Në fakt kjo ishte një festë në të gjitha kuptimet e fjalës – për mua, sepse u zhvillua në prag të festës tonë kombëtare bullgare, por natyrisht ishte dhe festëpër publikun në Budapest. Koncerti gala ishte më 2 mars me pjesëmarrjen e Sonja Jonçevës – debutimi i saj në Budapest. Përndryshe ajo ka kënduar dhe më parë në Hungari – gjatë vitit 2016, në festivalin e operës “Bartok plus” në Mishkollc.
Atmosfera ishte shumë e ngritur, tepër festive. Ky është koncerti gala tradicional, në të cilin gjatë viteve të fundit miq kanë qenë këngëtarë botërorë të operës si Placido Domingo. Sonja Jonçeva ishte pritur me një entuziazëm të madh edhe nga muzikantët dhe nga publiku. Unë pata fatin të jem në radhën e parë dhe të ndiej emocionin e saj, siç dhe emocionin në sallë.
Ishte një darkë shumë e bukur, e përmbushur me një muzikë italiane të operës. Sonja Jonçeva ia kishte përkushtuar të gjithë paraqitjen e saj muzikës së Puçinit në lidhje me 160-vjetorin e lindjes së kompozitorit. Para publikut hungarez ajo interpretoi arie nga “Manon Lescaut”, “Madam Butterfly”, “Bohemi” si dhe duetin e Mimit dhe Rudollfos në partneritet me një nga tenorët e njohur hungarez. Veprat tingëlluan në mënyrë të veçantë në sfondin e dekoreve, të cilat paraqisnin Parisin me dritë nate. Në fund theksi, mes duartrokitjeve të shumta, ishte aria “O mio babbino cago” nga Xhani Skiki”. Me të vërtetë ishte shumë emocionuese, sepse kështu siç duartrokiste publiku me frymëzim, Sonja Jonçeva i dha shenjë dirigjentit, orkestra filloi të ekzekutojë dhe ajo filloi të këndojë me një lehtësi të madhe. Njeriu ndien harmoninë e përsosur të zërit të saj. Kuptohet se që të gjithë e dimë se pas kësaj lehtësie qëndron një punë shumë këmbëngulëse, derisa arrihet niveli i kësaj përsosmërie.
Sonja Jonçeva dukej shumë bukur. Në pjesën e dytë e koncertit gala ajo doli me po të njëjtin fustan në ngjyrën bojëqielli, me të cilin ishte dhe në “Oskaret”. Këngëtarja ka një karizëm të pabesueshëm, një trup të gjatë, dhe përveç me zërin ajo e zotëronte skenën dhe me sjelljen e saj. Një divë e vërtetë!
Pranë meje qëndronte një zotëri i moshuar nga Beogradi, me të cilin u njohëm. Ai tregoi se, babai i tij ka qenë një këngëtar operistik, kurse vet ai prej shumë viteve është adhurues i operës. “Prej viteve nuk kam takuar një soprano të tillë me një zë kaq të pasur dhe të thellë si Sonja Jonçeva” – më tha ai. Ai ndau po kështu emocionin e tij gjatë kohës së recitaleve dhe të këngëtarëve të tjerë të mëdhenj bullgar. Tha akoma se këngëtarja e tij e dashur është Anna Tomova-Sintova. Kjo dëshmon se dhe në skajin tonë të Evropës dhe në të gjithë Evropën, dhe në të gjithë botën këngëtarët bullgarë të operës janë të vlerësuar shumë lartë. Ata provokojnë emocione, njerëzit udhëtojnë posaçërisht për koncertet e tyre, ashtu si dhe unë udhëtova posaçërisht nga Sofja për në Budapest për koncertin e Sonja Jonçevës. Kishte dhe shumë njerëz të tjerë, të cilët kishin ardhur nga vende të ndryshme të Evropës për debutimin e saj në Budapest.
Televizioni kombëtar hungarez xhironte gjatë gjithë kohës dhe koncerti gala shumë shpejt do të transmetohet.
Korrespondencë e gazetarit Ivajllo Spasov për Radion Kombëtare Bullgare
Përgatiti në shqip: Nataniela Vasileva