Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ivan Ivanov – kryebashkiaku, i cili modernizoi Sofjen

Kuadër nga filmi “Kryebashkiaku”
Foto: Архив
Më 29 e 30 mars në Shtëpinë e Kinemasë në Sofje u mbajt premiera e filmit dokumentar “Kryebashkiaku”, të kushtuar kryetarit të Bashkisë së Sofjes inxhinier Ivan Ivanov. Ai ka qenë në krye të Sofjes nga viti 1934 deri në vitin 1944. Fati i tij dramatik është pasqyrim i ngjarjeve dinamike në shekullin XX. Ai lindi në familjen e oficerit Nikola Ivanov, një nga heronjtë e Luftërave Ballkanike të viteve 1912-1913. Vetë Ivan Ivanovi ndërpriti studimet e tij në Munih për të marrë pjesë në to si vullnetar. Gjatë vitit 1915 ai u diplomua si hidroinxhinier në Gjermani. U martua me dashurinë e jetës së tij – gjermania Matilda, me të cilën kishte tri vajza. Para se të bëhej kryebashkiak, ai mori përsipër detyrën e rëndë të çojë ujë nga mali i Rilës në kryeqytetin, i cili ishte duke u zmadhuar.

“Ai shkoi në malin e Rilës me një grup bashkëpunëtorësh, për të parë në se ka mjaft ujë për Sofjen – tregon Adela Peeva, skenariste dhe bashkëregjisore e filmit bashkë me Antonij Donçev. – Nisi ndërtimin e ujësjellësit të Rilës dhe u bë drejtor i tij. Kjo është një punë e madhe, një arritje e mendimit inxhinierik dhe një lehtësim i madh për kryeqytetin. Inxhinier Ivan Ivanov ka qenë një njeri punëdashës, me vizion të vet për gjërat dhe pavarësisht nga rrethanat, i realizonte. Por kjo i kushtoi shtrenjtë pas ndryshimeve politike të vitit 1944, kur në Bullgari u vendos regjimi prosovjetik. Ai u hodh në Gjyqin Popullor, për të kërkohej dënim me vdekje. Pastaj prokurori e tërhoqi kërkesën dhe ai u dënua me burg të përjetshëm. Por pasi nuk kishte se kush ta përfundonte ndërtimin e liqenit artificial Stalin (sot Iskër) dhe Beli Iskër, ia falën dënimin. Dhe ky njeri, i cili para kësaj kishte ndërtuar Sofjen, vazhdoi të punonte, megjithëse politika dhe ideologjia u ndryshuan krejtësisht. Ai ishte thjesht një profesionist dhe patriot.”

Në procesin gjyqësor Ivan Ivanov u akuzua se është një agjent fashist, sepse ka qenë kryebashkiak në kohën, kur Bullgaria ishte aleate e Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por kishte një raport i Gjyqit Popullor, në të cilin thuhej se ai kurrë nuk ka qenë përkrahës i ideologjisë fashiste. Kurse policia e fshehtë nuk ka pasur besim në të, ai ka pasur dosje në të dhe është akuzuar se mbante komunistë në punë në bashki.

“Të gjitha ideologjitë shihnin në të një kërcënim – vazhdon Adela Peeva. – Nuk e pranonin për një njeri, i cili thjesht dëshironte të kryente punën e vet. E dimë se periudha e qeverisjes së tij konsiderohet dekada e artë e kryeqytetit. E quanin Sofjen “Vjena e Ballkanit”, “Brukseli i vogël”. Por kujtimi për kryebashkiakun vite me radhë mund të gjendej vetëm në dosjet e policisë.”
Çast nga xhirimi i filmit “Kryebashkiaku”

Kur u bë kryebashkiak, Ivan Ivanov aplikoi transparencë në mënyrën e harxhimit të parave bashkiake. Çdo muaj shpenzimet e bashkisë publikoheshin në revistën “Serdika”. Gjatë mandatit të tij në Sofje u aderuan fshatrat fqinjë dhe u krijua Bashkia e Madhe e Kryeqytetit. U ndërtuan rrugët kryesore të qendrës dhe godina emblematike si Banka Kombëtare Bullgare, Dhoma Telefonike, Ministria e Mbrojtjes e shumë të tjera. U zgjerua rrjeti i tramvajeve, u nisën disa linja të autobusëve dhe trolejbusi i parë në Sofje – deri në lagjen Gorna banja. U mbollën shumë pemë pranë bulevardeve. Të huajt, që e vizitonin Sofjen, tregonin se ky është një nga qytetet më të pastra dhe më të gjelbra në Evropë, se transporti i qytetit është i rregullt, kurse shoferët – të sjellshëm.

Filmi për Ivan Ivanovin i bazohet një materiali të pasur të arkivave të Bullgarisë dhe Gjermanisë: dokumente, kuadro filmash dhe shumë fotografi. Një pjesë të këtyre materialeve tregohen për herë të parë tek ne. Shumë të vlefshme janë tregimet e dy vajzave të tij të gjalla. “Veçanërisht më e reja, Bistra Ivanova, na ndihmoi shumë – rrëfen Adela Peeva. – Ajo është një grua me dinjitet dhe bujari, e cila nuk ndien mëri pas këtyre përjetimeve. Pra, edhe i ati pasi iu fal dënimi dhe u lirua nga burgu, sepse nuk kishte se kush të përfundojë liqenet artificiale, nuk ka ndier mëri dhe ka punuar për Bullgarinë deri në fund të jetës së tij.”
E vetmja shenjë përkujtimore për inxhinier Ivan Inanovin sot është një pllakë e thjeshtë në fasadën e shtëpisë së tij. Filmi për Ivan Ivanovin jo vetëm mbush një zbrazëti në kujtesën tonë. Është kënaqësi ta shikosh – për shkak të strukturës dramatike, përfshirjes së rikrijimeve artistike në tregimin dokumentar, muzikës së kompozitorit Boris Karadimçev. Me siguri banorët e kryeqytetit do të mësojnë shumë për kryebashkiakun Ivan Ivanov dhe për epokën e tij dhe tregimi do t’i emocionojë. Krijuesit e filmit kanë në plan ta ofrojnë për projektim në festivale ndërkombëtare që merren me problemet e së kaluarës.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Veneta Pavllova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Milena Selimi fitoi çmimin për përkthimin më të mirë në Panairin e 27-të të Librit në Tiranë për romanin bullgar "Kohëstrehim"

Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..

botuar më 24-11-19 8.30.MD

Lilija Zaharinova tregon histori përrallore në mjedisin urban

Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..

botuar më 24-11-18 7.35.PD

Kinemaja aventureske nga 39 vende mbërrin në "Bansko Film Fest"

Për vitin e njëzet e tretë, ekipi i “Bansko Film Fest” do të transferojë publikun në disa nga pikat më ekstreme të botës përmes 75 filmave nga 39 vende. “Të gjitha janë premiera, për disa prej tyre shfaqjet në Bansko do të jenë premiera botërore”, tha..

botuar më 24-11-17 7.25.PD