Aktivitetet kulturore në parkun e bukur të ish rezidencës mbretërore “Vrana” janë ndër theksat në programin e sivjetshëm festiv me rastin e Ditës së Sofjes, 17 shtatorit, kur shprehet nderi ndaj Shën Sofjes dhe tri vajzave të saj Vjara (Besa), Nadezhda (Shpresa) dhe Ljubov (Dashuria). Gjithnjë e më shumë aktivitete zhvillohen në të hapur, vuri në dukje zëvendëskryetari i bashkisë së Sofjes për kulturën Todor Çobanov, duke na rikujtuar dhe disa prej adresave të tyre të përkohshme – ekspozita në urën e të dashuruarve pranë Pallatit Kombëtar të Kulturës dhe në kopshtin para Klubit Ushtarak, koncertet në skenën në të hapur në Kopshtin e Borisit dhe në kopshtin para Pallatit Kombëtar të Kulturës.
Në vigjilje të festës nën qiellin e hapur në parkun Vrana zhvillohet edicioni i parë i Festivalit “Ndaje muzikën – mbrëmje në pallatin “Vrana”, me pjesëmarrjen e Filarmonisë së Sofjes”. “Në këtë park organizojmë ngjarje të tilla për herë të parë – nënvizon zoti Çobanov. – Para disa vitesh e shndërruam parkun e Akademisë Ushtarake në Sofje në një vend të përshtatshëm për shfaqje operistike dhe të baletit në të hapur. Tani për herë të parë ofruam edhe në parkun “Vrana” një program më serioz me koncerte të mëdha klasike, të cilat paraqitin më të mirën e muzikës klasike evropiane. Shpresojmë që vitin tjetër programi veror kulturor në parkun e pallatit “Vrana” të bëhet traditë në qytetin tonë.”
Disa ditë para festës, përsëri në parkun “Vrana”, u paraqit për herë të parë edhe një koleksion prej dhjetë karrocash mbretërore, të cilat tashmë janë pronë e Muzeut të Sofjes. Më 17 shtator sofjanasit mund të shohin një prej tyre. Ajo do të lëvizë në bulevardin “Vitosha” me karrocierë dhe udhëtarë të veshur me kostume historike.
“Në vitin 1893 kjo karrocë iu dhurua nga princesha Klementina mbretit Ferdinand për dasmën e tij me Maria-Luizën – na shpjegoi zëvendëskryetari i bashkisë së Sofjes. – Nga tërë koleksioni ajo ishte në gjendje më të mirë. Këto karroca të vjetra kanë një fat të rëndë. I kanë përdorur në qendrën kinematografike “Bojana” dhe shumë kohë kanë mbetur në garazhin e Shërbimit Kombëtar të Mbrojtjes. Morëm vendim për restaurimin dhe lëshimin e saj në eksploatim në Ditën e Sofjes.”
Ideja është që sa më shpejt karrocat e koleksionit të mbretit të mund t’i shëtitin turistët nëpër shtigjet e parkut “Vrana”. “Kemi plane të tilla – e ripohon këtë zoti Çobanov. – Por para kësaj duhet t’i restaurojmë këto karroca dhe ky nuk do të jetë një proces i lehtë, sepse shumë prej tyre janë në një gjendje shumë të keqe. Jo të gjitha pjesët dhe materialet e domosdoshme për këto karroca ndodhen në Bullgari. Që tani jemi të qartë se ato do të importohen nga jashtë. Na pret një punë shumë e rëndë, por megjithatë gëzohemi se pas të gjitha peripecive Muzeu i Sofjes më në fund arriti t’i marrë prapë nga garazhi i Shërbimit Kombëtar të Mbrojtjes këto karroca të vjetra.”
Aktualisht tri prej karrocave mbretërore ndodhen në depon e Muzeut të Historisë të Sofjes. Për një prej tyre u mor vendim që të përfshihet në ekspozitën e përhershme të Muzeut, i cili do të hapet vitin tjetër. Kjo është një karrocë luksoze, e përdorur nga mbretëresha frënge Maria-Antoaneta. Pas kësaj i është dhuruar mbretit bullgar, i cili është i afërm i saj nga fisi i Burbonëve.
“Karroca është unikale në koleksionin e muzeut tonë. Është bërë për mbretëreshën frënge dhe pas kësaj i është dhuruar mbretit Ferdinand për dasmën e tij. Në Bullgari karroca ndoshta është përdorur vetëm një herë. Prandaj është ruajtur shumë mirë dhe mund të lëvizë. Por për faktin se është e praruar dhe është një eksponat shumë i vlershëm u mor vendim për vendosjen e saj brenda muzeut. Ajo është në komplet me një garniturë për 6 kuaj, e cila është punuar në Bullgari.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi:dnevnik.bg
Janë 4 shfaqje emocionuese të kinemasë bullgare në Paris. Nga data 10 deri më 13 shtator në kryeqytetin francez do të mbahet Festivali i Kinemasë Bullgare, ndërsa edicioni i gjashtë i tij është nën moton "Së bashku më të fortë". "Këtë vit duam..
Deri më 15 shtator, Bulevardi “Vitosha” i kryeqytetit dhe parku përballë Pallatit Kombëtar të Kulturës janë shndërruar në një librari të madhe në ambient të hapur. Edicioni i radhës i "Rrugicës së Librit", organizuar nga Shoqata "Libri..
Brazili është ndoshta një nga destinacionet më pak të njohura për të emigruar mes bullgarëve sot. Vetë vendi nuk ka një standard jetese kaq të lartë, megjithatë bashkatdhetarët tanë që kanë zgjedhur të jetojnë atje janë shumë të kualifikuar...
Në vitin 2024 mbushen 200 vjet nga shfaqja e së ashtuquajturës "Abetare me mësime të ndryshme" . Ky është titulli origjinal i librit i njohur më..