Gjatë vitit 2020 mbushen 112 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Bullgarisë. Ngjarja ka një rëndësi shumë të madhe, sepse u vë fund luftërave çlirimtare të bullgarëve kundër zgjedhës pesëshekullore turke.
Lufta Ruso-Turke që nga viti 1877-1878 çoi deri tek Çlirimi i Bullgarisë, por Kongresi i Berlinit disa muaj pas kësaj e vendosi principatën e re në varësi vasale nga Perandoria Osmane. Sipas Kongresit të Berlinit në territorin e Principatës së Bullgarisë hynë trojet midis Danubit dhe malit Stara Pllanina dhe sanxhaku i atëhershëm i Sofjes. Midis Stara Pllaninas dhe Rodopeve u formua krahina autonome Rumelia Lindore me një autonomi edhe më të kufizuar, ndërsa Maqedonia, Trakia Lindore dhe Trakia Perëndimore mbetën nën pushtetin e drejtpërdrejt të sulltanit.
Populli bullgar ishte shumë i dëshpëruar nga vendimet në Berlin dhe gjatë disa dekadave në vijim bashkimi i të gjithë bullgarëve në një shtet dhe fitimi i pavarësisë së tij u bënë dy nga sfidat më të mëdha para elitës politike dhe shtetërore.
Bashkimi është akti me të cilin më 6 shtator 1885 Rumelia Lindore u shkëput nga Perandoria Osmane dhe u bashkua me Principatën e Bullgarisë megjithë vendimet e Fuqive të Mëdha në Berlin në vitin 1878.
Më 22 shtator 1908 pas një sërë hapash të suksesshëm të diplomacisë bullgare Bullgaria arriti të shkëputet nga orbita e Perandorisë Osmane dhe të shpallë pavarësinë e vet. Me këtë akt shteti i ri bullgar ngriti autoritetin e vet ndërkombëtar dhe zuri përsëri vend ndër shtetet e pavarura evropiane, ndërsa mbi kokën e udhëheqësit të tij – princi Ferdinad, u vendos kurora mbretërore.
Më shumë hollësi për arritjen e një prej fitoreve më të mëdha diplomatike në historinë tonë mund të lexoni në një prej publikimeve nga koleksioni i Radio Bullgarisë kushtuar pavarësisë sonë.