Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bullgaristika rikthehet në hartën akademike të Amerikës

Konsulli i përgjithshëm në Çikago: Duam të ringjallim interesin për gjuhën bullgare këtu

Foto: FB/BulgarianConsulateChicago

Nga fillimi i vitit shkollor 2025/26, gjuha bullgare, historia, folklori dhe traditat do të bëhen pjesë e programit të bullgaristikës në një nga universitetet më prestigjioze në SHBA – Universiteti i Illinois-it, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Bullgaristika ka pasur tradita përtej Oqeanit, të ndërprera me fillimin e ndryshimeve demokratike në vendin tonë. Në dekadat e fundit, mësimi i gjuhës bullgare ka qenë prioritet kryesor i shkollave të së dielës, ku mësojnë fëmijët e emigrantëve bullgarë që duan të ruajnë lidhjen me gjuhën amtare dhe atdheun.

"Gjatë Luftës së Ftohtë ka pasur mbi 10 universitete në Amerikë ku mësohej gjuha bullgare, por menjëherë pas ndryshimeve tek ne, interesi gradualisht ra dhe u arrit në një pikë ku në asnjë universitet këtu nuk mësohej gjuha bullgare. Dhe një lektorat i ri për gjuhën bullgare nuk është hapur që nga fundi i viteve ’70 dhe fillimi i viteve ’80 të shekullit të kaluar", shpjegon për Radion Bullgaria konsulli i përgjithshëm i vendit tonë në Çikago, Svetosllav Stankov.

Qyteti i tretë më i madh në SHBA, në shtetin e Illinois-it, ka strehuar komunitetin më të madh bullgar përtej Oqeanit – aty afro 100 mijë bashkatdhetarë tanë kanë ndërtuar jetën e tyre, gjë që do të ndihmojë në promovimin e programit të ri të bullgaristikës në universitetin prestigjioz vendas. Megjithatë, pritet që interes të tregojnë edhe të rinj nga kombësi të ndryshme, të cilët janë kuriozë për Bullgarinë dhe gjuhën tonë.
Svetosllav Stankov
“Për mua më e rëndësishmja ishte që kishte ende gjurmë të bullgaristikës në Universitetin e Illinois-it – ai është në Top 10 universitetet e botës për shkencat inxhinierike, dhe aty gjeta miq shumë të mirë të Bullgarisë – ata e kanë vizituar vendin tonë dhe kanë kujtime të mrekullueshme, si edhe përshtypje shumë të mira nga pedagogët e fundit të gjuhës bullgare. Gjithashtu, fakti që universiteti ndodhet vetëm dy orë larg nga Çikago dhe që atje studiojnë shumë fëmijë bullgarë të lindur në Amerikë, më shtyu ta zgjedh për këtë nismë. Më pritën shumë ngrohtë dhe për më pak se dy vjet arritëm të kalonim nga një faqe e bardhë deri te shpallja zyrtare e një procedure për pedagog.”

Konsulli i përgjithshëm bullgar shprehu mirënjohje të veçantë ndaj Prof. John Randolph – drejtor i Institutit të Sllavistikës në universitet. Ai është ndër mbështetësit kryesorë të nismës dhe ndihmoi me kontakte, me përfaqësues të departamenteve të ndryshme, nga të cilët kërkohet miratim për përfshirjen e një lënde të re në planin mësimor.

“Çikago dhe periferitë e tij janë shtëpia e komunitetit më të madh bullgar në Amerikë. Këtu ka 13 shkolla të së dielës, disa qendra kulturore, artistë, shkrimtarë, piktorë, disa ansamble të valleve popullore. Prandaj, ideja është që në universitet të mos mësohet thjesht gjuha bullgare, por bullgaristikë – e cila përfshin elemente të ndryshme nga folklori dhe kultura jonë. Pra, studentët me prejardhje bullgare ose amerikanët që duan të prekin kulturën tonë të kenë një pamje më të gjerë për atë se kush jemi ne dhe cili është civilizimi ynë i lashtë,” – shpjegon konsulli ynë i përgjithshëm në “Qytetin e Erërave”.

Pritet që programi të nisë në vitin akademik 2025/2026 dhe në të do të kenë të drejtë të përfshihen studentë për bachelor, master apo doktoraturë.

“Bullgaria po rikthehet në hartën akademike të sistemit më prestigjioz arsimor në botë” – thotë me krenari Svetosllav Stankov.

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Foto: FB/BulgarianConsulateChicago, Facebook/Svetoslav Stankov, Facebook/illinois.edu, illinois.edu 


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Për herë të parë në Bullgari mbahet kongresi ndërkombëtar i punuesve të dantellës

Në zemër të Luginës së Trëndafilave, në shpatet e Stara Pllaninës dhe Sredna Gorës, për të 26-ën herë zhvillohet Festa e dantellës së Kalloferit. Paleta e ngjarjeve është e pasur – mysafirët e dy qyteteve të vegjël nënmalorë, Karlovo dhe..

botuar më 25-08-16 8.00.PD

OPEN BUZLUDZHA mbledh mijëra nën “pjatën” e monumentit më të njohur në Bullgari

Monumenti në majën Buzlluxha – simbol i epokës socialiste në historinë bullgare dhe “yll” mes adhuruesve të turizmit të errët (dark tourism), për të pestën herë është skena e një festivali me frymë moderne dhe kauzë. Për të pestin vit, OPEN BUZLUDZHA..

botuar më 25-08-16 7.00.PD

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, mirëpret dizajnin e monedhës bullgare euro

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, përshëndeti dizajnin e monedhës bullgare 1 euro në një postim në rrjetin social "Facebook", raportoi BTA. "Lajme emocionuese për Bullgarinë dhe eurozonën! Hidhini një sy dizajnit..

botuar më 25-08-13 6.17.MD