Shumica e bullgarëve e lidhin qytetin Kjustendill me banjat minerale. Qyteti i cili shtrihet në pjesën jugperëndimore të vendit që në kohën e socializmit e ka pasur famën e qendrës së balneologjisë dhe këtu kanë ardhur shumë pushues. Në atë kohë në qytet kishte shumë qendra kurative dhe shtëpi pushimi të dikastereve të ndryshme të cilat u siguronin punonjësve nga tërë Bullgaria pushim të shëndetshëm kundrejt çmimit simbolik. Por në vitet e tranzicionit shumica prej këtyre bazave u braktisën dhe renomeja e qytetit si një vend atraktiv për turizëm balnear u venit. Por vitet e fundit Bashkia e qytetit llogarit rritje të turistëve. Bëhet e qartë, se njerëzit vijnë këtu jo vetëm për ujërat minerale kuruese, por edhe në kuadrin e turizmit kulturor dhe ekologjik.
Hotelet e reja spa dhe me shërbime balneare në qytet ofrojnë baza të mrekullueshme për pushim me një gamë të gjerë programesh relaksuese dhe mjekësore. Disa prej këtyre komplekseve që janë me 5 yje janë super luksoze dhe presin miq më të pasur nga vendi dhe nga jashtë. Deri në fund të vitit 2015 do të përfundojë ndërtimi i një kompleksi bashkiak balneologjik me hotel, i cili do të punojë edhe në kuadrin e Arkës Kombëtare të Shëndetësisë. Ideja është të tërhiqen dhe mysafirë nga BE në kuadrin e Arkave të tyre Shëndetësore – na siguroi Stojan Dertlijski nga Bashkia e qytetit Kjustendill. Balneologjia në këtë krahinë është me tradita mijëvjeçare. Supozohet, se Kjustendill është njeri prej qyteteve më të vjetra në territorin e Bullgarisë së sotme. Në shekullin e V para Krishtit rreth burimeve të këtushme minerale janë vendosur trakët, më vonë të tërhequr nga vetitë kuruese të ujërave në këtë rajon kanë ardhur romakët. Për praninë e tyre dëshmojnë rrënojat e ruajtura të banjave antike me përpjesëtime të mëdha. Romakët e kanë quajtur qytetin Pautalija dhe kanë përhapur famën e burimeve të tij kuruese minerale nëpër tërë Perandorinë. Sot gjurmët e banjave të dikurshme në qendër tërheqin interesin e turistëve. Një emblemë tjetër e Kjustendillit është kalaja mesjetare nga antikiteti i vonshëm Vellbëzhd në kodrën “Hisarllëka”, e cila ishte restauruar para pak kohe.
Administrata vendore shpreson në turizmin kulturor me idenë që të popullarizojë trashëgiminë historike të kësaj krahine. Kështu bashkërisht me dy bashkitë fqinje Zemen dhe Nevestino para pak kohe ishte realizuar itinerari nëpër rrjedhën e lumit Struma, ku ka shumë manastire, kisha dhe gjurma nga Mesjeta.
“Ia vlen të kaloni nëpër këtë itinerar dhe të shkoni tek ujëvara Pollska Skakavica me lartësi 50 m. Pamja është e jashtëzakonshme!” – pohon Stojan Dertlijski. Në fakt natyra e bukur, ajri i pastër dhe peizazhet e paprekura nga dora e njeriut të malit të afërt Osogovska janë shkaku që gjithnjë e më shumë turistë të vijnë këtu për pushim. Masivi malor me shpatat e tij të gjelbra që shtrihen në zonën kufitare me Maqedoninë fqinje, me majën e tij më të lartë Ruen që ngrihet në 2251 m mbi nivelin e detit, është përfshirë në listën e 100 Objekteve Turistike Kombëtare. Nga Stojan Dertlijski mësojmë më shumë hollësi për mundësitë për eko turizëm në malin Osogovska.
“Mali është me maja të buta si Vitosha. Mbasi maja më e lartë ndodhet në kufirin me Maqedoninë çdo vit në fund të gushtit organizojmë takim me pjesëmarrësit e dy vendeve. Në mal ka mundësi të mrekullueshme për kalime me këmbë, tre shtëpi për pushim të shoqatës vendase turistike, të cilat ofrojnë kushte të mira për pushime. Përveç kësaj periferitë e Kjustendillit zbulojnë mundësi të mrekullueshme për kalime me biçikleta malore, shtigjet e krijuara për ta të çojnë në vendet më piktoreske të malit. Ata që dëshirojnë mund të marrin me qira biçikleta të tilla prej shoqatës sonë turistike. Pranë Bashkisë ka një qendër turistike, e cila ofron in formacion të hollësishëm për atraksionet vendase dhe mundësit për akomodim. Çdo vit në Kjustendill vijnë rreth 100-150 mijë turistë. Mes tyre ka shumë të huaj, kryesisht nga vendet fqinje ballkanike – Greqia. Maqedonia dhe Serbia. Vijnë gjithashtu dhe anglezë, francezë dhe izraelitë në kuadrin e turizmit balnear dhe kulturor.”
Përgatiti në shqip: Sofia Popova