Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kurban për Shën Gjergjin në kishëzën "Shën Gjergji" në qytetin Pirdop

Ushqimi që ndahet me të tjerët në traditën ortodokse është shenjë falënderimi dhe përulësie para Zotit

Foto: Gergana Mançeva

Tradita ortodokse bullgare përcakton që në ditët e festave të mëdha të krishtera të bëhet një dhurim vullnetar, i quajtur gjithashtu kurban. Në thelb, kjo është shpërndarja e ushqimit ndërmjet të krishterëve, ushqim që ka një qëllim të veçantë lutjeje. Teologët shpjegojnë se rrënjët e kësaj tradite janë nga flijimet në Dhiatën e Vjetër, nga koha para Krishtit, dhe vetë fjala rrjedh nga gjuha hebraike biblike. Kisha Ortodokse e pranon kurbanin vetëm si një mënyrë të jashtme për të shprehur falënderim ndaj Zotit për një mirësi të bërë. Më së shpeshti, kurbani si një akt dhurimi shpërndahet në ditët e festave të kishave dhe manastireve. Disa të krishterë japin kurbanin e tyre si shenjë mirënjohjeje për kapërcimin e ndonjë fatkeqësie personale, apo edhe si një akt lutjeje për ruajtjen e shëndetit të familjes. Kurbanët që përgatiten gjatë periudhave të agjërimit bëhen vetëm me ushqime të lejuara për agjërim. E përbashkëta është që ushqimi mund të shpërndahet vetëm pasi të jetë bekuar nga një shërbestar kishtar.

Një festë e madhe si 6 maji – Dita e Shën Gjergjit – nuk kalon pa përgatitjen e kurbanit në të gjitha kishat ortodokse që mbajnë emrin e shenjtorit. Ushqimi zakonisht përgatitet nga mish qengji ose deleje, siç e kërkon tradita për këtë ditë.

Në mëngjesin e hershëm të 6 majit shkojmë në kishëzën “Shën Gjergji”, që ndodhet në periferi të qytetit malor Pirdop. Dhjetëra njerëz vijnë për Shën Gjergj nga qytetet dhe fshatrat përreth. Kjo traditë ruhet këtu prej shekujsh, për çka dëshmon edhe një kryq i vjetër, i mbetur që nga koha para se Bullgaria të binte nën sundimin osman. Çdo vit për këtë festë dhurohen nga dy dele për kurbanin e Shën Gjergjit.

Ilija Gërkov është ndër njerëzit më të respektuar në qytetin Pirdop. Ai është 91 vjeç, por ende gjen forcë të ndihmojë në përpunimin e mishit dhe përgatitjen e kurbanit. Edhe tani, ai udhëheq grupin e ndihmësve që ka për detyrë të përgatisë kurbanin më aromatik dhe më të shijshëm për besimtarët.

“Njerëzit më thërrasin t’i ndihmoj edhe kur bëjnë kurbane private për shëndet, por gjithmonë për Shën Gjergj. Që kur mbaj mend, në oborrin e kishëzës gjithmonë kemi bërë kurban me mish deleje dhe gjithmonë janë mbledhur shumë njerëz,” – thotë baj Ilija dhe vazhdon:

“Tani delet i sjellin të therura, por dikur, kur isha i ri, unë vetë i therja delet këtu në oborr. Fillimisht kam filluar punë në ‘Rodopa’ (një ndërmarrje për përpunimin e mishit që sot nuk ekziston). Kam punuar atje 15 vjet, dhe më pas edhe 20 vjet të tjera kam qenë kasap në një dyqan. Pasi dola në pension, njerëzit filluan të më thërrisnin të ndihmoja me therjen e kafshëve. Një mjeshtër i vjetër, xha Deço Brëmbev, më mësoi këtë zanat. Por tashmë prej 21 vitesh merrem me këtë punë në qytet.”

Sekreti i një kurbani të shijshëm, përveç mishit të freskët, fshihet edhe te përbërësit e gjellës festive. Çfarë vendoset në kazanët e mëdhenj, para se të fillojë të vlojë uji në to? – receta është e mjeshtrit të vjetër Ilija Gërkov:

“Në një kazan shtohen nga dy kilogramë gjalpë lope shtëpie, i skuqur paraprakisht, që të mos ketë shijen e gjalpit të papërpunuar. Pastaj shtohet qepa dhe skuqet në gjalpin e shkrirë. Shtojmë miell, piper të kuq dhe, pasi edhe ato të jenë skuqur pak në gjalpin e nxehtë, shtojmë ujin dhe mishin. Për erëza vendos nenexhik dhe majdanoz që në fillim. Pas kësaj, kjo sasi duhet të ziejë të paktën katër orë në kazanët e mëdhenj. Kushdo që dëshiron të mësojë këtë zanat, duhet të pyesë shumë që të mësojë të gjitha hollësitë,” shpjegon ai.

Nuk janë vetëm erëzat ato që i japin shijen gjellës – e rëndësishme është edhe ena në të cilën gatuhet ushqimi, shpjegon Ilija Gërkov:

“Kurbani duhet të përgatitet në një enë prej bakri. Kurrë nuk mund të marrë atë shije të mirë në një enë prej argjendi gjerman (një aliazh) siç merr në bakër. Duhet një kazan prej bakri. Edhe gatimi në sasi të madhe është një nga sekretet për një kurban të mirë.”

Foto: Gergana Mançeva, Bashkia Pirdop, pixabay, Selo.bg
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Iva Krumova dhe Anabell Casaboff (djathtas)
foto: Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit

Anabell Casaboff, një balerinë nga Buenos Aires, e dashuruar me vallet popullore bullgare

Anabell Casaboff është një nga mijëra pasardhësit e bullgarëve në Argjentinë që nuk flasin gjuhën e gjyshërve të tyre, por Bullgaria është çdo ditë e pranishme në jetën e tyre. Ajo është një balerinë e mrekullueshme, kërcen dhe jep mësim baletin klasik, por..

botuar më 24-11-17 8.55.PD

Kur shijet gastronomike udhëtojnë nëpër kohë - turet e kuzhinës po bëhen gjithnjë e më të njohura tek të rinjtë në vendin tonë

Thonë se për të njohur një vend duhet jo vetëm ta shohësh me sy, por edhe ta shijosh. Çdo fshat bullgar, çdo qytet apo rajon ka frymën dhe aromën e vet specifike. Një nga mënyrat për t'i njohur janë rrugët gastronomike, të cilat po fitojnë popullaritet të..

botuar më 24-11-03 8.35.PD

Fabrice Petit - një muzikant i huaj i dashuruar me muzikën folklorike bullgare

Në shtator të vitit të kaluar, në korin e grave të ansamblit folklorik bullgar "Shevica" në Sofje u përfshi një djalë i ri, me tatuazhe dhe të gjitha karakteristikat e një vokalisti të një grupi kanadez heavy metal – ai hyri dhe u ul me..

botuar më 24-10-06 8.35.PD