Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Fletorja personale e Hristo Botevit dëshmon për vitin e fundit të jetës së tij

Në faqet, poeti revolucionar shkroi edhe emrat e kreshnikëve të vitit 1876

Foto: nationallibrary.bg

Më 2 qershor, ne përulemi para Hristo Botevit – një mbrojtës i zellshëm për lirinë e Bullgarisë, poet dhe publicist. Pikërisht në orën 12:00, një ulërimë sirene dhe një minutë heshtje na kujtojnë bëmën e revolucionarit dhe të gjithë atyre që vdiqën për lirinë e atdheut. Tradita që dëshmon për respektin kombëtar ndaj heroit daton që nga viti 1948. Një nga dokumentet e fundit të shkruara nga vetë Hristo Botevi, që arritën deri tek ne është fletorja e tij personale. Në çfarë rrethanash shfaqet, çfarë informacioni gjejmë në të dhe si arriti të ruhet për breza, do ta tregojmë në rreshtat e mëposhtëm:

Publicistika e zjarrtë e Hristo Botevit tregon se emigracioni bullgar në Vllahi në vitin 1875 nxitonte të ndiqte shembullin e serbëve në Hercegovinë dhe Bosnjë për të ngritur kryengritjen e tyre. Për të mos humbur momentin, ata me mendësi revolucionare, të quajtur "të rinjtë", duan që çështja e çlirimit të Bullgarisë të vendoset edhe në rendin e ditës të diplomacisë evropiane. Kjo mund të bëhej vetëm nëpërmjet një aksioni të guximshëm të armatosur. Për të gjithë njerëzit largpamës në atë kohë ishte e qartë se një përshkallëzim tjetër i Çështjes Lindore dhe ndryshimet në zotërimet evropiane të Perandorisë Osmane ishin të pashmangshme.

Hristo Botev me Nikolla Sllavkovin (në qendër) dhe Ivan Drasovin në Vllahi, 1875. Botev tërhoqi Nikolla Sllavkovin nga Rusia, ku kishte mbaruar shkollën ushtarake

Më 12 gusht 1875, në Bukuresht u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme e komitetit popullor. Atje u miratua një plan për një kryengritje mbarëkombëtare. Koha për përgatitje brenda tokave bullgare ishte shumë e shkurtër, dhe për këtë arsye parashikohej hyrja e çetave të mëdha emigrantësh nga Serbia, Rumania dhe Rusia Jugore. Hristo Botev, si lajmëtar i Komitetit Qendror Revolucionar Bullgar, shkoi në Odesa për të rekrutuar njerëz për çetat, para dhe armë ndër bullgarët në Perandorinë Ruse dhe Komitetet Sllave atje. Në atë kohë, poeti revolucionar bleu një fletore, në të cilën filloi të shënonte shkurtimisht shpenzimet e tij dhe emrat e mbi 200 vullnetarëve që takoi. 

Prof. Pllamen Mitev

"Ne e dimë me siguri se në emër të Komitetit Qendror Revolucionar Bullgar, Hristo Botev udhëtoi për në Odesa, duke kaluar nëpër vendbanime të ndryshme, ku kishte grupe kompakte emigrantësh bullgarë. Emrat e parë të përmendur në fletoren e Hristo Botevit janë pikërisht ata të aktivistëve që ishin aktivë në atë kohë brenda Rusisë së atëhershme.Të gjitha këto janë figura që do t’i shohim pak më vonë qoftë në përgatitjen e kryengritjes që nuk ndodhi në shtator 1875, qoftë si pjesë e apostujve në Giurgiu*, ose si pjesëmarrës në vetë çetën e Botevit” – tregon historiani i Universitetit të Sofjes Prof. Pllamen Mitev. 

“Ka diçka që dihet pak - vazhdon Prof. Mitev - se pasi apostujt e Giurgiu-t u nisën për të përgatitur kryengritjen në Bullgari, një pjesë e emigracionit nuk ishte në dijeni të vendimeve të marra tashmë në Giurgiu dhe më 6 mars 1876, një mbledhje e re e komitetit të përgjithshëm u mbajt në Brailla, në të cilën u mor vendimi për të përgatitur një kryengritje, edhe pse përgatitjet kishin filluar tashmë brenda vendit. Pjesëmarrësit në këtë takim në Brailla ranë dakord të përgatitnin grupe të mëdha emigrantësh, njëri prej të cilëve duhet të nisej nga Gallac, një tjetër nga Brailla, një i tretë nga Giurgiu, një i katërt nga Turnu Magurele, dhe kjo ishte një vazhdim i ideve të vitit 1875. Kur në prill dhe maj u arrit deri në shpalljen e parakohshme të kryengritjes në Bullgari dhe ideja e një njësie të madhe emigrantësh duhej të fillonte të realizohej, në praktikë përgatitja paraprake që kishte filluar në mars dhe prill u përfundua me planin e Botevit për të krijuar një çetë prej mbi 200 personash, të cilët do të kalonin në rajonin e Kozlodujit më 17 maj për t'u bashkuar me kryengritjen bullgare."

Nuk ka asgjë e habiteshe që në shumicën e faqeve të fletores së Hristo Botevit gjejmë emrat e dhjetëra figurave, që ishin të pranishme në planet e ndryshme nga vera e vitit 1875 deri në pranverën e vitit 1876 për krijimin e çetave të tilla emigrantësh. "Por është fakt se shumica dërrmuese janë aktivistë që marrin pjesë drejtpërdrejt në çetën e Botevit", shton studiuesi.

Një draft i një vargu nga poema "Varja e Vasill Levskit" ka mbijetuar edhe në fletoren e Hristo Botevit. Poeti e ka fshirë tekstin e shkruar në mënyrë të lexueshme, që do të thotë se rimat nuk janë spontane, se fjalët janë rregulluar dhe menduar për një kohë të gjatë. Duke iu referuar të sotmes, prof. Pllamen Mitev thekson: "Levski kërkon të menduarit."

Në faqet e fletores ka edhe tekste të tjera, shton prof. Mitev.

"Zbulojmë fragmente nga letrat që ai do t'ua dërgojë pak më vonë njerëzve me mendje të njëjtë nga anija "Radecki" midis 16 dhe 17 majit, kur ai shkruan dy nga letrat e tij të famshme drejtuar një grupi njerëzish me mendje të njëjtë nga Vllahia dhe aty shpreh gatishmërinë e tij për të sakrifikuar jetën në emër të lirisë bullgare."

Anija „Radecki“ – kartolinë

Në ndalesën e fundit të anijes "Radecki", përpara se çeta të zbarkonte në Kozlloduj, Hristo Botev ia dha fletoren e tij tregtarit Dimitër Gorov, gjithashtu një figurë në kauzën revolucionare bullgare. Ideja është që të ruhet në mënyrë që të mos bjerë në duart e policisë turke. Faqet përmbajnë shumë emra dhe adresa që do të dëmtonin rrjetin e komitetit konspirativ. Përvoja e fituar nga figurat revolucionare pas vdekjes së Vasill Levskit i inkurajon ata të jenë shumë të kujdesshëm dhe konspirativë. Botev jep një shembull personal për këtë. 

Dimitër Gorov dhe bashkëshortja e tij Ivanka shoqëruan Botevin dhe çetën e tij në anijen „Radecki“ deri në portin e Beket dhe zbarkuan në bregdetin rumun para zbarkimit në Kozlloduj

"Se ky nuk është thjesht një akt i ruajtjes së një arkivi për brezat e ardhshëm të historianëve ose mbështetësve të kauzës, mund ta gjykojmë edhe nga fakti që Dimitër Gorov u dha gjithashtu dy letra mbështetësve të tij në Vllahi, si dhe letrën e fundit gruas së tij (Veneta) dhe vajzës së tij Ivanka, e cila është një foshnjë e porsalindur... Dimitër Gorov dhe gruaja e tij zbarkuan në portin Beket dhe falë këtij veprimi të Botevit, sot kemi këto dokumente të fundit të mbetura të shkruara nga dora e tij" - thotë Prof. Mitev.

………

*

Pas dështimit të Kryengritjes së Stara Zagorës të shtatorit 1875 të organizuar me nxitim, në dhjetor, aktivistë të rinj revolucionarë u mblodhën në Giurgiu dhe vendosën të fillonin përgatitjet për një kryengritje të re në Bullgari.Të ashtuquajturit "apostuj" e shpërndanë komitetin dhe shkuan në brendësi të Bullgarisë për të përgatitur një kryengritje të re të bullgarëve, e cila mbeti në histori me emrin Kryengritja e Prillit. Kapja e anijes austriake "Radecki" dhe zbarkimi në bregun bullgar të Danubit ndihmuan në popullarizimin e kauzës bullgare në Evropë.

Lexoni më shumë nga koleksioni I Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BGNES, nationallibrary.bg, bulgarianhistory.org, arkiv




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Prof. Konstantinos Nihoritis për shkronjat bullgare dhe Vëllezërit e Shenjtë Kirill dhe Metodij

Prof. Konstantinos Nihoritis është një shkencëtar me të cilin i lidhim më shumë nga burimet e zbuluara greke për veprën e Vëllezërve Kirill dhe Metodij në shkallë botërore. Një studiues dhe teolog i shquar i Bullgarëve të Vjetër me botime të shumta..

botuar më 25-05-24 6.10.PD

Një ekspozitë që paraqet Heraklea Sintika gëzon një interes të madh në Evropë

Ekspozita mobile "Sekrete dhe Mistere nga Heraklea Sintika, një Udhëtim nëpër Kohë" do të hapet më 26 maj në Muzeun Kombëtar Sllovak. Ajo do të qëndrojë në Bratislavë deri në fund të korrikut, tha për BTA drejtoresha e muzeut në qytetin e Petriçit..

botuar më 25-05-19 12.27.MD

Hapet ekspozita fotografike-dokumentare "Jehona Botërore e Kryengritjes së Prillit" në Parlament

Një ekspozitë foto-dokumentare me temë "Jehona globale e Kryengritjes së Prillit" do të hapet sot, 14 maj, në orën 12:30 të mesditës në Hollin e Mermertë të Asamblesë Kombëtare. Në këtë aktivitet do të marrë pjesë stërnipi i William Gladstone, Francis..

botuar më 25-05-14 5.00.PD