Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Kryebashkiaku i pavarur i Bukureshtit është Presidenti i ri i Rumanisë 



Nikuşor Dan fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani. Me një pjesëmarrje zgjedhore prej 64,7 % më 18 maj, ai mori 53,6% të votave. Kundërshtari i tij, kandidati ekstremist i djathtë Xhorxhë Simion, mori 46,4% të votës. 

Simion, i cili në raundin e parë kryesonte me mbi 20 %, kontestoi humbjen në Gjykatën Kushtetuese me arsyetimin për ndërhyrje të huaj në zgjedhje nga Franca, Polonia, Moldavia dhe Spanja. Magjistratët e hodhën poshtë ankesën. 

Betimi i Nikuşor Dan para parlamentit rumun është caktuar për më 26 maj.

 Ai deklaroi se do të dëshironte që katër partitë pro-perëndimore të formonin një qeveri nën drejtimin e Presidentit të përkohshëm aktual Ilië Bolozhan. Kreu i ri i shtetit u deklarua për uljen e deficitit buxhetor në 7,5% dhe kundër dërgimit të ushtarëve rumunë në Ukrainë. 

Për shkak të migrimit dhe lindshmërisë së ulët, të rinjtë në Turqi po pakësohen 



Sipas të dhënave të Institutit Turk të Statistikave (TÜİK), deri në vitin 2024, njerëzit në moshën midis 15 dhe 24 vjeç përbëjnë 14,9% të popullsisë së Turqisë. Kjo është përqindja më e ulët në 84 vitet e fundit, raportoi TRT Haber. Në grupmoshën e përmendur, 51,2% janë meshkuj dhe 48,8% - femra. Pjesa më e madhe e të rinjve gjendet në qarqet Hakkari, Şırnak dhe Siirt – mbi 20%. Më pak, rreth 12%, janë të rinjtë në qarqet Balıkesir, Muğla dhe Ordu. Parashikimet janë se për shkak të rënies së lindshmërisë dhe migrimit të madh nga vendi, popullsia e re do të vazhdojë të bjerë. 

Po sipas TÜİK, mbi 6,7 milionë shtetas të rinj turq, ose ¼ e popullsisë midis 15 dhe 34 vjeç, as nuk punojnë dhe as nuk studiojnë. 

SHBA shfaq interes të vonuar për menaxhimin e porteve greke 

Porti i Pireut

Botimet ekonomike në Greqi raportojnë për interes të fortë të SHBA-së për investime në portet greke. Uashingtoni po ushtron presion ndaj Athinës për të marrë kontrollin mbi 3 porte greke. Këto janë Pireu, ku operator është gjiganti kinez COSCO. Edhe më i ndërlikuar është rasti me portin e Selanikut. Paketa kryesore e aksioneve atje është në pronësi të Ivan Savvidis – rus me origjinë greke, ish-deputet i partisë së Kremlinit "Rusia e Bashkuar". Për Selanikun, amerikanët mund të presin vetëm aksionet shtetërore në port, të cilat janë vetëm 7%, komentojnë ekspertët. Vazhdojnë interesimet e Uashingtonit edhe për portin Aleksandrupolis. 

Gazeta "Kathimerini" komenton se po zhvillohet një luftë ekonomike jozyrtare mes SHBA-së dhe Kinës për portet greke, raporton korrespondentja e BNR në Greqi Katja Peeva. 

Shqipëria shënon përparim në negociatat për anëtarësim në BE 



Tirana hapi grupin e tretë të negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, njoftoi agjencia ATA. Lajmi u shpall në Konferencën e Pestë Ndërqeveritare Shqipëri – BE. Delegacioni shqiptar në Bruksel kryesohet nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani. Grupi përfshin 8 drejtime kyçe – doganat, transformimin digjital dhe mediatik, taksimin, politikën ekonomike dhe monetare, politikën sociale dhe punësimin, ndërmarrjet dhe politikën industriale, shkencën dhe veprimtarinë kërkimore, arsimin dhe kulturën. 

Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe në qershor 2014 mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Komisioni Evropian zhvilloi konferencën e parë ndërqeveritare me vendin në korrik 2022. Që atëherë Tirana po shënon përparim të shpejtë në negociatat për anëtarësim. 

Maqedonia e Veriut arriti marrëveshje për kredi investimi britanike prej 6 miliardë euro 



Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandër Nikolloski, nënshkroi në Londër me Ministrin britanik të Ekonomisë, Gareth Thomas, një Marrëveshje për bashkëpunim politik dhe ekonomik me Mbretërinë e Bashkuar. Shkupi merr një linjë krediti prej 6 miliardë euro për financimin e projekteve kapitale, raportoi MIA. “Tashmë kemi tre projekte të gatshme – për linjën hekurudhore me shpejtësi të lartë përgjatë Korridorit nr. 10, për ndërtimin e spitaleve dhe për krijimin e Fakultetit të Mjekësisë. Në periudhën e ardhshme do të kërkojmë projekte të reja në sektorin e energjisë dhe mjedisit”, tha Nikolloski. 

Opozita kritikoi se me kredinë e re, borxhi publik do të kalojë 115% të PBB-së së vendit. Kryeministri Kristijan Mickoski hodhi poshtë kategorikisht spekulimet se në këmbim të kredisë Maqedonia e Veriut do të pranojë emigrantë nga Mbretëria e Bashkuar. 

Përpiloi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Foto: BGNES, TURKSTAT, Facebook /Piraeus Port Authority, ec.europa.eu, Facebook /British Embassy Skopje

Më shumë nga rubrika

Ngjarjet me adresë ballkanike

Më 18 maj rumunët do të votojnë sërish për president George Simion dhe Nicushor Dan janë dy kandidatët që do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani më 18 maj. Simion, kandidati i partisë nacionaliste “Aleanca për..

botuar më 25-05-10 7.05.PD

Georg Georgiev u takua me komunitetin bullgar në Uashington

“Roli juaj në zhvillimin e marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe Shteteve të Bashkuara është thelbësor. Është një nder për mua të jem midis jush në këtë festë veçanërisht të rëndësishme për Bullgarinë – Ditën e Trimërisë dhe Ditën e Ushtrisë Bullgare.” Me..

botuar më 25-05-08 8.59.PD
Kryeministri bullgar Rosen Zheljazkov

Kryeministri bullgar përgëzoi kancelarin e sapozgjedhur gjerman

Me përpjekje të koordinuara, ne vazhdojmë të punojmë për unitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian, thuhet në mesazhin e urimit të Kryeministrit Rosen Zheljazkov drejtuar Kancelarit të ri gjerman Friedrich Merz. Në urimin drejtuar..

botuar më 25-05-07 10.20.PD