E quajnë Pernikun “Qytetin e Minatorëve”, sepse pikërisht në saje të punës së tyre qyteti u bë një qendër e rëndësishme industriale në Bullgarinë Jugperëndimore. Atje ndodhet Muzeu i Minierës dhe ky është muzeu i vetëm i këtij lloji në vend dhe në mbarë Gadishullin Ballkanik. Ideja për krijimin e tij lindi në vitin 1986, pasi disa minatorë nga Perniku u kthyen në shtëpi me përshtypje të shkëlqyeshme nga vizita e tyre në Muzeun e nxjerrjes së kripës së gurit në qytetin Veliçka të Polonisë. U mor vendim që muzeu të vendoset në galerinë më të vjetër për prodhim qymyri që nga viti i largët 1891. Kjo minierë ishte mbyllur në vitin 1966, kur rezervat u shteruan, kurse miniera bashkë me pajisjet e vjetra mbetën për të na rikujtuar për punën e rëndë në historinë e prodhimit të qymyrit në Bullgari.
Është kureshtar fakti se muzeu nuk është vendosur në një godinë të veçantë, kurse vizituesit e tij duhet të përdorin kaska mbrojtëse. Galeritë u japin mundësi vizituesve për ta ndjekur historinë e prodhimit të qymyrit në mjedisin e tij autentik. Muzeu ndodhet në nëntokë në një gjatësi prej 630 metrash. Atje njeriu mund të marrë përfytyrim të qartë për zhvillimin e prodhimit të qymyrit që nga koha e punës së dorës, përmes periudhës kur qymyret transportoheshin me ndihmën e karrocave dhe kuajve, e gjer te koha e sotme.
Mbikëqyrësit e Muzeut të Minierës në Pernik përhapin një informacion shumë të rëndësishëm për turistët. Atje mund të hyni vetëm bashkë me një shoqërues, pasi keni bërë kërkesë paraprake dhe në një grup nga 5 deri më 20 veta. Që të ndiheni më mirë, përveç kaskës mund të merrni me vete dhe një rrobë të sipërme, sepse temperatura nën tokë është gjithmonë e ulët, domethënë pak mbi 0 gradë Celsius.
Afër hyrjes së Muzeut në minierën e vjetër ruhet një pemë e fosilizuar e moshës më shumë se 5 mln vite. Për të flitet se është pema më e vjetër e ruajtur deri më sot në mbarë Evropën. Minatorët e dikurshëm, për të cilët çdo një hyrje nën tokë ka qenë plot rreziqe të papritura, e kanë quajtur “Pemën e Lumturisë”. E kanë prekur për fat të mirë, me shpresën se do të dalin shëndosh e mirë në fund të ditës së punës.
Në vitin 2013 Muzeu i Minierës u përfshi në listën e 100 objekteve turistike kombëtare të Bashkimit Turistik Bullgar. Që nga atëherë rryma e turistëve nuk ndërpritet gjatë tërë vitit. “Madje e zgjatëm orarin e punës edhe gjatë ditëve të pushimeve – shënoi Drejtoresha Emilia Velinova. – Ndjenja e vizituesit, pasi hyn në objekt, është më i ndryshëm, sesa në muzetë tradicionalë arkeologjikë, historikë dhe etnografikë. Ekspozita tregon nxjerrjen e qymyrit në Bullgari. Vendet në minierë, ku punohen shtresat qymyrmbajtëse, janë shumë interesante. Gjatë Festivalit të Kukerëve “Surva” në Pernik para rreth një muaji kishim mbi 2500 vizitues nga tërë Bullgaria. Kemi një sallë multimediale, ku ka prezantime dhe xhirohet filmi i parë dokumentar, kushtuar Pernikut dhe minatorëve vendas.
Në vitin 2012 u punua dhe u vendos këtu një ikonostas i Shën Ivan Rillskit. Ky është shenjtori, i cili konsiderohet mbrojtësi qiellor i bullgarëve. Legjenda tregon se si çudibërësi është paraqitur para një minatori në minierën e vjetër dhe e ka ndihmuar të dalë dhe të shpëtohet në një situatë kritike. Ngjarja i ka emocionuar vendasit. Atëherë ata kanë marrë vendimin për ta shpallur Shën Ivan Rillskin mbrojtës të qytetit të Pernikut dhe të minatorëve. Sipas disa të dhënave, ky shenjtor i nderuar nga ne, bullgarët, ka kaluar përmes këtyre trojeve dhe diçka më tepër, ka jetuar edhe në shpellat afër kodrës mbi qytetin e Pernikut Krakra.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Muzeu i Minierës
Në kulmin e sezonit turistik, Shpella “Magurata” mirëpret mesatarisht 1000 deri në 1500 njerëz në ditë. Fenomeni natyror dhe arkeologjik, i vendosur jo shumë larg nga qyteti i Bullgarisë Veriperëndimore – Bellogradçik , ka përmasa kolosale dhe i..
Në qytetin Kjustendill të Bullgarisë Jugperëndimore në lagjen Kollusha ngrihet kisha “Shën Gjergji Fitimprurësi”. Ajo u shpall monument arkitekturor dhe kulturor me rëndësi kombëtare. Ky është tempulli më i vjetër nga mesjeta në rajon. Krijuar..
Nuk është e nevojshme të udhëtojmë me mijëra kilometra, që të mund të arrijmë deri në vende në të vërtetë të shenjta për të krishterët dhe të pimë nga "burimi" çudibërës i besimit ortodoks. Tokat bullgare janë të përmbushura me qindra kisha dhe..