Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Çfarë pëshpëritin monedhat e vjetra nëpër trojet bullgare

Me 40 000 monumentet e saj arkeologjike Bullgaria është ndër vendet më të pasura me trashëgimi të vlefshme kulturore në Evropë, pohon studimi i UNESCO-s, i bërë gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Që atëherë thellësitë e tokës vazhdojnë të na befasojnë me zbulime të reja.

Le të rikujtojmë se në trojet bullgare është zbuluar ari i përpunuar më i vjetër në botë – në nekropolin e Varnës nga mijëvjeçari i pestë para Krishtit. Prapë në Bullgari arkeologët gjetën thesaret më të pasura të enëve të arta të përpunuara nga trakët – fiset më të hershme që kanë populluar tokat tona. Në territorin tonë është gjetur dhe thesari më i madh prej monedhash – thesari i Devnjës. Për shkak të gjendjes së tyre specifike në udhëkryqin midis Evropës dhe Azisë, trojet bullgare janë shumë të pasura me monedha të lashta jo vetëm si sasi, por gjithashtu si shumëllojshmëri e prejardhjes dhe epokave, gjatë të cilave janë krijuar. Këtë e tregoi për Radio Bullgarinë Nikolaj Markov, doktor i shkencave historike dhe bashkëpunëtor në Muzeun Kombëtar të Historisë. Nga ai mësuam se monedhat më të hershme që janë zbuluar në trojet tona datohen gjysmë shekull pas fillimit të prerjes së monedhave në botë, djepi i së cilës konsiderohet Lidia e lashtë, sot në Turqinë lindore. Nga monedhat, nga përbërja e tyre dhe imazhet mbi to mësojmë shumë për marrëdhëniet ekonomike dhe sociale në shoqëri të ndryshme historike. Monedhat e para janë bërë nga aliazhi i natyrshëm i arit dhe argjendit. Dy metalet fisnike u bënë baza e prerjes së monedhave. “Në Bullgari nuk janë gjetur monedha nga epoka më e hershme e prerjes së monedhave në Lidi, por janë gjetur disa monedha nga fillimi i shekullit VI para Krishtit” – saktëson dr. Markov.

Në trojet tona gjenden shumë monedha trake. Mbi to janë pikturuar portretet e mbretërve të epokës përkatëse. “Monedhat trake japin mundësi të shohim portrete reale, thotë dr. Markov. – Mbi monedhat e atëhershme greke nuk ka portrete. Shkaku është vendi i veçantë i mbretërve trakë në shoqëri. Në fakt mbreti ishte një qenie në kufirin midis hyjnive dhe njerëzve. Ai ishte gjysmë hyjni. Ndoshta ky është shkaku që mbi dhjetëra emisione monedhash të shfaqen portretet e mbretërve trakë.”

Nga monedhat mësojmë se falsifikuesit e parë u shfaqën qysh në agimin e prerjes së monedhave. Në Ballkan janë gjetur mjaft emisione të tilla. “Një shembull janë emisionet e monedhave të keltëve, rrëfen dr. Nikolaj Markov. – Këto fise gjermane erdhën në Ballkan në fillim të shekullit III para Krishtit. Sipas një teorie, fisi i serdëve, të cilët ia dhanë emrin qytetit Serdika, kryeqyteti i sotëm Sofje, ishin me prejardhje kelte. Keltët imitonin monedhat e Aleksandrit të Maqedonisë. Imitacionet ishin më të lehta dhe me imazhe primitive. Por me sa duket këto monedha të falsifikuara qarkullonin, sepse nuk janë të rralla fare. Është e mundur që një pjesë prej tyre të jenë punuar në trojet bullgare.”

Por zbulimet më të pasura të monedhave në territorin bullgar janë nga koha e Perandorisë Romake. “Natyrisht nga kjo epokë kemi më shumë monedha. Veçanërisht nga koha e inkursioneve të barbarëve, kur njerëzit filluan të fshihnin pasuritë e tyre – shpjegon historiani Nikolaj Markov. Nën presionin e sulmeve barbare fshihja e monedhave përsëritej shumë herë, në vazhdim të disa shekujve. Si rezultat nga mesi i shekullit III deri në shekullin VII kemi gjetur shumë thesare prej monedhash. Thesari më i madh është ai i Devnjës, i cili u gjet gjatë vitit 1934. Bëhet fjalë për dy enë të mëdha prej deltine – njëra ishte plot me monedha, tjetra deri në tri të katërta të vëllimit të saj. Sasia e monedhave është kaq e madhe sa deri më sot nuk dihet numri i tyre i saktë. Disa prej tyre u vodhën, por shumica ruhen në fondin e Muzeut Arkeologjik në Sofje. Ka një hipotezë se kjo është një arkë e ushtrisë romake. Ajo është e pranueshme nga pikëpamja e karakterit të këtij thesari – qindra mijë monedha të argjendta.”



Thesaret familjare ishin me monedha të arta më të shtrenjta, dhe jo të argjendta, sepse kështu ishin më kompakte. Një periudhë interesante është Mesjeta e hershme në Bullgari – nga kjo periudhë nuk janë zbuluar shumë monedha, sepse pagimi me para nuk ishte shumë i zhvilluar. Për këtë shkak, kur në vitin 1018 Bullgaria u pushtua nga Bizanti, perandori Vasilij II urdhëroi që tatimet të mblidheshin jo me para, kurse në natyrë. Monedhat e para, për të cilat mund të pohohet me siguri se janë bullgare, janë monedhat e mbretit Ivan Asen, d.m.th. nga gjyma e parë e shekullit XIII. Mbi monedhat mesjetare vihej imazhi i mbretit përkatës, por këto imazhe nuk janë portrete, kurse më tepër shenja simbolike të pushtetit.

“Më shumë kërkohej skematizmi i imazhit dhe jo individualizimi i portretit – shpjegon historiani Nikolaj Markov. – Mbi të gjitha monedhat mund të shohim mbretin bullgar me të gjitha shenjat e pushtetit – kurorë, skeptër e kështu me radhë. Rreth imazhit të mbretit shkruhej emri i tij.”

Nga kohët e lashta deri në Mesjetë imazhi i sunduesit përkatës mbi monedhë ishte një garanci për autenticitetin e shenjës monetare. Shumë të pasura janë zbulimet e monedhave nga koha e Perandorisë Osmane. Kjo periudhë karakterizohet dhe me shumëllojshmërinë e monedhave, sepse atëherë qarkullonin çfarëdolloj monedhash nga tërë bota. Kështu arkeologët bullgarë jo një herë kanë gjetur dhe monedha nga Bota e Re – Peruja, Meksika.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
Fotografi: Veneta Pavllova

По публикацията работи: Veneta Pavllova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Familja e krishterë forcon marrëdhënien me Zotin

Hyrje e Hyjëlindëses së Tërëshenjtë në Tempull është një nga festat më të lashta dhe më të nderuara në botën ortodokse, e prezantuar në Kostandinopojë rreth shekullit të VIII-të, në kohën e Patriarkut Tarasij. Vetëm gjashtë shekuj më vonë, festa filloi..

botuar më 24-11-21 7.35.PD

Misioni sekret i zepelinit L 59 apo si Jamboll hyri në histori me një rekord botëror

Në një mëngjes të ftohtë nëntori të vitit 1917, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, një zepelin L 59 u ngrit nga baza afër Jambollit për në Tanzani. Qëllimi ishte furnizimi i municioneve dhe materialeve për njësitë ushtarake gjermane të vendosura në..

botuar më 24-11-11 7.05.PD

Gjetje kurioze arkeologjike në zonën Kavacite pranë qytetit bregdetar Sozopoll

Arkeologët studiuan një nekropol në zonën Kavacite pranë qytetit bregdetar Sozopoll. Perimetri në të cilin ndodhet është pjesë e historisë së Apolonisë Pontika dhe daton në shekullin e IV-të para Krishtit. “Kjo është një zonë me varrime interesante,..

botuar më 24-11-10 9.55.PD