Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Popullimi i arinjve në Bullgari është nën kufijtë e lejueshëm

Sipas të dhënave të fundit numri i përgjithshëm i arinjve të murrmë në Bullgari është afro 600.
Foto: BGNES

Bullgaria është ndër pak vendet në Evropë, ku arinjtë mund të shihen jashtë kopshteve zoologjike. Disa qind arinj jetojnë në malet bullgare dhe janë një dëshmi për natyrën e ruajtur. Por gjatë viteve të fundit bashkëjetesa e malësorëve dhe arinjve u bë problematike. U bënë më të shpeshta sulmet e arinjve ndaj kafshëve shtëpiake, koshereve dhe bimëve. Gjatë vitit 2010 u regjistrua dhe sulmi i parë i një ariu ndaj një njeriu, i cili kishte një fund fatal. Njerëzit në rajonin e qytetit Smoljan, në malin e Rodopeve, ku sulmet e ariut të murrmë janë më të shpeshta, janë shumë të shqetësuar. Kjo imponoi numërimin e shpejtë të popullimit të arinjve atje dhe në tërë vendin, që të vlerësohet në se kanë arsye thirrjet për heqje të ndalimit gjuajtjes së arinjve, të cilët janë një lloj të mbrojtur në BE.

Që të merren të dhëna të sakta për popullimin e arinjve, është e nevojshme të zhvillohet një monitorim të paktën tre vjet, mendojnë ekspertët. Gjatë vjeshtës së fundit u organizua numërimi i parë, i cili jep një orientim të mirë, pasi të dhënat e tri ekipeve shkencore, që punonin paralelisht dhe ishin sipas metodave të ndryshme, dhanë rezultate të ngjashme. Çfarë janë ato? Numri i përgjithshëm i arinjve të murrmë në Bullgari është afro 600, rreth 100 arinj ka në rajonin e Smoljanit, ku territoret e tyre janë më afër vendbanimeve të njerëzve. A është ky numër i madh apo i vogël? E pyetëm Aleksandër Ducovin, kryetar të Shoqatës për natyrën e egër “Ballkani”, e cila mori pjesë në numërim.

“Nuk mendojmë se popullimi i arinjve është i madh dhe i dendur – u përgjigj zoti Ducov. – Arinjtë janë nën 50% nën kapacitetin e mjedisit. Sipas studimeve, kushtet natyrore në Bullgari lejojnë që këtu të jetojnë mbi 1000-1200 arinj. Ka resurse të mjaftueshme ushqimore. Madje në rajonin e qytetit Smoljan nuk mund të flasim për mbipopullim të arinjve. Por me siguri mund të flasim për një problem social. Ai shfaqet kur njerëzit pa dëshiruar u japin ushqim arinjve. Kështu kafshët e shkurtojnë distancën dhe i konsiderojnë njerëzit një burim ushqimi, shumë më i arritshëm se baza e tyre e natyrshme ushqimore. Kur flas për ushqimin e arinjve, kam parasysh praninë e kafshëve shtëpiake të pambrojtura në territoret e tyre, deponimin e mbeturinave të ushqimeve në kontejnerë të hapur etj. Dhe kur për ndonjë shkak ky resurs i arritshëm ndërpritet, arinjtë shkojnë në vendbanime që ta kërkojnë. Arinj të tillë janë më të rrezikshëm, sepse nuk kanë frikë nga njeriu.”

Ekspertët mendojnë se është shumë i rrezikshëm ushqimi i kafshëve të gjahut (kryesisht i derrave të egër) – diçka që bëhet shpesh nga gjuetarët gjatë tërë vitit. Në të kaluarën kjo bëhej vetëm gjatë dimrit për të pakësuar numrin e humbjeve të kafshëve të gjahut gjatë kësaj stine. Për shkak të gjumit të dimrit arinjtë kanë qenë larg kësaj joshjeje.

“Kafshët e egra ushqehen gjatë tërë vitit dhe kryesisht para stinës së gjuetisë - gjatë tetorit – pohoi Aleksandër Ducov. – Grumbullohen sasi të mëdha të misrit afër vendbanimeve dhe kështu grupet e ndryshme të gjuetarëve përpiqen të “vjedhin” derrat e egër të grupit fqinj të gjuetarëve.”

Mbrojtësit e natyrës dhe shteti rekomandojnë një varg masash për evitimin e konflikteve midis njerëzve dhe arinjve. Për shembull tufat e kafshëve duhet të ruhen nga qen, rreth koshereve dhe pemëve frytmbartës duhet vendosur gardhe elektrike dhe të ndalohet ushqimi i derrave të egër jashtë stinës dimërore. Gjithashtu duhet respektuar disa rregulla të sjelljes në rast të takimit të papritur me ndonjë ari.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomaniova

По публикацията работи: Maria Dimitrova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Kur dhe pse Radio Bullgaria arriti në Afrikë?

Historia e Emisioneve në Gjuhë të Huaja të Radios Kombëtare Bullgare, transmetimet e të cilëve me valë të shkurtra filluan në vitin 1936, vetëm një vit pas themelimit të Radios Bullgare, është e mbushur me fakte interesante dhe pothuajse të panjohura..

botuar më 25-01-29 7.20.PD
Prof. Anna Koçeva në konferencën e shtypit në BTA

Shkencëtarët bullgarë: Bullgarët nga Krahinat Perëndimore nuk janë një "komb i shopëve"

Shkencëtarët e Akademisë Bullgare të Shkencave kanë hedhur poshtë me fakte spekulimet në Serbi që kundërshtojnë identitetin kombëtar të bullgarëve në Krahinat Perëndimore. Në mesin e janarit, bashkatdhetarët tanë atje i dërguan një letër presidentit serb..

botuar më 25-01-28 4.52.MD

Universiteti Teknik i Pylltarisë shënon 100 vjetorin e themelimit

Universiteti Teknik i Pylltarisë organizon një sërë aktivitetesh kushtuar rrugës shekullore të arsimit të lartë pyjor në Bullgari. Ngjarja e parë është sonte, ku do të mbahet një retrospektivë e aktiviteteve pyjore me një leksion me temën: “Një..

botuar më 25-01-28 9.20.PD