiroka Llëka

Emri laik i ekzarkut Stefan I Bullgar (1878–1957) është Stojan Popgeorgiev Shokov. Ai lindi në fshatin e malit Rodopa, Shiroka Llëka, studioi në Akademinë Teologjike të Kievit dhe jepte mësime në Seminarin Teologjik të Sofjes "Shën Ivan Rillski". Në Bullgari, Arkimandriti Stefan zhvilloi veprimtari aktive publike dhe kishtare dhe u ngrit në hierarkinë kishtare. Në vitin 1921 u shugurua ipeshkëv i Marcianopolis dhe një vit më vonë u zgjodh Mitropolit i Sofjes.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht se ishte i afërt me Pallatin dhe qeverinë, Ekzarku Stefan I nuk ndante orientimin pro-gjerman të autoriteteve dhe ishte një paqeruajtës i bindur. Ai shkruante dhe mbante qindra predikime, fjalime dhe artikuj të botuar në botime të ndryshme bullgare dhe të huaja. Ai ishte një nga mbrojtësit e dalluar të hebrenjve bullgarë, duke refuzuar të pranojë përpjekjet për t'i përndjekur dhe për t’i privuar nga të drejtat e tyre.

Ekzarku Stefan dhe Mbreti Boris III, 1942

Në predikimin e tij në Kishën “Shën e Diela” më 24 maj 1943, Ekzarku Stefani deklaroi: “Kushdo që sulmon një hebre bullgar, unë do të shqiptoj anatemën nga kjo foltore”. Po atë ditë, ai i shkroi një letër Mbretit Boris III, duke i kujtuar: "Mos persekutoni nëse nuk doni të persekutoheni. Me çfarëdo mase që të paguani, me këtë masë do t'ju shpërblehet. Mbaj mend, Boris, Zoti po i shikon veprat tuaja nga qielli." Dhe shton se vendimi i qeverisë për Ligjin e Mbrojtjes së Kombit bie ndesh me ligjet dhe parimet e Kishës së Shenjtë Ortodokse.

Ekspozita "Ekzarku - Shpëtimtari dhe fëmijët e shpëtuar" kujton të gjitha këto momente të rëndësishme në historinë personale të Ekzarkut Stefan I Bullgar. Fillimisht u prezantua në vendlindjen e klerikut - fshatin Shiroka Llëka, dhe pas kësaj për disa ditë edhe në ndërtesën e Kuvendit Popullor të Bullgarisë me ndihmën e deputetit nga rrethi i qytetit Smoljan, Dr. Krasimir Sëbev.

Krasimir Sëbev

"Ka shumë për të mësuar rreth gjërave që kanë ndodhur në Bullgari. Dhe ne duhet të jemi vërtet krenarë që ne bullgarët po ndjekim një histori që do të vazhdojë në të ardhmen. Pra, ky është fillimi i një nisme të tillë, së bashku me Vatrën e Kulturës “Shiroka Llëka”, e cila mban emrin e Ekzarkut Stefan, dhe Ministrinë e Kulturës"- theksoi Krasimir Sëbev për Radio Bullgarinë dhe shtoi se shumë të dhëna për jetën dhe veprën e Ekzarkut Stefan I mund të zbulohen në Vatrën e Kulturës në Shiroka Llëka, ku ruhen rreth 600 faqe kushtuar atij.

"Mund të citohen shumë episode për të ilustruar pikëpamjet e tij vërtet humaniste dhe, në veçanti, ndjenjat e tij ndaj hebrenjve", tha shkrimtarja Lea Koen, e cila ishte ndër të ftuarit në hapjen e ekspozitës. 

Lea Koen

"Kjo ekspozitë është shumë e vogël për personalitetin e madh të Ekzarkut Stefan I - një intelektual i madh bullgar që nuk përshtatej vetëm me kishën - kujtoi Lea Koen dhe theksoi një aspekt tjetër: – Që në vitin 1940, në shtator, kur u paraqit Projektligji për Mbrojtjen e Kombit, ai mobilizoi Sinodin dhe i dërgoi Kuvendit Popullor letrën e parë protestuese kundër këtij ligji. Pikëpamjet dhe politikat e tij ishin jashtëzakonisht të qëndrueshme dhe konsekuente.”

Përveç paneleve me informacione për veprën e klerikut, ekspozita përfshin edhe piktura të krijuara nga hebreja bullgare Rivka Uziell: 

Rivka Uziell

"Unë linda në vitin 1938 dhe isha fëmijë gjatë luftës. Dhe atëherë, kur ishte më e vështira, ky ekzark tha: "Unë nuk jap hebrenjtë!". Bullgaria ishte i vetmi vend, hebrenjtë e të cilit nuk shkonin në kampe - këtë nuk mund ta harrojmë kurrë! Ne i jemi shumë mirënjohës popullit bullgar. Kur themi në Izrael se jemi nga Bullgaria, dëgjojmë - "këta janë njerëz të veçantë, ata duan dhe dinë të jenë miq" -  nuk e fshehu emocionin e saj piktorja e lindur në qytetin Jamboll, Rivka Uziell. Sot ajo jeton në qytetin izraelit Rehovot, ku krijon piktura me ngjyra si jeta, duke përfshirë rërën e zezë nga Deti i Zi bullgar:

"Ne ishim në Pomorie gjatë luftës, m'u kujtua se kishte rërë të zezë. Shkova, e kërkova, e gjeta dhe çdo punë e mia e ka këtë rërë, që më kujton se jam në Bullgari. Ky është vendi im në zemër."


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BTA, parlament.bg, royalbulgariaincolour.com, Facebook / Arkivi Shtetëror - Smoljan




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Festivali i Kukerave në Shiroka Llëka largon të keqen dhe sjell shëndet dhe begati

Festivali i Kukerave "Pesponedellnik", i cili zhvillohet në Shiroka Llëka të dielën e parë të marsit, shënon fundin e dimrit dhe fillimin e pranverës. Më pas, nën tingujt e kambanave kryhet një rit për të larguar të keqen. “Këtë vit, mijëra..

botuar më 25-03-02 7.30.PD

Qendrat për Integrim dhe Arsim Gjithëpërfshirës janë hapur në Pesë Bashki të Vogla

Pesë qendra për shërbime arsimore, sociale dhe shëndetësore do të hapen në vendbanime të vogla në kuadër të programit "Promovimi i barazisë: Shëndeti dhe arsimi gjithëpërfshirës për të gjithë - THIRRJE 2", financuar nga Programi i Bashkëpunimit..

botuar më 25-03-01 6.10.PD

Shënojmë Ditën Botërore të Sëmundjeve të Rralla

Me iniciativën e Bashkimit Evropian dhe të Organizatave të Pacientëve për Luftën kundër Sëmundjeve të Rralla, ditën e fundit të shkurtit po fokusohemi tek personat që jetojnë me një sëmundje të rrallë. Po organizohen fushata shqaruese për të rritur..

botuar më 25-02-28 1.22.MD