Eмисия новини
от 21.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Festa e valltarëve mbi prush në Stranxha

БНР Новини
Снимка: Bulfoto

Për fshatin Bëllgari në malin Stranxha data 3 qershor është e shenjtë. Çdo vit në këtë fshat piktoresk vijnë mijëra njerëz, për të përjetuar magjinë e njërit prej riteve më të vjetra dhe të pashpjegueshme në Bullgari – vallëzimi mbi prush. Ai është një prej praktikave fetare më mbresëlënëse në Bullgari. Tradita e Nestinarëve (siç quhen valltarët mbi prush) është përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore jo materiale të UNESKO-s. Riti i lashtë sot është ruajtur vetëm në 5 fshatra në rajonin e malit Stranxha – Kosti, Kondollovo, Gramatikovo, Slivarovo dhe Bëllgari. Për herë të parë ky rit është dokumentuar me shkrim në vitin  1862 nga Petko Sllavejkov.

Në Bullgari respektohet data e lashtë për ekzekutimin e ritualit – 3 qershor, Dita e Shenjtoreve Konstantin dhe Elena, sipas stilit të vjetër. Riti pagan i trashëguar nga lashtësia është ndërthurur me krishterimin nëpërmjet legjendës për dy shenjtorët. Vazhdimësia e drejtpërdrejtë kulturore e realizuar në Stranxha është shkaku që ky ritual që ka ekzistuar në kohën e trakeve të ruajë tiparet e tij karakteristike deri më sot. Vallëzimi i nestinarëve në gjendjen psikike të transit mbi prush nën tingujt e daulles është unike për Evropën. Mbi prush kërcejnë vetëm persona të zgjedhur, ata që janë pushtuar nga shpirti i Shën Konstantinit, të cilët pëshpëritin lutje për shëndet dhe falje, nga herë dhe profeci për të ardhmen. Veselina Ilieva është ndoshta valltarja më e moshuar në Bullgari dhe ajo rrëfen, se me gjithë se Stranxha është djepi i këtij rituali misterioz, ithtarë të tij ka në gjithë vendin.

“Jo vetëm në Stranxha, kudo ka dhe kudo vallëzojnë. Por këtu vijnë, sepse fshati Bëllgari është universiteti. Duhet të të pranojnë dhe duhet të kesh aftësi për të vallëzuar mbi prushin.”

СнимкаVeselina Ilieva çdo vit kërcen mbi prush. Ka filluar në moshë 40 vjeç. Në atë kohë ka qenë pjesëtare e një grupi folklorik. Gjatë interpretimit të ritit të nestinarëve në Bëllgari i ra vilania. Mjeku që e vizitoi konstatoi me habi, se me gjithë se pulsi dhe tensioni ishin normale, trupi i Veselinës ishte si i ngrirë. Atëherë një nestinare e vjetër i ka thënë, se “ka qenë e pushtuar”, siç thonë në Stranxha për ndjekësve të ritit. Që nga ajo kohë Veselina çdo vit kërcen mbi prushin. Interpretimi i vallëzimit bëhet pas perëndimit të diellit. Valltarët janë veshur me këmisha të bardha. Mbi kodrat përreth jehojnë vetëm goditjet monotone mbi daullen. Nestinarët vallëzojnë përreth rrethit të zjarrtë me ikona në dorë dhe nga një herë hyjnë në prush. Këmbët e tyre shkelin qymyrin e ndezur sikur janë të udhëhequr nga forca e shenjtorëve nga ikonat. Nga herë shkelin edhe në dhe, herë tjetër shtypin qymyrin që ta shuajnë. Fytyrat e tyre janë të zbehta, sytë gati të mbyllur dhe vetëdija e tyre sikur është në vend tjetër.

“Zjarri duhet të kapërcehet – tregon valltari i ri Georgi Iliev. – Bindja e njeriut duhet të jetë më e fortë se frika. Duhet të mposhtësh frikën, në mënyrë psikike të lirohesh nga bota që të rrethon.”

СнимкаGeorgi është 32 vjeçar, mamaja e tij ka qene valltare mbi prush, është rritur me sekretet e këtij rituali, që trashëgohet brez pas brezi si një traditë familjare.

“Riti i nestinarëve është ruajtur si traditë. Pas persekutimit të nestinarëve nga ana e kishës, e cila në fillim nuk e pranoi ritualin si rit i krishterë, tradita në fshatin tonë ishte ndërprerë. Por me kalimin e viteve nëpërmjet njerëzve më të moshuar ajo është rivendosur dhe shpresojmë se do të arrijmë ta transmetojmë pasardhëseve tanë.” Georgi rrëfen, se nestinarët e vjetër kanë pasur parandjenjë, kush mund të vazhdojë traditën.

“Në qoftë se ke besim të brendshëm, mund të hysh në zjarr... Duhet të besosh fortë, besimi është ai që të shtynë të respektosh ritmin e vallëzimit” – shton gjyshja e tij Millka.

Festa e nestinarëve në fshatin Bëllgari fillon herët në mëngjes, kur nxirren ikonat nga kisha vendase “Shenjtorët Konstantin dhe Elena”. Procesioni që shoqërohet me ritmin karakteristik të melodive nestinare, vazhdon deri në lokalitetin Vllahov doll, që është i shenjtë për ta, atje me ujin e ajazmës bekohen ikonat dhe hidhet vallja e ritit. Zjarri ndizet mbas dite që  prushi të jetë gati në mbrëmje.

Përgatiti në shqip: Sofia Popova

Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна

Най-четени