Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Lëvizja speleologjike në Bullgari feston 90 vjetorin e vet

Fillimi i studimeve të shpellave në Bullgari është vënë para rreth 100 vitesh. Studimet e para të faunës së shpellave janë bërë nga akademiku Ivan Buresh gjatë vitit 1922 si drejtor i Muzeut Mbretëror në atë kohë. Si ditëlindje e speleologjisë kombëtare konsiderohet data 18 mars 1929, kur u themelua Shoqata e parë Speleologjike me 31 anëtarë. Që nga atëherë speleologjia filloi të zhvillohet në të gjitha drejtimet e saj – ka studime arkeologjike dhe gjeodezike. Shumica e shpellave përshkruhen dhe hartografohen.

Gjatë vitit 1965 Bullgaria u bë bashkëthemeluese e Bashkimit Ndërkombëtar të Speleologjisë, i cili me gjithsej 50 vende anëtare nga 6 kontinente është organizata më e madhe e speleologjisë në botë. Në vitin 1973 në Bullgari për herë të parë u zhvilluan kurse për shpëtimin speleologjik, ndërsa pak pas kësaj u themelua edhe një Repart Shpëtimi. Një nga udhëheqësit me përvojë më të gjatë të Federatës Bullgare të Speleologjisë është dr. Petër Beron, i cili studion faunën e shpellave jo vetëm te ne. Bio-speleologët bullgarë kanë përshkruar 866 lloje të reja të zbuluara në 813 shpella. Gjatë vitit 1980 në qytetin Çepellare u ndërtua Muzeu i Speleologjisë dhe Karstit, muze ky i cili është i vetmi i këtij lloji në Evropën Juglindore. Një njohje e vërtetë e arritjeve të mëdha të speleologëve tanë është konferenca shkencore evropiane, e cila u zhvillua në Bullgari në vitin 1980. Në këtë konferencë ishin të pranishëm 250 studiues nga 17 vende dhe ajo u bë njëfarë ure mes speleologëve nga të dyja anët e së ashtuquajturës “perde e hekurte”, të cilët deri në atë moment nuk kishin pasur mundësi për kontakte të drejtpërdrejta.

Para disa ditësh Federata Bullgare e Speleologjisë dekoroi në një mbledhje solemne veprimtarët më aktivë në fushën e speleologjisë te ne dhe rikujtoi kontributin e emrave të mëdhenj në shkencë. Kështu u shënua përvjetori i 90-të i themelimit të Shoqatës së parë të Speleologjisë. Ndër mysafirët kishte përfaqësues të organizatave të ngjashme nga Greqia, Turqia, Sllovenia dhe Koracia. Lëvizja speleologjike në Bullgari tani është me zhvillim më të shpejtë në tërë Gadishullin Ballkanik. Bullgaria ka një rol kryesor në lëmin e shpëtimit speleologjik.“Në disa fusha speleologjia bullgare është prijëse jo vetëm në plan regjional, por edhe në plan botëror” – tha me këtë rast doc. Javor Shopov – kryetar i Federatës Bullgare të Speleologjisë, duke saktësuar:

“Ne kemi tradita në speleologji. Është e qartë se ajo nuk është vetëm shkencë, por edhe sport dhe disiplinë teknike, sepse arritja deri në pikën më të largët në disa shpella është shumë e vështirë. Për shembull arritja në shpellën më të thellë në Bullgari, e cila është me thellësi më shumë se 540 metra, mund të krahasohet me ngjitjen në një majë të lartë 8 mijë metra në Himalajë. Në shpellën “Kollkina Dupka”, që po studiohet kohët e fundit, depërtimi realizohet në kuadrin e 9 ditëve. Brenda ka tri kampe, flihet nën dhe dhe kjo është një sfidë e madhe për speleologët tanë.”

Aktualisht speleologjia bullgare është në lulëzimin e vet, vë në dukje Federata. Njerëzit e rinj, të cilët punojnë për popullarizimin e shpellave në Bullgari, bëhen gjithnjë e më shumë. Speleologu Pavlin Dimitrov mori çmimin madhe të Federatës Bullgare për shkak të punës së tij për studimin e shpellës më të thellë te ne – “Kollkina Dupka”, afër bashkisë së Svoges. “Mendoj se kam meritë më të madhe për shkak të faktit se jam një prej njerëzve, të cilët e organizoj punën në klubin speleologjik “Nën skaj” dhe i motivoj të tjerët për të bërë më shumë studime të shpellës” – thotë Pavlin Dimitrov dhe shton:

“Që të hysh në një shpellë ti je motivuar nga shpirti i eksploruesit, të cilin e kemi në vetveten – të studiosh, të zbulosh dhe të hapësh rrugën drejt gjërave të reja. Njerëzve të tillë u detyrohen të gjitha arritjet në speleologji. Ne pamë se si pas shumë vitesh të përpjekjeve të mëdha shpella jonë na lejoi që të shohim botën e saj nëntokësore. Sfida më e madhe në të ardhmen janë të gjithë kilometrat, të cilët do të kalojmë, galeritë dhe sallat e shumta të shpellës që do të zbulojmë duke e studiuar për herë të parë “Kollkina Dupka”.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: BGNES, chepelare.org dhe arkiv personal



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Banorët e qytetit Çernomorec "kyçin" detin

Qyteti bregdetar Çernomorec shënon festën e tij në Ditën e Shën Nikollës Çudibërësit. Shën Nikolla nderohet si shenjtor mbrojtës i peshkatarëve dhe marinarëve. Çdo vit në këtë datë organizohet një procesion litik me ikonën mrekullibërëse të Shën..

botuar më 24-12-06 6.10.PD

Sofja tashmë disponon sheshin më të madh të patinazhit në Ballkan

Sheshi i akullit më i madh në Gadishullin Ballkanik “Ice Park” ndodhet në Sofje. Parku i akullit i sapohapur zë një sipërfaqe totale prej 11,000 metrash katrorë, me një fushë akulli prej 4,000 metrash katrorë. Tre sheshe patinazhi të mëdha janë të lidhura..

botuar më 24-12-05 10.01.PD

Çfarë parashikon buxheti i BE-së për vitin 2025

Lidhur me miratimin të mërkurën e kaluar të përbërjes së re të Komisionit Evropian, i cili zyrtarisht mori detyrën para disa ditësh, iu kushtua më pak vëmendje një ngjarjeje tjetër të rëndësishme të së njëjtës ditë - miratimit të buxhetit të Bashkimit..

botuar më 24-12-04 2.50.MD