Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Në mbretërinë e shpendëve

Foto: Veneta Nikollova
Ndoshta keni shfletuar albume me fotografi të shpendëve të bukur, lara-lara, me përshkrime të hollësishme të habitateve dhe popullatave të tyre. Por takimi “sy me sy” me ndonjë specie të rrallë shpendi nuk mund të harrohet. Këtë e pohon çdo njëri që ka pasur shansin t’u afrohet këtyre qenieve delikate dhe enigmatike që popullojnë këndet më të virgjëra të natyrës bullgare. Vendi ynë është një prej vendeve të Kontinentit të vjetër me më shumë lloje shpendësh. Dhe prandaj në Bullgari mbërrijnë aq shumë ornitologë nga mbarë bota.

Këta frekuentues të huaj nuk interesohen as nga plazhet tona, as nga ski-pistat dhe hotelet luksi, as nga lokalet e dëfrimit. Ata e vizitojnë Bullgarinë me të vetmin qëllim – të vrojtojnë shpendët në mjedisin e tyre të natyrshëm. Të shoqëruar nga guidë me përvojë ornitologët shkojnë në rezervatet natyrore dhe zonat ligatinore qe të hedhin një vështrim në botën e shpendëve. Për ornitologët që mbërrijnë në vendin tonë dashuria ndaj zogjve është bërë një pasion i papërmbajtur, që pushton kohën e tyre të lirë si dhe llogaritë e tyre bankare. Sepse ekskursione të tilla të specializuara ende janë shumë të shtrenjta – thotë Palev Simeonov nga Organizata e mbrojtjes së natyrës “Le Ballkan”. Por me gjithë këtë Bullgaria është një destinacion shumë tërheqës për “koleksionistët” e ekzemplareve të rralla shpendësh.

“Në këtë drejtim jemi në një prej vendeve të para në Evropë, pas Spanjës – thotë Pavel Simeonov. – Kurse numri i madh i habitateve shpjegon pse në territorin tonë janë regjistruar 426 lloje shpendësh. Kështu qe në cakun e një ekskursioni 10 ditor mund të vrojtohen më se 200 lloje shpendësh. Kjo është një pasuri e madhe, të cilën nuk mund ta ofrojë asnjë vend tjetër evropian.”

Via Pontika – magjistrali i shpendëve që e lidhë Evropën me Afrikën kalon dhe mbi Bullgarinë. Itinerari transkontinetal i shpendëve kalon mbi majat e mbuluara me pyje shekullore të malit Stranxha dhe mbi bregdetin tonë verilindor. Kjo shpjegon larminë e madhe shpendësh që bëjnë foletë e tyre në bio-rezervatet dhe në zonat ligatinore. Përqendrimi më i madh i shpendëve shtegtarë mund të vrojtohet gjatë vjeshtës ose në pranverë pranë liqeneve Shabla dhe Durankullak, në bregdetin tonë verior. Atëherë brigjet e tyre mbulohen plotësisht me qindra mijë shpendësh. Tufat e tyre ngrihen në qiell qe të bëjnë vallen e tyre rituale dhe pastaj zbresin mbi brigjet e mbuluara me kallam. Ia vlen të kesh një pamje të tillë magjike në fotografi. Çdo vit nga kjo mundësi përfitojnë mijëra adhurues të ornitologjisë nga Franca, Danimarka, Zvicra dhe Gjermania. Por më shumë janë ornitologët nga Britania e Madhe, ku sipas statistikës ka mbi 4 e gjysmë milionë vrojtues të shpendëve (bird watchers). Sipas Pavel Simeonovit, i cili rregullisht i shoqëron ornitologët e huaj në kohën e ekspeditave të tyre nëpër Bullgarinë, një prej vendeve më tërheqëse për vrojtimin e shpendëve janë pjesët lindore të malit Rodopi. Në shkëmbinjtë e malit bëjnë foletë e tyre koloni të tëra lejlekësh të zinj, shkabash mbretërore (aquila heliaca) dhe të kërcënuarit me zhdukje shkaba egjiptiane (Neophron percnopterus) dhe shkaba kokëbardhë (Gyps fulvus). Për ta kujdeset Qendra e mbrojtjes së natyrës në qytetin Maxharovo.

“Bëjmë ekspedita edhe në rrjedhën e lumit Struma dhe në Grykën e Kresnës në afërsi me qytetin e vjetër Melnik – shton Palev Simeonovi. – Falë ajrit mesdhetar që depërton nëpër lumin Struma në këtë krahinë rritet një bimësi e pazakonshme për gjerësitë tona gjeografike, e cila tërheq lloje të ndryshme shpendësh jugorë që nuk mund të shihen në Evropën perëndimore, dhe prandaj ornitologët perëndimorë janë shumë të kënaqur se mund të vrojtojnë tek ne. Jo më pak interesante për vrojtuesit e shpendëve është rrjedha e poshtme e lumit Danub, ku ndodhet liqeni Srebërna, që është shpallur rezervat natyror. Atje fondacioni ynë kujdeset për të vetmen në Bullgari koloni pelikanësh kaçurrelë. Por krahas tyre mund të shihen dhe lloje të tjera shpendësh. Në rezervatet biosferike të malit Stara Planina mund të shihet dhe kukuvajka e Uralit (Strix uralensis) e cila në parim popullon vetëm territorin e Bjellorusisë.

Shumë pak janë këndet e virgjëra të Evropës ku njeriu ende mund ta shohë natyrën siç ishte përpara shekujve. Kurse Bullgaria, me malet e saj të shumta, me rezervatet dhe zonat e mbrojtura, të populluara me shpendë të llojeve të ndryshme është unikale në këtë pikëpamje. Por organizatorët e ekskursioneve ornitologjike insistojnë të respektohet e ashtuquajtura “etika e vrojtimit të natyrës së egër”. Sepse çdo një zhurmë, çdo ndotje e mjedisit ose ndonjë ndërhyrje tjetër brutale e njeriut mund ti dëbojë përgjithmonë shpendët nga foletë e tyre.

Përgatiti në shqip: Gjullka Ilieva
По публикацията работи: Veneta Nikollova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Kryeasistenti Radosllav Jordanov: Nuk ka asnjë mënyrë për ta njohur Danubin nëse nuk "zhyteni" në të

Pushimet mund të jenë të paharrueshme jo vetëm buzë detit, ose në mal, por edhe me një shëtitje në plazhet e egra të Danubit. Secili nga qytetet përgjatë brigjeve të lumit të madh na jep mundësi që të shtrijmë një ombrellë dhe të shkelim në rërat..

botuar më 24-09-29 6.15.PD

Me një ekspozitë blogerët e udhëtimit na ftojnë që të njohim qoshet më magnetike të atdheut

"Bullgaria - magnetike dhe e bukur" - me këtë titull, blogerët bullgarë të udhëtimit prezantojnë disa nga vendet më magnetike në vendin tonë. Ekspozita me fotografi unike të realizuara nga udhëtarët mund të shihet në hyrjen e Kopshtit Detar në Varna..

botuar më 24-09-28 8.35.PD

Udhëto ngadalë, pusho aktivisht apo se si turizmi rural në vendin tonë hyri në një fazë të re

Turizmi rural po bëhet një formë e preferuar rekreacioni, veçanërisht ndër familjet dhe të rinjtë që zgjedhin një mënyrë jetese miqësore me mjedisin dhe duan të minimizojnë gjurmën e tyre të karbonit. Dhe nëse disa vite më parë një pushim në fshat..

botuar më 24-09-23 9.25.PD