Eмисия новини
от часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Dita e Ngjalljes së Llazarit – festa e jetës së ringjallur

Автор:
БНР Новини
Снимка: arkiv

Dita e Ngjalljes së Llazarit, bullgarisht Llazarovden ose Llazarica, është nga të ashtuquajturat “festa të lëvizshme”. Ajo kremtohet ditën e shtune para Ditës së Dafinave dhe një javë para Pashkës së Madhe. Kalendari kishtar shënon ngjalljen çudibërëse e Llazarit të vdekur nga Jezu Krisht me fjalët e famshme: “Llazare, ngrihu dhe ec!” Në mënyrë simbolike kjo ngjarje parathotë Ringjalljen e vet Shpëtimtarit, që ndodh vetëm disa ditë më vonë pas kësaj ngjalljeje të pabesueshme. Në folklorin e bullgarëve festa e ringjalljes së të vdekurit ka dy domethënie – njëra vjen të tregojë respektin ndaj të vdekurve, ndërsa tjetra përmban urime për jetë të lumtur, shëndet dhe pjellori. Dita e Ngjalljes së Llazarit padyshim lidhet edhe me simbolikën e pranverës si kalim nga dimri te vera, si ngjallja e natyrës dhe ringjallja e saj për jetë të re.

Sipas besimeve popullore Ditën e Dafinave, bullgarisht Cvetnica ose Vrëbnica, shpirtrat e të vdekurve lirohen dhe dalin nga varret në pritje të të afërmve. Prandaj në prag të festës kryhet e ashtuquajtura Përshpirtja e Llazarit. Gratë brumosin bukë speciale të ritit të zbukuruara me kryqe. Ato buka mbahen në varret e të afërmve bashkë me grurë të zierë dhe me verë të kuqe. Varret spërkaten me verë dhe me ujë. Ushqimi u jepet të tjerëve për faljen e të vdekurve nga Zoti.  Në disa rajone të Bullgarisë Verilindore kishte zakon, që Ditën e Dafinave në varret të mbahen degëza të bekuara shelgu nga kisha dhe pas kësaj të ndizet zjarr dhe të rënkohen të vdekurit. Kështu në prag të festave të ardhshme njerëzit vendosin kontakt me të afërmit e tyre të vdekur, të cilët janë pjesë e pandarë nga fisi. Në të njëjtën kohë të gjallët kërkojnë mbështetjen dhe mbrojtjen e të vdekurve, sepse në përfytyrimet popullore të vdekurit e kanë forcën t’u ndihmojnë të gjallëve dhe të sjellin pjellorinë e tokës. Dhe sa paradoksale të tingëllojë pikërisht aty në mbretërinë e të vdekurve, thellë në gjinjtë e tokës, fshihen rrënjët e jetës. Ana tjetër e festës është ngazëllimtare dhe jetëdhënëse. Ky është riti që mban emrin llazaruvane. Ky rit mund të shihet në shumë vende të Bullgarisë, sidomos në fshatrat dhe qytetet e vogla. Në të përfshihen vashat e reja, të cilat kanë arritur moshën e martesës. Të veshura me petka festive dhe me zbukurime të bollshme në kokë, ato rrethojnë vendbanimin shtëpi më shtëpi duke kënduar këngë speciale të ritit. Ato urojnë shëndet, gëzim, martesë të lumtur dhe shumë fëmijë. Pronarët e mirëpresin të përmbushur nga gëzimi dhe u dhurojnë atyre bukë të ritit dhe vezë të bardha, të cilat vashat do të ngjyrosin për Pashkën. Konsiderohet, se çdo shtëpi, në të cilën kanë hyrë vashat llazarki do të jetë e lumtur, e gëzuar dhe e ndershme.

Vashat llazarki mblidhen që në mesin e Kreshmës së Madhe dhe fillojnë të përgatiten për rritin llazaruvane nën udhëheqjen e ndonjë gruaje me përvojë. Repertori i tyre përfshin shumë këngë, që interpretohen në momente të ndryshme të ritit: në kohën e mbledhjes së grupit të vashave llazarki, gjatë rrugës, në arat, në kopshtet e vashave. Për çdo anëtar të familjes ka këngë të veçantë: ka këngë për fshatarin e pasur, për gruan në shtëpinë e pasur, për nusen, për gruan me barë, për fëmijën, për lëruesin, për bariun, për zanatçiun, për priftin e kështu me radhë. Ka të dhëna, se në kohën e sundimit turk në trojet tona vashat llazarki kënduan edhe para bejlerëve turq dhe bashkëshorteve të tyre, pavarësisht fenë e tyre myslimane.

Mirëpo, më të shumta janë këngët për vashat dhe beqarët, të cilët së shpejti do të martohen. Me simbolikën origjinale, tipike për vashat llazarki, ato urojnë dashuri, lumturi, mirëkuptim në familje. Pamje që hasen shpesh në këngët e tyre janë floriri dhe argjendi si simbole të pasurisë dhe lumturisë; krahas kësaj lulet pranverore, me të cilat krahasohen të rinjtë; molla e florinjtë si një simbol i dashurisë. Këngët e vashave llazarki përshkruajnë me hollësi bukurinë e vajzave dhe forcën e dashurisë së djemve. Ngandonjëherë tregohet për ndonjë djem, i cili nis për gjah, por në vend që të kthehet me gjah ai kthehet me një vajzë të bukur. Ka këngë edhe për vajzat e dashuruara nga dragoi. Kjo ka lidhje me besimin, se vashat, që ishin llazarki, janë të mbrojtura nga pasioni i dëmshëm i këtij përbindëshi mitik.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна

Най-четени