Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Bozhidar Dimitrov krahasoi me një motel me pesë yje stacionin romak Sostra, i cili u zbulua para pak kohe pranë kështjellës me të njëjtin emër afër fshatit Llomec të rrethit të Trojanit. Kështjella studiohet që prej vitesh dhe ndodhet në një rrugë të rëndësishme të lashtë, e cila fillon nga lumi Danub te qyteti antik Eskus /pranë fshatit Gigen/ dhe vazhdon drejt Filipopolisit /Plovdivi i sotëm/ në Bullgarinë Jugore.
Ja se çfarë tregoi në një intervistë për Radio Bullgarinë udhëheqësi i gërmimeve arkeologjike doc. Ivan Hristov nga Muzeu Historik Kombëtar:
“Kjo rrugë ka një rëndësi strategjike për Perandorinë Romake dhe për provincat e saj veriore. Kjo është Via Militaris – një rrugë ushtarake. Ajo ka qenë nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të perandorit dhe është me rëndësi të madhe për transportimin e shpejtë të kontingjenteve ushtarake nga Trakia drejt Mizisë dhe anasjelltas. Nga ana tjetër ajo ka rëndësi edhe si një arterie ekonomike rrugore.”
Gërmimet te Llomec ishin filluar që gjatë viteve 70 të shekullit të kaluar nga arkeologu i njohur Georgi Kitov. Ai studioi atje disa tumula nga epoka romake dhe një mauzole me nekropol. Në vitin 2002 Ivan Hristov, bashkë me Sergej Torbatovin nga Instituti Arkeologjik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave i rifilluan studimet. Deri tani nga kompleksi në fjalë janë studiuar një kamp i fortifikuar, një godinë nga vendbanimi civil romak, traseja e rrugës antike para murit të kështjellës, bazilika “Shën Gjergji”, një vend i shenjtë i kalorësit trak, që ndodhet afër Sostrës.
“Në fakt ne flasim për një luginë – te lumi Osëm, pranë fshatit të sotëm Llomec, ku mbi më shumë se 6 kilometra katrorë kemi një territor me shumë ndërtesa – shënon arkeologu. – Ai është urbanizuar: ka rrugë, ujësjellës, kanalizim, vende kulti, një nekropol, ku njerëzit i varrosin të vdekurit, një fshat, i cili e shërben kështjellën dhe një stacion. Dhe meqenëse Sostra është e njohur në hartat gjeografike si një stacion rrugor, ne shumë kohë nuk ishim të qartë se ku gjendet ajo. Në fakt që gjatë muajit prill ajo u lokalizua dhe tashmë disponojmë një model të tërësishëm të vendbanimit nga epoka romake, i cili, po të përdorim terminologjinë moderne historike, ka një status gjysmëqytetar.”
Sa për stacionin, tani për tani arkeologët kanë gjetur tri hapësira të mëdha në pjesën e tij verilindore. Bëhet fjalë për godina moderne të asaj kohe – vë në dukje Ivan Hristov.
Gërmimet e stacionit rrugor janë në një pronësi private dhe Bashkia e Trojanit ka qëllim për ta blerë. Në qoftë se kjo ndodh dhe studiohen mbeturinat e stacionit, do të disponojmë një kompleks të ruajtur shumë mirë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Muzeu Historik Kombëtar
Vullnetarë përfshihen në pastrimin dhe rimëkëmbjen e manastirit “Shën Spas” pranë majës Bakaxhik në rajonin e qytetit Jamboll të Bullgarisë Juglindore. Aksioni u organizua më 2 nëntor nga kryebashkiaku i fshatit të afërt Çargan, Stoimen..
Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii” (pantofla), në një nga mëhallët e qytetit të Gabrovos (Bullgaria Qendore) lindi djali i dytë i Hristos...
Muzeu Historik Rajonal në Razgrad më 30 tetor në lidhje me mbylljen e sezonit turistik organizon një xhiro falas në Rezervatin Arkeologjik "Abritus". Gjatë gjithë ditës, ata që dëshirojnë të eksplorojnë Abritusin e lashtë do të shoqërohen dhe do të..