Njerëzit në Brëshljan ende mbajnë mend kohërat, kur jeta aty ka qenë shumë intensive dhe shkolla vendase ka qenë plot nxënës. Tani nga fshati i dikurshëm me banorë të zgjuar dhe histori të pasur, kanë mbetur rreth 50 veta. Në Brëshljan mbretëron një qetësi e madhe. Vetëm gjatë verës vijnë më shumë njerëz, që të kalojnë pushimet verore.
Në të kaluarën, kur ka qenë në kufijtë e Perandorisë Osmane, fshati e ka pasur emrin Sërmashik, që në turqisht do të thotë “urth”, domethënë “brëshljan” – përkthyer bullgarisht. Ndoshta pikërisht për faktin se mban emrin e një bime me gjethe gjithmonë të gjelbra, e cila mbijeton edhe në motin e nxehtë, edhe në atë të ftohtë, ose sepse ndodhet në fund të Bullgarisë, larg kureshtjes së njerëzve dhe globalizimit, Brëshljan nuk i dorëzohet kohës.
Në fillim të shekullit të XX-të fshati i Stranxhës u gjend në qendër të luftërave për çlirimin e kësaj pjese të Ballkanit nga Zgjedha Osmane. Vendasit ende na tregojnë legjenda për vojvodët e guximshëm, të cilët u vranë nga robëruesit, për shtëpitë e grabitura dhe për fatet tragjike të njerëzve. Sot fshati disponon një thesar të vërtetë arkitekturor – mbi 80 shtëpi autentike 200 vjeçe. Nuk është e rastit se fshati është shpallur rezervat arkitekturor. Një prej shtëpive është shndërruar në muze etnografik. Te hyrja na pret mbikëqyrësja e muzeut Marullka Kirjazova, e cila na tregon për veçoritë e ndërtimit vendas. Del se shumica e këtyre godinave dykatëshe, të cilat vazhdojnë të qëndrojnë disa dekada me radhë, megjithë tërmetet dhe erërat e fuqishme malore, janë ndërtuar pa themele dhe janë të fortifikuara nën tokë. Prandaj kati i tyre i parë përbën një mur solid prej guri. Ja se si është ndërtuar ai, që të jetë kaq i qëndrueshëm:
“Gjëja më e rëndësishme është se në çdo 50-60 centimetra ka një shtyllë druri, e cila formon një brez të posaçëm – shpjegon Marullka Kirjazova. – Kështu qe po të ketë tërmet kjo shtyllë lëkundet dhe nuk e lejon shkatërrimin e murit dhe përkatësisht të tërë ndërtesës. Kati i poshtëm përdorej për kafshët, kurse ai i sipërm – për njerëzit. Jashtë është veshur me dërrasa të trasha prej dushku. Drurët janë përdorur menjëherë pas prerjes së pemës, që të mos thahen. Prandaj ndërtesa është solide. Është interesant fakti se këto dërrasa nuk janë bojatisur me preparate impregnuese, nuk janë përdorur edhe gozhde. Dërrasat montohen njëra në tjetrën dhe siç e shihni nuk janë dëmtuar aspak gjatë të gjitha këtyre 300 viteve.”
E shikojmë me kureshtje katin e dytë, ku ka një vatër tipike, të vendosur në mur, si dhe... një komoditet – një tualet në tarracë. Ai përbën një vrimë të thjeshtë, të prerë në dyshemenë e drurit. Edhe godina tjetër e vjetër – Shtëpia e Baljusë, është shndërruar në muze, kurse në oborrin e saj, posaçërisht për turistët zhvillohen të ashtuquajturat “ndeja”. Disa gjyshe vendase, të ulura në karrige me tri këmbë dhe të veshura me kostume të bukura popullore, këndojnë këngë të krahinës së Stranxhës dhe paraqitin zanate vendase. Nëpër rrugicat e pjerrëta të Brëshljanit shohim një grup francezësh dhe një tufë kuajsh, që kullosin lirisht në sheshin e fshatit. Atje ndodhet kisha e vjetër “Shën Dhimitër”, ku ndodhet dhe shkolla e vjetër, që sot është një atraksion turistik. Në dhomën e ngushtë kanë mësuar djem të moshës 12-13 vjeç. Vogëlushit nuk kanë përdorur ndenjëse, por janë ulur drejtpërsëdrejti në dysheme. Ata kanë shkruar jo në fletore, por në pllaka prej dylli. Germat i kanë shkruar me shkopinj të vegjël dhe të hollë.
Turistët në rajon ka se ku të vendosen. Ka shumë shtëpi për turistët, ku mund të shijoni atmosferën shtëpiake dhe gjellët e shijshme fshatare. Po të shëtisni në fshat, do të shihni oborret e zhytura në gjelbërim dhe shtëpitë e vogla prej druri, sikur të jenë pikturuar nga dora e fëmijës. Nuk mund të mos i drejtosh pyetje vetes “A është kjo ëndërr, apo është realitet?” Por pasi pickohesh, do të bindesh se je i zgjuar dhe se ndodhesh në një prej vendeve më të bukura të Bullgarisë. Brëshljan do të të fitojë për gjithmonë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Veneta Nikollova
Në Ekspozitën Botërore të Turizmit WTM në Londër, Bansko u dallua si një nga destinacionet më të dëshirueshme në botë. Qyteti turistik hyri në top 10 të renditjes prestigjioze të Lonely Planet - "Më i miri në udhëtim 2025". "Kjo është një tjetër..
Dokumentari i Televizionit Kombëtar Bullgar (BNT) "Pasqyra shpirtërore e qytetit të krishterë Nesebër" u nderua me gjithsej katër çmime në tri festivale prestigjioze ndërkombëtare të filmit në Brazil, Gjeorgji dhe Portugali. Skenarist i filmit është..
Udhërrëfyesi i njohur i udhëtimit "Lonely Planet" e renditi resortin bullgar Bansko në Pirin ndër vendet më të mira për t'u vizituar vitin e ardhshëm në udhëzuesin e tij " Best in Travel 2025", raportoi BTA. Platforma e përshkruan Banskon si "një..
Tërheqësja e vjetër në fshatin Govedarci, bashkia e Samokovit në malin Rilla, do të modernizohet në një teleferik me katër ulëse me një kapacitet prej..
Bullgaria, e vendosur në qendër të qytetërimeve të lashta, ofron pamje mbresëlënëse historike, të rrethuara nga brigjet më të mira të Detit të Zi dhe..