Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Studentët bllokuan hyrjet e Radio Televizionit të Serbisë


Studentët dhe qytetarët kanë bllokuar hyrjet e Radio Televizionit Kombëtar të Serbisë (RTS) tashmë 12 ditë në shenjë proteste kundër mënyrës se si media kombëtare po prezanton trazirat sociale pas tragjedisë në Novi Sad. Ju kujtojmë se studentët në Serbi po protestojnë në forma të ndryshme në vazhdim të disa muajve, pasi më 1 nëntor 2024 u rrëzua tenda e stacionit të trenit në Novi Sad, duke vrarë 16 persona. Sipas protestuesve, tragjedia u shkaktua nga praktikat korruptive që çuan në riparime me cilësi të dobët të stacionit.

Bllokada e RTS-së, e cila filloi më 14 prill, po pengon shumë punën e gazetarëve, njoftoi vetë media. Ajo u detyrua ta ndryshojë skemën e saj programore, por vazhdon të transmetojë programe informative dhe kulturore. Pak ditë më parë, deputetët e opozitës i paraqitën një kërkesë komisionit parlamentar të kulturës dhe informacionit për të zhvilluar zgjedhje të reja të anëtarëve të Këshillit të Autoritetit Rregullator për Median Elektronike. Kryetarja e Parlamentit Ana Brnabić njoftoi se një procedurë e tillë do të nisë të hënën, më 28 prill. "Bllokimi i RTS-së është një krim sipas Kodit Penal - kushdo që pengon dhe ndërhyn në mënyrë të paligjshme në transmetimin e programeve radiotelevizive do të dënohet me gjobë ose burgim deri në një vit", kërcënoi Brnabić në një intervistë për Radio Televizionin Pink.

Një tërmet me magnitudë 6.2 ballë e trondit Turqinë


Një tërmet i fortë me magnitudë 6.2 ballë të shkallës Rihter tronditi Turqinë Perëndimore më 23 prill. Epiqendra ishte në rajonin e Stambollit dhe Detit Marmara. Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës, Gjeodezisë dhe Gjeografisë në Akademinë Bullgare të Shkencave, kjo është ngjarja më e fortë në këtë rajon në 10 vitet e fundit. Qindra lëkundje të tjera më të dobëta u regjistruan pas tërmetit kryesor. Nuk ka raportime për viktima si pasojë e tërmetit. Disa ndërtesa në Stamboll u prekën lehtë, nuk pati dëme në infrastrukturë. Por kataklizmi shkaktoi panik të madh në mesin e popullsisë dhe mbi 150 njerëz u plagosën ndërsa përpiqeshin të shpëtonin veten duke u hedhur nga një lartësi. Mbi 51 000 qytetarë kërkuan strehim natën pas tërmetit dhe u vendosën në xhami, shkolla dhe konvikte lokale, raportoi BTA.

Tërmeti i mëparshëm i fortë në Turqi ndodhi në vitin 2023 me epiqendër në distriktin Kahramanmaraş në pjesën jugore të vendit. Ai ishte me një magnitudë 7.7. Mbi 53 000 njerëz vdiqën dhe mbi 107 000 u plagosën.

Shoferët boshnjakë të kamionëve kërcënojnë me bllokada për shkak të mungesës së mbështetjes shtetërore


Mbi 500 kamionë kaluan nëpër kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, të hënën me bori të ndezura. Kështu, ata shprehën pakënaqësinë e tyre me mungesën e mbështetjes shtetërore për sektorin e transportit të mallrave në vështirësi, raportoi BTA. Shoferët kërcënuan se do të bllokonin kufijtë nëse nuk do të merrnin mirëkuptim nga ana e autoriteteve.

Rreth 47 000 njerëz në Bosnje dhe Hercegovinë janë të punësuar në transport. Sipas Velibor Peulić, koordinatorit kryesor të konsorciumit Logistika, i cili bashkon rreth 600 kompani, problemi kryesor për sektorin është kufiri i qëndrimit në BE prej 90 ditësh brenda çdo 180 ditësh për shoferët boshnjakë. Kjo po i detyron shumë kompani të riregjistrohen në Kroaci dhe Slloveni, të cilat janë anëtare të BE-së, dhe shumë shoferë boshnjakë po largohen nga vendi. "Ne nuk jemi terroristë, ne thjesht po bëjmë punën tonë", tha Peulić. Transportuesit po bëjnë gjithashtu presion për dixhitalizimin e sektorit dhe për një ulje të kohës për kontrollin kufitar të një automjeti.

Nëse nuk arrihet marrëveshje deri në fund të javës, shoferët planifikojnë të bllokojnë kufijtë e Bosnjës dhe Hercegovinës më 28 prill.

Një udhëtim me tren me avull në malet Maramureș është një atraksion turistik në Rumani


Një tren me avull që punon me dru po tërheq mijëra turistë në malet Maramureș në pjesën veriore të vendit, raportoi Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT). Hekurudha me binarë të ngushtë e vitit 1932, e cila është e fundit nga linjat e vjetra pyjore në Rumani, shkon përgjatë një itinerari prej 46 km. përmes Parkut Natyror Maramureș. Treni i vjetër i kthen pasagjerët pas në kohë dhe i bën ata të përjetojnë një udhëtim të ngjashëm me ato të pothuajse një shekulli më parë, kur u prodhua lokomotiva.

Linja e trenit me avull fillon nga stacioni hekurudhor Vișeu de Sus, i cili funksionon që nga viti 1930. Në kilometrin e 21-të, treni ndalet në stacionin Paltin, ku turistët kanë kohë të mjaftueshme për një piknik ose një shëtitje të shkurtër përpara se të kthehen në pikën e fillimit. Linja hekurudhore përdoret për transportimin e drurit në Qarkun Maramureș dhe ndodhet pranë kufirit me Ukrainën.

Përpiloi: Miglena Ivanova

Foto: BGNES, Reuters, mocanita-maramures.com

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva

Më shumë nga rubrika

Ministrja Temenuzhka Petkova

Sipas Ministrit të Financave, Presidenti po merr rolin e udhëheqësit të opozitës

Presidenti Rumen Radev ka qenë prej kohësh i përfshirë në jetën politike të vendit dhe tani dëshiron të marrë rolin e udhëheqësit të opozitës. Kështu deklaroi Ministrja e Financave Temenuzhka Petkova në Tërgovishte. "Pas gati katër vitesh qeverisjeje..

botuar më 25-04-25 6.06.MD

PP vuri në dukje korrupsionin si një tipar dallues të kabinetit në 100 ditët e para të qeverisjes

“Po e vazhdojmë ndryshimin" (PP) theksoi korrupsionin si një nga mangësitë kryesore të qeverisjes njëqind ditësh të GERB-it, “BSP – E majta e bashkuar” dhe “Ka një popull tillë” (ITN). Partia nuk heq dorë nga vota e mosbesimit pas marrjes së raportit..

botuar më 25-04-24 5.44.MD
Hrusto Grozev

Gazetari Hristo Grozev: Për Moskën, lufta hibride është një ideologji dhe një industri

Për Rusinë, lufta hibride është një ideologji dhe një industri, këtë e deklaroi gazetari investigativ Hristo Grozev para eurodeputetëve nga komiteti special për mbrojtjen e demokracisë evropiane. Grozev mori pjesë online në takimin, i cili diskutoi..

botuar më 25-04-23 10.34.PD