Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

3 marsi – Dita e Çlirimit

БНР Новини
Foto: arkiv

Më 3 mars Bullgaria shënon Festën Kombëtare – Ditën e Çlirimit nga Pushteti i Perandorisë Osmane. Liria u soll si rezultat i Luftës Ruso-Turke të viteve 1877 – 1878, e cila ishte Çlirimtare për Bullgarinë. Më 3 mars në Shën Stefani, në afërsi të Stambollit, u nënshkrua Traktati Paqësor midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane, me të cilin Bullgaria u bë një shtet i lirë.

„Nënshkrimi i Traktatit Paqësor të Shën Stefanit“, gravurë

Si u arrit deri te çlirimi i bullgarëve? Kulmi i Lëvizjes Nacional Çlirimtare Bullgare ishte Kryengritja e muajit Prill të vitit 1876. Ajo u shua, por “çështja bullgare” hyri në rendin e ditës botërore. Në mbrojtjen e bullgarëve u shprehën shumë evropianë të shquar: politikanë si Uiljam Glladston dhe Oto fon Bismark, krijues të mëdhenj si Viktor Hjugo, Dostoevski, Oskar Uailld, shkencëtarë si Darvin dhe Mendelev. Shtypi i lirë arriti të ndërrojë opinionin shoqëror edhe në vende të cilat ishin të prir të përkrahin Perandorinë Osmane për arsye të interesave gjeopolitike. Një kontribut i madh dhe i rëndësishëm kishte gazetari amerikan Xhenjuariës Makgahan, i cili shkruante për gazetën britanike “Dejlli Njuz” dhe atë amerikane “Nju Jork Heralld”.

„Mbledhja në Oborishte merr vendim për shpërthimin e Kryengritjes së Prillit“, piktor Dimitër Gyxhenov

Në krizën e re ballkanike Rusia shikoi mundësi të rikthejë pozitat e veta në Evropën Juglindore, të cilat i humbi pas Luftës së pasuksesshme të Krimesë. Diplomacia ruse zhvilloi bisedime të ndërlikuara me Fuqitë e tjera të Mëdha, sidomos me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë. U sigurua neutraliteti i Fuqive të tjera të Mëdha me çmimin e një sërë kompromisesh ndaj rregullimit të ardhshëm të Evropës Juglindore. Më 24 prill të vitit 1877 Rusia i shpalli luftë Perandorisë Osmane dhe menjëherë filloi një sulm në Frontin e Kaukazit. Më 27 qershor të po këtij viti me një desant te qyteti danubian Svishtov, filluan operacionet tokësore në trojet e sotme bullgare.

„Trupat ruse kalojnë lumin Danub“, piktor Nikollaj Dmitriev-Orenburgski

Ushtria e modernizuar osmane ishte një forcë e rëndësishme ushtarake dhe lufta u bë më e gjatë, më e rëndë dhe më e përgjakshme, se sa fillimisht menduan në Shën Petersburg. Populli bullgar dha ndihmë të madhe për përfundimin e kësaj lufte me fitore. Për shembull repartet e ushtarëve vullnetarë bullgarë – opëllçenas, të formuara nga komanda ruse, u përfshinë në betejën më të rëndësishme dhe vendimtare – mbrojtjen heroike të grykës Shipka në malin Stara Pllanina gjatë gushtit të vitit 1877. Sulmi i Sjulejman pashës kundër kësaj gryke ishte me rrëndësi vendimtare në kundërofensivën osmane me qëllim sprapsjen e ushtrisë ruse përtej lumit Danub dhe fitimin e luftës. Mirëpo, në betejën te maja Shipka, e quajtur Termopilet bullgare, rusë dhe bullgarë korrën një fitore historike.

„Beteja për majën Shipka“, piktor Dimitër Gjuxhenov

Në fund të vitit 1877, pas një fitoreje tjetër historike – pranë qytetit Pleven, komanda supreme ruse vendosi, se nga pikëpamja politike është me rëndësi, që lufta të përfundojë jo më vonë se sa dimri i vitit 1878. Me këtë qëllim u planifikua një sulm i të gjitha forcave te Bullgaria Jugore përmes malit Stara Pllanina, të cilën gjatë dimrit dëbora e bënte të paarritshme dhe të pakalueshme. Edhe gjeneralët gjermanë menduan, se një ofensivë e tillë ishte e pamundshme. Megjithëkëtë, kjo mësymje u kurorëzua me sukses me përkrahjen e dhjetëra mijë bullgarëve, të cilët i ndihmuan ushtrisë ruse në marshimin e vështirë përmes grykave malore. Betejat vendimtare në jug të malit Stara Pllanina te Sofja, Shipka-Shejnovo dhe Pllovdiv siguruan fitoren e plotë të Ushtrisë Ruse. Kështu u arrit Traktati Paqësor më 3 marsi, i cili në fakt ishte vetëm paraprak.

„Beteja pranë qytetit Pleven më 27 gusht të vitit 1877“, piktor Nikollaj Dmitriev-Orenburgski

Vendimet definitive u miratuan në Kongresin e Berlinit të Fuqive të Mëdha gjatë muajve qershor-korrik të vitit 1878. Rezultatet e këtij takimi ndërkombëtar pasqyruan deri diku kompromiset e arritura që para luftës. Pavarësi reale mori vetëm Principata Bullgare, Bullgaria e sotme Veriore dhe rajoni i Sofjes, e cila formalisht mbeti vasale e sulltanit. Bullgaria Jugore me qendër qytetin Pllovdiv, u bë krahinë autonome në kufijtë e Perandorisë Osmane. Absolutisht nën sundimin e sulltanit mbetën troje të tjera të sotme bullgare: Maqedonia e Pirinit, malet Rodopa dhe Stranxha, si dhe Maqedonia e Vardarit dhe Trakia e Egjeut – rajone të populluara kryesisht me bullgarë. Pas këtyre ngjarjeve, formimi i Bullgarisë në kufijtë e saj të sotme është vepër fund e krye bullgare, rezultat i luftërave pothuajse 40-vjeçare. Vepër bullgar është edhe Kushtetuta e parë demokratike e vendit miratuar në vitin 1879, e cila e hodhi themelet e Bullgarisë si një shtet demokratik evropian.

„Kongresi i Berlinit“, piktor Anton fon Verner

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në zakonin "Pо́le, pо́le" ndërthuren besimi i krishterë dhe traditat pagane të bullgarëve besarabianë

Duke u zhvendosur në Besarabi më shumë se dy shekuj më parë, bullgarët morën me vete një pjesë të ritualeve tona të pasura. Në atdheun e tyre të ri, disa zakone u modifikuan nën ndikimin e traditave vendase, të tjera u zhdukën, ndërsa disa të tjera u..

botuar më 25-01-01 7.00.PD

Një faqe e autoritetshme e udhëtimit e shpalli Perperikon Maçu Piçu-n Evropian

Qyteti i shenjtë shkëmbor i Perperikonit mori një tjetër njohje të madhe. Pasi një muaj më parë hyri në top dhjetëshen e vendeve arkeologjike më interesante në Evropë sipas gazetës së njohur britanike “The Guardian”, tani është shfaqur në faqen e..

botuar më 24-12-27 9.48.PD
Varri i mbretit trak Sevt III në Goljamata Kosmatka

20 vjet më parë, arkeologu Georgi Kitov zbuloi varrin e mbretit Sevt III

Në vitin 2007, më 11 qershor, presidenti amerikan Xhorxh Bush – i riu vizitoi Sofjen. Sipas protokollit të kohës, konferenca për shtyp që ai dha për mediat u mbajt mes eksponateve të Muzeut Arkeologjik Kombëtar. Dreka zyrtare për të ftuarin u dha më vonë..

botuar më 24-12-23 7.30.PD