Kudo në botë ka fatkeqësi, tërmete, zjarre dhe përmbytje, sulme terroriste, migrantë ekonomikë. Prandaj aftësitë tona për të punuar në situata krize në ndihmë të të prekurve, bashkëpunimi midis ekipeve dhe partnerëve janë prioritet i Kryqit të Kuq Bullgar në detyrën e tyre për t’i ndihmuar njerëzit dhe shtetin. Organizata ka 28 ekipe vullnetare për punë në situata krize, ku janë përfshirë njerëz me profesione të ndryshme – mësues, mjekë, inxhinierë, dizajnerë, psikologë, profesorë universitarë. Vijnë njerëz me aftësi të posaçme – alpinistë, shpëtimtarë ujorë, udhëheqës malorë, të cilët janë përgatitur shumë mirë në dhënien e ndihmës mjekësore.
Trajnimi i sivjetshëm tradicional i ekipeve vullnetare të Kryqit të Kuq Bullgar në Burgas për veprime në raste fatkeqësish, avarish dhe katastrofash “Krajmorie 2016” doli jashtë kufijve të Bullgarisë. Ekipe nga Kryqi i Kuq Rumun, nga Kryqi i Kuq Francez, si dhe nga Mburoja e Kuqe e Davidit e Izraelit ndanë përvojën e tyre me organizatën tonë. Në një intervistë për Radio Bullgarinë Marian Maçelaru, drejtor i Kryqit të Kuq Rumun në Giurgiu, tha:
“Bashkëpunimi ynë me Kryqin e Kuq Bullgar ka një histori të gjatë. Para pesë vitesh filluam të zhvillojmë edhe trajnime të përbashkëta për shpëtimin në ujë. Trajnimi i parë u zhvillua në Kavarna, kurse pas kësaj kishte trajnime në Giurgiu, në Krajmorie. Duhet të jemi së bashku. Unë do të them: “Në qoftë se fqinji është mirë, edhe ne do të jemi mirë.” – Aktualisht bashkë me Kryqin e Kuq në Ruse jemi duke punuar mbi një projekt të madh transkufitar për krijimin e një Qendre të përbashkët bullgaro-rumune për monitorim në raste fatkeqësish. Do të përdorim mjete nga BE-ja, atje do t’i stërvitim ekipet tona dhe do të jemi në dobi të dy shteteve.”
Romeo Radolesku ka lindur në Rumani, por që prej shumë vitesh banon në Izrael dhe punon për Mburojën e Kuqe të Davidit si ndihmës-mjek. Si formohen ekipet dhe si stërviten?
“Vullnetarët tanë vijnë nga shkolla. Në kuadrin e një programi të Ministrisë së Arsimit është detyrueshëm që nxënësit, që kanë mbushur 15 vjet, të punojnë si vullnetarë në sfera të ndryshme publike. Një pjesë e madhe prej tyre vijnë në Mburojën e Kuqe të Davidit, ne i stërvitim në kuadrin e 60 orëve për të dhënë ndihmë urgjente. Pas kësaj ata gradualisht fillojnë të punojnë me ne në ambulancë. Në kuadrin e një – dy viteve ata grumbullojnë mjaftë përvojë, që të punojnë me ne. Sigurisht që më të rinjtë nuk i përfshijmë, po të ketë fatkeqësi të mëdha, por me kalimin e viteve vullnetarët tanë përfitojnë mjaftë aftësi për dhënien e ndihmës mjekësore dhe janë shumë përgjegjës.
Për herë të parë jam në Bullgari, por në kuadrin e qëndrimit tim të shkurtër këtu më bëri një përshtypje të madhe puna e vullnetarëve të Kryqit të Kuq Bullgar, entuziazmi i tyre, profesionalizmi dhe fakti se Kryqi i Kuq Bullgar i përgatit vullnetarët e tyre për të punuar në situata të ndryshme – shpëtim në ujë, metoda alpine për punë në raste shkatërrimesh, punë me refugjatët. Ne në Mburojën e Davidit të Izraelit nuk kemi kaq shumë veprimtari.”
Kryqi i Kuq i Francës punon me 50 mijë vullnetarë. 10 mijë prej tyre janë stërvitur për të dhënë ndihmë urgjente. Franca u bë objekt sulmesh terroriste dhe pyetja jonë ndaj Gil Melfertit, vullnetar nga 20 vjet, ka të bëjë me këtë. Çfarë duhet të dihet?
“Gjatë sulmeve të para terroriste isha në punë dhe nuk kam marrë pjesë, kurse gjatë sulmit në Nicë, punoja për koordinimin e veprimtarive të Kryqit të Kuq Francez, me autoritetet vendase dhe ministritë e ndryshme. Vullnetarët duhet të dinë se nuk ka risk zero. Po të jepet ndihmë gjatë sulmeve terroriste duhet të jemi të gatshëm, duhet të jemi në dijeni të procedurave speciale dhe të kërkesave. Vullnetarët duhet të dinë se çfarë duhet të bëjnë, çfarë materialesh duhet të disponojnë dhe të realizojnë një koordinim të shkëlqyeshëm me autoritetet: me policinë, zjarrfikësit dhe strukturat e tjera.”
Sistemet e ndryshme të punës vullnetare dhe të ekipeve vullnetare për shpëtimin në raste fatkeqësish dhe katastrofash praktikohen në shoqëritë e Kryqit të Kuq në botë, por të gjitha ato punojnë në emër të vlerës më të madhe – të jetës së njeriut.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Sillvija Nikollova
Iluminist - njeri që me veprimet, idetë ose krijimtarinë e tij zgjon shpirtin e popullit, ruan dhe përhap vetëdijen, kulturën dhe edukimin kombëtar. Në historinë bullgare, ky koncept lidhet më shpesh me periudhën e Rilindjes (shek. XVIII-XIX) dhe me..
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e furnizuara nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, shumica janë në mbështetjen e tij. Ai erdhi pak..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë në Luftën e Parë Botërore (1914-1918). Historianët e përkufizojnë dokumentin si "katastrofa e radhës..
Jeta e miliona njerëzve anembanë botës, që jetojnë në kushte lufte, urie, sëmundjesh dhe dëshpërimi të pamasë, është në rrezik çdo ditë. Emigrantëve nga..
Më shumë se 1000 njerëz janë përfshirë në fazën pilot të projektit “Gjenomi i Bullgarisë”, i cili synon të mbledhë dhe analizojë një mostër përfaqësuese të..
Me afrimin e dimrit, shumë njerëz në Evropë po pyesin se si do të ndikojë sezoni në portofolin e tyre dhe nëse do të detyrohen të zgjedhin, për shembull,..