Afër fshatit Mezek, rreth 6 km në jugperëndim të Svilengradit dhe vetëm 1 km larg kufirit grek, ngrihet një kështjellë e mesjetës bullgare. Ajo është ndërtuar në fund të shekullit të XI dhe në fillim të shekullit të XII, ndoshta gjatë udhëheqjes së perandorit bizantin Aleksej I Komnin. Ajo ka qenë kufi i jashtëm i Bizantit. Sot monumenti arkeologjik tërheq shumë vizitues, të cilët dëshirojnë të mësojnë më shumë për historinë bullgare.
Muret e kështjellës janë ndërtuar prej gurësh të ngjitur me horasan, të zbukuruar me tri shtresa prej tullash në anën e jashtme. Hyrja është te muri perëndimor. Muri jugor ka qenë më i rrezikuar nga sulmet e armiqve, prandaj është i thellë deri më 2.60 metra dhe ka pesë kulla mbrojtëse. Deri në fillim të shekullit të XX-të kështjella ishte ruajtur shumë mirë, por afër vitit 1900 u dëmtua seriozisht, sepse nga ajo ishin marrë gurë për ndërtimin e kazermave në qytetin fqinj Svilengrad. Në gjendjen më të keqe është muri verior i kështjellës. Muri është në nivelin e terrenit të murit të jashtëm. Sot kështjella e vjetër afër fshatit Mezek është shpallur monument arkeologjik i kulturës me rëndësi kombëtare, kurse në vitin 2009 u përfshi në listën e 100 objekteve turistike kombëtare të Bullgarisë. Rryma e turistëve vazhdimisht rritet pas restaurimit të saj në vitin 2013.
Sipas projektit të bashkisë së Svilengardit buzë murit të gurtë është rikrijuar një vendbanim i lashtë bizantin. Janë paraqitur tendat e mbretërve, kalorësit, qelitë e të burgosurve. Gjatë ditëve të festave jeta afër kështjellës ringjallet, në saje të disa amatorëve nga klubi folklorik i fshatit Mezek.
“Më shumë turistë ka verën, përfshi këtu dhe shumë të huaj – amerikanë, rusë, anglezë etj. – tregon Hube Skerlev, ciceroni i kompleksit arkeologjik. – Kështjella është bizantine dhe është ndërtuar me qëllim mbrojtjen e trojeve midis lumenjve Arda dhe Marica. Nga atje vjen edhe emri i vendbanimit të afërt Mezek, i cili në greqisht do të thotë “cak”, sepse ndodhet midis dy lumenjve, midis dy kufijve. Tërë lugina e Maricës e gjer te majat e para të malit Sakar, gjithçka shihet nga kështjella. Në të kaluarën kjo ka qenë një pajisje shumë e rëndësishme. Sipërfaqja e saj është pothuaj 7 dynymë, me 9 kulla dhe mure të trasha prej guri. Në fakt ajo ka qenë e pasulmueshme. Në qoftë se përfytyrojmë se ndodhemi në këmbët e kështjellës dhe lëvizim drejt hyrjes së saj, do të ishim nën goditjet e ushtarëve. Kështu ka ndodhur edhe në të kaluarën e largët. Duke lëvizur drejt hyrjes së kështjellës ushtarët armiqësorë ishin sulmuar dhe shumica e tyre vdisnin që para se ta arrinin hyrjen e kalasë. Vetë vendbanimi ndodhej para mureve, i rrethuar me një mur më të vogël. Në raste rreziku njerëzit janë fshehur në kështjellë, që të mbrohen. Më vonë fshati ndryshoi vendin e vet anas kështjellës. Meqenëse aty ka pasur vetëm garnizone ushtarake, arkeologët nuk kanë gjetur gjurmë prej banesash, ose kishash, megjithë supozimet e bëra. Mirëpo, prapa mureve të kalasë janë gjetur mbeturina prej shtizash, shigjetash, potkonjsh, monedha tatare prej bronzi nga shekulli i XII-XIII, qeramikë mesjetare etj., mbeturina të cilat na japin një përfytyrim të mirë për mënyrën e jetesës së garnizoneve të atëhershëm. Kështjella afër Mezekut ka funksionuar që deri në shekullin e XIV-të, deri në sulmin osman dhe kurrë deri atëherë nuk është sunduar.
Kur turqit osmanë sulmuan trojet tona, ata dispononin ushtri të mëdha, artileri dhe tashmë e përdornin barutin në armët e tyre. Ata e sunduan kështjellën dhe mbetën në të për një kohë të veçantë. Më vonë kështjella u shkatërrua, që të ndërtohen me materialin e saj ndërtimor kazermat turke. Gjatë disa viteve të fundit u bë vërtetë shumë për restaurimin e saj dhe ajo tashmë mund të vizitohet nga çdo një turist, i cili do që të zhytet në të kaluarën e saj shumëshekullore.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi:wikipedia.org
Në kulmin e sezonit turistik, Shpella “Magurata” mirëpret mesatarisht 1000 deri në 1500 njerëz në ditë. Fenomeni natyror dhe arkeologjik, i vendosur jo shumë larg nga qyteti i Bullgarisë Veriperëndimore – Bellogradçik , ka përmasa kolosale dhe i..
Në qytetin Kjustendill të Bullgarisë Jugperëndimore në lagjen Kollusha ngrihet kisha “Shën Gjergji Fitimprurësi”. Ajo u shpall monument arkitekturor dhe kulturor me rëndësi kombëtare. Ky është tempulli më i vjetër nga mesjeta në rajon. Krijuar..
Nuk është e nevojshme të udhëtojmë me mijëra kilometra, që të mund të arrijmë deri në vende në të vërtetë të shenjta për të krishterët dhe të pimë nga "burimi" çudibërës i besimit ortodoks. Tokat bullgare janë të përmbushura me qindra kisha dhe..