“Trakia – dera drejt pavdekshmërisë” – ky është titulli i dokumentarit të ri, i cili paraqet monumente të njohura nga lashtësia, kryesisht nga Lugina e Mbretërve Trakë (Bullgaria Qendrore). Të gjithë e dinë për besimin e trakëve në pavdekshmëri, për të cilin na tregojnë disa autorë si Herodoti dhe Platoni. Filmi është pjesë e një projekti, të financuar nga Rrjeti evropian për paraqitjen e trashëgimisë kulturore. Në të janë përfshirë 19 vende, ndër të cilat është edhe Bullgaria. Siç shënon trakologja e njohur. Prof. Valeria Fol, një prej autorëve të filmit, qëllimi është që të bëhet një monitorim i trashëgimisë antike kulturore në trojet bullgare dhe si ajo është paraqitur në hapësirën e internetit – tani për tani tepër modeste, sipas saj. “Me këtë film ne mbushëm një boshllëk – thotë ajo. Është fakt se janë xhiruar edhe natyra, edhe landshafti, ku ato ndodhen. Duke u grumbulluar materiali, u arrit në vendimin se spotet dhe fotografitë nuk janë të mjaftueshme dhe kështu u xhirua filmi, falas. Filmi është shumë i bukur, estetik dhe në të njëjtën kohë na jep shumë informacion.”
Një hollësi interesante është se ekipi e ka xhiruar filmin nga ajri – në Luginën e Tunxhës. Kështu shikuesi mund të shohë edhe natyrën e bukur nëpër rrjedhën e një prej lumenjve, i cili është arteri kryesor i komunikacionit të trakëve me botën e Mesdheut. Janë paraqitur monumentet kryesore të kulturës trake: varrezat Kazanllëshka, Aleksandrovska, Shushmanec, Helvecia, Arsenallka... Arsenallka për shembull ka luajtur rolin e observatorit – këtë e tregojnë studimet arkeo-astronomike. Është xhiruar dhe dolmeni më i madh tani për tani në territorin e Bullgarisë – afër fshatit Hljabovo (Bullgari Jugperëndimore).
Në cilat vende trakët kanë lënë trashëgimi dhe ku ajo është më e pasur?
“Trakët janë një popull, i cili ka jetuar në një territor shumë të madh, duke filluar nga Dnepëri, Dnestëri e gjer te Karpatet dhe nëpër rrjedhën e Vardarit, nga Deti i Zi e gjer te bregu i Egjeut të Veriut, ishujt përreth dhe Azia e Vogël Veriperëndimore – vë në dukje prof. Valeria Fol. – Bullgaria në fakt është në qendër të këtij territori. Shansi ynë është se në trojet e sotme bullgare ndodhen qendrat politike dhe fetare të mbretërive më të mëdha trake – odrisët, tribalët, getët, besët... Kështu qe në Bullgari ndodhen disa prej monumenteve më interesante, akoma më tepër se odrisët janë dhe një partner shumë aktiv politik dhe ekonomik i botës së Mesdheut dhe sidomos i Eladës. Në Rumani ka eksponate shumë të bukura, në Moldavi – gjithashtu, si dhe në Serbinë e Lindjes dhe në Greqinë e Veriut, kuptohet edhe në Turqi – në pjesën e saj evropiane dhe në atë të Azisë së Vogël. Mirëpo, Bullgaria arriti t’i shndërrojë trakët në një prej brandeve të saj të trashëgimisë dhe ta zërë akoma gjatë viteve 70-të të shekullit të kaluar, kur u krijua Instituti i Trakologjisë te ne dhe u hap ekspozita trake, që u paraqit në një sërë shtetesh, një vend të denjë ndër shoqëritë dhe kulturat, alternative të atyre të helenëve. Pra, ne kemi një trashëgimi shumë të pasur që nga shkencëtarët para brezit tonë. Kjo është shumë e bukur. Është shumë e rëndësishme që ta ruajmë këtë pozitë, të cilën e kemi zënë në afishen kulturore dhe shkencore të botës.”
Cilat janë shanset që Lugina e Mbretërve Trakë të përfshihet në listën e UNESKO-s si një pamje arkeologjike?
“Shanset janë shumë të mëdha, por që të ndodhë kjo gjë, vendi ynë duhet të përgatisë një dokumentacion shumë të rëndësishëm, të ketë strategji për zhvillimin e këtyre objekteve arkeologjike. Unë besoj se filmi është një prej hapave në këtë drejtim. Është e detyrueshme që të ketë filma të tillë, të cilët t’i paraqitin monumentet tona jo vetëm në internet, por edhe në ekspozitat muzeore, të na japin informacion për gjendjen e tyre. Desha të shtoj se këto xhirime na japin mundësi për të zhvilluar studime serioze të freskave të monumenteve. Ato janë të specializuara dhe përdoren shumë nga shkencëtarët. Duhet të krijohet një dokumentacion i tillë. Unë shpresoj se Bashkia e Kazanllëkut, muzetë, dhe kuptohet Ministria e Kulturës do ta bëjnë këtë përpjekje.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva