Buzë malit Stara Pllanina, afër një prej meandrave më piktoreske të lumit Iskër, ndër kodrat e gjelbra është zhytur Manastiri i Çerepishit “Fjeta e Hyjlindëses Shën Mëri”. Përshtypje të madhe bëjnë shkëmbinjtë e bardhë me format e tyre interesante mbi lumë, të cilët e bëjnë rajonin edhe më tërheqës.
Shumë janë legjendat për manastirin dhe për prejardhjen e emrit të tij. Shumica prej tyre janë lidhur me betejat e fundit të mbretit Ivan Shishman me sunduesit osmanë. Lidhja e këtyre trojeve me dinastinë Shishmanovci është pasqyruar edhe në toponiminë vendase. Aleksandra Petrova nga Muzeu Regjional Historik – Vraca tregon për rolin e manastirit gjatë viteve:
“Me Manastirin e Çerepishit është lidhur një prej dorëshkrimeve më të hershme. Kjo është një rregullore e shkruar në fund të shekullit të XIV-të, kur Shteti Bullgar i Mesjetës u pushtua nga osmanët. Sipas saj manastiri është rimëkëmbur në vitin 1296 pas shkatërrimit të tij. Këtej e tutje duhet të mendojmë se ai është themeluar gjatë Mbretërisë së dytë Bullgare. Ai është djegur dhe grabitur gjatë shekujve të kaluar, por është ringjallur disa herë, pa humbur fuqinë e tij tërheqëse. Gjatë zgjedhës turke Manastiri i Çerepishit ka qenë një qendër e gjallëruar e kulturës kishtare dhe fetare. Gjatë shekullit të XVII atje u themelua një shkollë, që luajti një rol shumë të rëndësishëm për ruajtjen e gjuhës bullgare dhe alfabetit sllav. Ka gjithashtu një metoh në Teteven bashkë me një shkollë vajzash . Në manastir kanë punuar letrari Partenij Pavlloviç, Jakov, i cili shkroi “Apostull” në vitin 1630. Prifti Todor Vraçanski krijoi vëllimin “Margarit” (1762). Në vitin 1797 letrari dhe rilindësi i popullit Shën Sofronij Vraçanski, i dëbuar nga Udhëheqësi i Vidinit Osman Pazvantoglu, gjeti strehim në manastir. Atje ka punuar gjithashtu Damaskin Hilendarec. Roli i manastirit si një qendër shpirtërore dhe kulturore vazhdoi edhe gjatë vitit 1925, kur u krijua atje një shkollë për priftërinj. Në periudhën 1950-1999 këtu ndodhej Seminari Teologjik i Sofjes “Shën Ivan Rillski”. Gjatë Luftës së dytë Botërore në manastir u evakuua edhe Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Bullgare.”
Ja se çfarë na tregoi zonja Petrova për monumentet e pasurisë sonë letrare, të krijuara në manastir:
“Në vend të parë duhet të shënohet Ungjilli i Çerepishit, i eksponuar në Muzeun Historik Regjional Vraca. Ky është një shembull i shkëlqyeshëm i mjeshtërisë artistike dhe kaligrafike nga shekulli XVI. Në vitin 1612 argjendarët e njohur Nikola dhe Pala punuan kopertinën e tij prej ari – një kryevepër e vërtetë e artit të aplikuar dhe e shkollës së punimit të arit gjatë epokës së Rilindjes. Dorëshkrimi i tij daton në vitin 1616 dhe është i njohur si Ungjilli i Danailit – vepër e hierodhjakut Danail. Ruhet në Kishën e Mitropolitit të Vracës “Shën Nikollaj”. Në manastir janë zbuluar vepra të Patrikut Evtimij dhe libra të tjera.”
Interes përbën edhe Kisha e Manastirit:
“Në fillim të shekullit të XVII ajo u rimëkëmb nga Shën Pimen Zografski – një figurë e shquar shpirtërore bullgare, zograf, ndërtues i tempujve. Pasi u kthye nga Atoni ai rinovoi rreth 300 kisha dhe 15 manastire si ai i Zografit në Aton. Vepra e tij patriotike përmendet edhe në “Historinë Sllavo-Bullgare” të Paisi Hilendarskit. Mendohet se shtresa e parë e mbishkrimeve në mur daton në fillim të shekullit XVII dhe është shkruar nga vetë Pimeni.
Shtresa e dytë është nga shekulli XIX. Është vepër e dy mjeshtërve – Jonko Popvitanov nga Trjavna dhe Vasill Iliev nga Dobërsko. Theksi në interiorin e kishës është një savan i bërë në vitin 1844.”
Zonja Petrova na solli hollësi interesante edhe për godinat e ndryshme në kompleksin e manastirit, të cilat datojnë që në shekullin XIX:
“Në atë të Peshkopit ka një kishë të vogël të Pimen Zografskit. Një legjendë tregon se shtëpia e Rushidovit është ndërtuar nga ajani Rishid Beu, i cili e ka pasur bijën të sëmurë. Shën Mëria e ka këshilluar vajzën në ëndërr që të kërkojë shpëtim në Manastirin e Çerepishit. Të dëshpëruar nga provat e shumta të pasuksesshme për kurim, pavarësisht nga feja e tyre, prindërit e kanë çuar vajzën atje dhe ajo është shëruar. Si shenjë mirënjohjeje beu ka ndërtuar atje në shkëmbinjtë e lartë një shtëpi.
Sipas legjendës atje është fshehur shpata e revolucionarit dhe poetit të madh Hristo Botev, e vendosur atje nga murgjit pas vdekjes së vojvodës në Ballkanin e Vracës. Sot ajo është ekspozuar në Muzeun Regjional Historik Vraca. Eshtërorja e Manastirit, është ndërtuar në vitin 1784 nga igumeni Epifanij. Supozohet se atje ndodhen edhe lipsanat e pjesëmarrësve në Çetën e Botevit.
Vendi dhe tarraca e Vazovit dëshmojnë për qëndrimin e Patrikut të Letërsisë bullgare atje. Ivan Vazov është frymëzuar nga tregimet e murgjve dhe vendasit dhe ka shkruar 48 vepra lirike të përfshira në ciklin “Këngët e Endacakut”. Manastiri e ka frymëzuar gjithashtu për shkrimin e subjekteve të tregimeve të tij të njohura “Gjyshi Joco shikon” dhe “Një bullgare”. Akoma një shkrimtar tjetër i njohur bullgar Aleko Konstatantinov shkroi librin “Zvicra bullgare” pasi e vizitoi manastirin. Natyra e bukur e ka mahnitur edhe aventurierin hungarez Feliks Kanc, i cili e quajti Manastirin e Çerepishit “vendin më të bukur në botë.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Svetllana Dimitrova
Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii” (pantofla), në një nga mëhallët e qytetit të Gabrovos (Bullgaria Qendore) lindi djali i dytë i Hristos...
Muzeu Historik Rajonal në Razgrad më 30 tetor në lidhje me mbylljen e sezonit turistik organizon një xhiro falas në Rezervatin Arkeologjik "Abritus". Gjatë gjithë ditës, ata që dëshirojnë të eksplorojnë Abritusin e lashtë do të shoqërohen dhe do të..
Më 26 tetor, Kisha jonë nderon kujtimin e Shën Dëshmorit të Madh Dhimitri të Selanikut, i konsideruar si një nga shenjtorët më të mëdhenj të Ortodoksisë. Në vendin tonë emri i tij lidhet edhe me rivendosjen e Mbretërisë së Dytë Bullgare në shekullin..
Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii”..