“Dielli i gushtit shkëlqente ulët mbi kodrat mesjetare. Ai ndriçonte me rrezet e veta të purpurta muret e vjetra dhe u jepte atyre një ngjyrë dhe efekt të veçantë.”
Kështu Patriku i letërsisë bullgare Ivan Vazov e ka parë Hisarjën para më shumë se 130 vitesh. Sipas studiuesit Atanas Kënçev Ivan Vazovit i ka pëlqyer të shëtisë në perëndim të diellit në vendpushimin e bukur rrëzë malit Sredna Gora dhe të kënaqet nga pamja e murit jugor të kështjellës.
I zhytur në ndjenjën e përjetësisë, liriku ka pikturuar një prej vendeve të tij më të dashura në vjershën “O atdhe i dashur, sa i bukur je!” në vitin 1882: “Ti je një parajsë, po; por kush të vlerëson?”
Pak më vonë, në vitin 1897 si një profet i vërtetë ai ka shkruar:“Mendoj se këto ujëra minerale të Hisarjës kanë një të ardhme të madhe. Ato janë një pasuri e vërtetë e kësaj krahine të lumtur... Njeriu, pra ne, duhet t’i shfrytëzojmë në mënyrën e përshtatshme këto pasuri popullore...”
Në të vërtetë, në vitin 1882 qeveria botoi “Rregulloren e eksploatimit të llixhave të Hisarjës”, ndërsa në Plovdiv kimiku çek Sosterzhonek bëri analizën e parë të ujit mineral në Bullgari prej pesë burimeve të Hisarjës. Kështu u vu fillimi i kurimit balnear te ne.
Një shekull më vonë, në vitin 1993 arkeologët hasën një kompleks monumental balnear, i cili zbulon historinë e vendbanimit rreth burimeve minerale. Që në kohën e Mbretërisë së Odrisëve atje janë ndërtuar vende të shenjta fetare kurimi (të ashtuquajturat “nimfeume”). Pasi romakët e pushtuan mbretërinë në vitin 46 vendbanimi i vogël hyri në kufijtë e dioqezës Trakia. Burimet minerale filluan të tërheqin njerëzit e mëdhenj në perandori dhe në mes të shekullit II filloi ndërtimi i kompleksit termal.
Vetë Perandori Dioklecian, i cili vuante nga një sëmundje e veshkave, u shërua në saje të burimeve termale. Në vitin 293 ai ia dha emrin e vet vendbanimit dhe e shndërroi në qytetin e tretë për nga madhësia në provincën Trakia pas Filipopulit dhe Augusta Trajanës. U ndërtuan një kompleks me një rezidencë pranë tij, një amfiteatër, terma, kazerma, një varrezë dhe një mur i madh kështjelle me 44 kulla dhe katër porta të mëdha.
Sot ruhet porta perëndimore dhe ajo kryesore jugore të njohura si devetë, sepse ngjajnë shumë me dy deve njëra kundër tjetrës.
Pas shkatërrimit të Perandorisë Perëndimore Romake Dioklecianopolis ekzistonte për një kohë të veçantë si qendër e madhe e krishterë. Më vonë, pas sulmit të sunduesve osmanë, pas betejave të rënda një pjesë e popullsisë u vra, kurse vendbanimi u asgjësua.
Bën përshtypje të madhe se uji mineral i pishinave të ndërtuara nga romakët po vazhdon të qarkullojë në ujësjellësin e ruajtur romak edhe sot e kësaj dite.
Termat romake nga shekulli IV, të cilat sot ndodhen në parkun “Momina Sëllza” (“Loti i Vajzës”) në një sipërfaqe prej 3000 metrash katrorë, janë zbuluar që gjatë viteve 30 të shekullit të kaluar. Mendohet se këto janë disa prej llixhave të pakta romake në Evropë, të cilat në disa vende janë ruajtur pothuajse deri në çati.
Në saje të projektit evropian “Zhvillimi i atraksioneve kulturore-historike në territorin e bashkisë së Hisarjës” termat janë konservuar dhe restauruar pjesërisht.
Që ta popullarizojë turizmin në rajon bashkia ka në plan të krijojë kushte, kështu qe vizituesit e kompleksit të mund të lahen në ujin mineral, i cili buron nga pishinat romake.
Në shëtitoren në jug të burimit mineral “Momina Sëllza” arrihet deri në varrezën romake nga shekulli IV. Korridori është i gjatë disa metra dhe çon në hyrjen e dhomës funerale, e cila është zbukuruar me piktura murale dhe mozaik me ngjyra në dysheme. Sipas arkeologëve kjo është varreza e vetme romake, ku është ruajtur krejtësisht mozaiku i dyshemesë.
Parqet e mëdha, itineraret dhe shtigjet ekologjike afër qytetit u japin mundësi turistëve që të shijojnë si pamjet e qytetit, ashtu dhe panoramën madhështore të Luginës së Trakisë, të maleve Rodope, Rilla dhe Sredna Gora.
Ndër kuriozitetet e qytetit është edhe “Vila Petroviç” – shtëpia pushimore e shkrimtarëve, e cila ruan frymën e krijuesve të njohur bullgarë, ndër të cilët janë Jordan Jovkov dhe Dora Gabe, por për historitë e tyre do t’ju tregojmë në shëtitjen tonë tjetër në qytet.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Darina Grigorova, BGNES dhe bg.wikipedia.org
Në Bullgari ka më shumë se 5 mijë shpella, secila më misterioze dhe e paarritshme, secila me historinë, bukurinë dhe misteret magjepsëse. Disa nga këto thesare të vërteta nëntokësore janë të rregulluara dhe mirëpresin turistët. Ju sjellim..
Ofertat e pronave për pushime në Bullgari janë rritur me 30-40% në tre vitet e fundit. Aktualisht numri i tyre i kalon 20 mijë. Gjithnjë e më shumë klientë preferojnë të marrin me qira një apartament apo edhe një shtëpi të tërë gjatë pushimeve të..
Sofja raporton një rritje prej 7% të numrit të turistëve për gjysmën e parë të 2024. Rritja është 15% sipas bazës vjetore për vitin 2023, me trafik turistik madje mbi nivelet e para Covid-19. Këto të dhëna optimiste e kanë motivuar administratën e..