Gjatë ditëve të para të vitit 2017 u regjistrua një ndotje e madhe e ajrit në mbarë Bullgarinë. Në Sofje grimcat e vogla të pluhurit i tejkaluan normat e lejuara pesë herë. Janë prekur gjithashtu qytetet Shumen, Plovdiv, Bllagoevgrad, Pernik etj. Emilia Stojneva, shefe e degës “Monitorimi i ajrit, zhurmës dhe monitorim radiologjik” pranë Drejtorisë Ekzekutive të Mjedisit, komentoi:
“Shkaqet kryesore për ndotjen me grimcat e vogla të pluhurit janë ngrohja me lëndë të ngurta djegëse gjatë stinës dimërore, emisionet e transportit automobilistik dhe atij publik, kushtet e këqija klimatike si temperaturat e ulëta dhe mungesa e erës. Aktualisht sipas të dhënave të Agjencisë Ekzekutive të Mjedisit është regjistruar rritje e normës së lejuar në 15 vendbanime. Përqendrimet më të larta të grimcave janë regjistruar në Plovdiv – 3,15 herë dhe në Burgas – 2,4 herë. Grupet e ndjeshme të popullsisë janë njerëzit me sëmundje të mushkërisë dhe astma. Që nga fillimi i vitit deri tani, përqendrimet më të larta u matën më 2 janar në Sofje, Shumen, Bllagoevgrad, Gorna Orjahovica dhe Pernik. Niveli i grimcave të vogla të pluhurit ka qenë nga 3 deri më 5 herë mbi normë. Norma është 50 mikro gramë për një metër kubik, të maura në kuadrin e 24 orëve. Duhet të vihet re se Sofja ndodhet në një luginë, ku gjatë kushteve të pafavorshme klimatike si mungesë ajri dhe temperatura të ulëta ka ndotës atmosferikë dhe ata grumbullohen në shtresën rreth tokës.”
Për problemin e tanishëm dhe vendimet e mundshme biseduam me Boris Bonevin nga organizata civile joqeveritare “Shpëtoje Sofjen”:
“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë grimcat e vogla të pluhurit janë jashtëzakonisht të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Ato shkaktojnë demencë, probleme të zemrës, probleme me mushkërinë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, vdekshmëria mesatare si rrjedhim i ndotjes së ajrit është rreth 55 veta nga 100 mijë. Në Sofje nga 800 deri në 900 veta në vit vdesin për shkak të ajrit të ndotur. Si mund të ruhemi? Disa prej masave, të cilat mund të aplikohen, janë transporti falas publik në ditët e ndotjes më të madhe të ajrit, lëvizja me targa me numër çift dhe tek të automjeteve, mbyllja e disa vendeve të parkimit, krijimi i më shumë zonave për kalimtarët, ndryshimi i mjedisit urban, kështu qe ai të jetë më atraktiv për kalimtarët dhe biçikletistët. Bashkia mund ta ndryshojë mënyrën, në të cilën formon tatimet dhe taksat e saj vendase. Aktualisht, veturat më të reja ekologjike paguajnë tatim më të lartë 2.8 herë nga ai i vjetër. Me rëndësi të madhe është që bashkia ta kuptojë problemin dhe të mos e shuajë zjarrin, pasi ai është ndezur, por të marrë masa preventive për pakësimin e trafikut, për zhvillimin e transportit publik. Bashkia e Kryeqytetit nuk tregon interes sa i përket këtij problemi, derisa të mos bëhet tepër vonë. Statistika tregon se megjithë ndërtimin e metrosë dhe zgjerimin e rrjetit të metrosë, përdoruesit e transportit publik po pakësohen. Shkaqet janë se transporti publik ende nuk është i rregullt, kurse vijat nuk janë të optimizuara. Duhet të aplikohet gjithashtu sistemi i integruar i biletave. Kështu nuk do të blejmë bileta të reja, pasi e kemi ndërruar autobusin. Rritja e madhe e çmimit të biletës me 60 për qind u bë shkas që një numër i madh njerëzish ta mos përdorin transportin publik. Sipas disa njerëzve lëvizja me veturë private është madje më e lirë. Ka dhe diçka tjetër shumë të rëndësishme – shëndeti nuk ka vlerë. Jeta nuk ka vlerë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë çdo një fëmijë i tretë në Bullgari vuan nga astma. Në fund të fundit më e rëndësishmja është që fëmijët të jenë të shëndetshëm, sesa ndokush të paguajë 10, ose 20 leva më shumë tatim vjetor për automobilin e tij. Bashkia duhet të jetë e qartë se cilat janë prioritetet e saj.”
Bashkia e Kryeqytetit përmbahet ta komentojë temën. Shpresa për modernizimin e transportit të qytetit jep elektrobusi elektrik, i cili do të hyjë në eksploatim në Sofje nga data 15 janar.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Në kalendarin e Kishës Ortodokse Bullgare janë edhe tri ditë të veçanta në të cilat besimtarët i luten Zotit dhe japin lëmoshë në kujtim të të dashurve të tyre të vdekur. Këto janë tre Ditët e Gjithë Shpirtrave që shënohen gjithmonë të shtunave para..
Tekste të shkurtra në rusisht dhe gjermanisht nga ueb-faqja e Radio Bullgarisë , u bënë pjesë e mësimit të nxënësve nga Shkolla e Mesme Nr. 81 "Viktor Jugo" në Sofje në Ditën e Iluministëve të Popullit. Mësuesja Maria Novosellceva dhe nxënësit nga..
Iluministët janë individët për të cilët ndjejmë jo vetëm mirënjohje dhe admirim, por edhe i perceptojmë si disa nga figurat më domethënëse të historisë sonë, sepse na zgjojnë ndjenjën e bashkimit kombëtar. Megjithatë, çfarë fshihet pas konceptit të..
Nga raporti i Këshillit të Ministrave për zbatimin е "Strategjisë Kombëtare të Përditësuar për Zhvillimin Demografik të Popullsisë në Republikën e..
Bullgarë nga 18 vende, 34 shkolla jashtë dhe 8 pedagogë bullgarë nga universitetet jashtë vendit janë pjesëmarrës në vitin e parë të Programit Kombëtar..