Gjatë këtij viti pritet një valë e re falimentimesh të kompanive dhe ndërmarrjeve bullgare në fusha të ndryshme të ekonomisë. Prognozat janë të nënpresidentit të Dhomës Ekonomike Bullgare, Kamen Kolev, dhe u bazohen analizave të fundit të organizatës. Një nga shkaqet është gjendja e keqësuar financiare e firmave dhe shtimi i kredive të këqija.
Statistika zyrtare tregon se pjesa e këtyre kredive ka arritur 18% të vëllimit të përgjithshëm të kredive të lëshuara nga bankat. Të dhënat e ekspertëve të Dhomës Ekonomike tregojnë se detyrimet korporative tejkalojnë dy herë PBB-në të vendit. Kjo do të thotë se për çdo lev të prodhuar, biznesi hyn në detyrime me 2 leva ndaj buxhetit, furnizuesve, bankave, punonjësve. Në SHBA ky raport është një me një, ndërsa në BE detyrimet përbëjnë 137% të PBB-së. Del se kapitali i biznesit bullgar është me 70% më i vogël se detyrimet e tij. Parashikimet e ekspertëve nga Dhoma Ekonomike Bullgare janë se sivjet ky problem do të thellohet. Me rritjen e falimentimeve të ndërmarrjeve dhe kompanive, do të rriten dhe detyrimet midis firmave, kurse bankat do të forcojnë presionin që të mbledhin kreditë.
“Në të vërtetë është arritur kufiri i detyrimeve, deri në të cilin një ndërmarrje ose një kompani tregtare mund të mbijetojë. Tashmë jemi afër pikës kritike, pastaj vijnë falimentimet – komentoi presidenti ekzekutiv i Dhomës Ekonomike Bullgare Bozhidar Danev. – Pasojat e një dukurie të tillë në ekonomi janë reduktim i numrit të vendeve të punës dhe kufizim i veprimtarisë së ndërmarrjeve.”
Çfarë tregojnë analizat e Dhomës Ekonomike Bullgare?
Sipas të dhënave paraprake, detyrimet e ndërmarrjeve gjatë vitit 2010 janë rritur me 3% në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur shifrën rekorde 161 miliardë leva (mbi 80 miliardë euro). Ekspertët pohojnë se firmat nuk kanë mjaft mjete për shpenzimet për lëndët e para dhe materialet, si edhe për të paguar kreditë bankare dhe rrogat e punonjësve. “Firmat thjesht nuk kanë mundësi të paguajnë”, komentoi të dhënat nënpresidenti i Dhomës Ekonomike Kamen Kolev. Analiza tregon se 80% të detyrimeve të ndërmarrjeve janë midis vetë firmave. “Kjo tregon se mjedisi ekonomik në Bullgari nuk është i favorshëm dhe e vë biznesin në një situatë të rrezikshme”, tha presidenti i Dhomës Ekonomike Bozhidar Danev.
Një problem tjetër i kompanive bullgare janë detyrimet ndaj bankave. Sipas ekspertëve të Dhomës Ekonomike, mjedisi i biznesit keqësohet dhe për shkak të rritjes së çmimit të kreditimit bankar. Nivelet mesatare të interesave të kredive arritën 12%. Të dhënat e Dhomës Ekonomike tregojnë tendenca paradoksale. Gjatë të dy vjetëve të fundit vërehet pakësim i vendeve të punës, por njëkohësisht administrata është rritur me 6%. Pjesa më e madhe e detyrimeve të kompanive janë tatimet dhe sigurimet e papaguara. Në klasifikimin e borxhlinjve në vendet e para janë degat që u prekën më fort nga kriza – tregtia, ndërtimi dhe sektori i pronave të patundshme. Njëkohësisht shteti dhe bashkitë i rritin edhe më shumë detyrimet midis firmave, duke vonuar pagesat e prokurimeve publike që tashmë janë zbatuar. Shteti për shembull i detyron biznesit 833 milionë leva (mbi 400 milionë euro). Nga Dhoma Ekonomike Bullgare këmbëngulin për aplikimin e direktivave evropiane, sipas të cilave kompanitë shtetërore janë detyruar t’u paguajnë nënzbatuesve në afat deri në një muaj pas zbatimit të prokurimit.
Cilët sektorë janë kërcënuar nga falimentimi?
“Në vend të parë ndërtimi – është kategorik presidenti i Dhomës Ekonomike Bullgare Bozhidar Danev. – Sivjet rreth 1500 firma nuk u regjistruan në dhomën e ndërtimit, që do të thotë se e ndalin veprimtarinë. Lajmi i mirë është se shumica e kompanive të ndërtimit nuk kanë aktive serioze. Natyrisht, një pjesë e madhe e falimentimeve do të jenë në tregti dhe në sektorin e shërbimeve, sepse kërkimi i konsumatorëve u pakësua shumë. Këto janë procese të paevitueshme, të cilat do ta shërojnë ekonominë. Kriza ka këtë ndikim pozitiv se shëron deformimet e disa degëve. Pra, sektorët realë të ekonomisë bullgare, të cilët kanë dhe njohje ndërkombëtare, fillojnë të bëhen sinjalizuesit e ekonomisë, dhe jo sektorët e zhvilluar në mënyrë spekulative.”
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
Një vit me rezultate të mira në sektorin bankar, i arritur në një mjedis të vështirë të brendshëm dhe të jashtëm. Kështu e ka vlerësuar vitin që po shkon 2024 para gazetës “24 Çasa” Guvernatori i Bankës Kombëtare Bullgare (BNB) Dimitër Radev, me rastin e..
Ministri në detyrë i ekonomisë, Petko Nikollov, gjatë ceremonisë vjetore të ndarjes së çmimeve të Dhomës Bullgare të Tregtisë dhe Industrisë njoftoi se Bullgaria me një rritje prej 2,2 për qind është ndër 6 vendet e para të BE-së. Kryetari i Dhomës..
Paga mesatare vjetore bruto në vitin 2023 për vendin tonë është 24 485 leva, duke u rritur me 15.3% krahasuar me vitin 2022. Këtë e tregojnë të dhënat e Institutit Kombëtar të Statistikave. Me shpërblimin më të lartë janë ata që merren me..
Nuk bëhet fjalë për përfundimin e tranzitit të gazit natyror nga Rusia përmes Bullgarisë. Kështu shkruan agjencia shtetërore ruse TASS, pasi ministri bullgar..
Në buxhetin e vitit 2025 propozohet një deficit prej 3 për qind. Në parashikimin buxhetor afatmesëm, deficiti prej 3 për qind është vendosur deri në..