Pak pasi u çlirua, Atdheu ynë i rilindur ishte thirrur sipas Traktatit të Berlinit të krijonte ligje të veta. Parlamentarët bullgarë pa përvojë deri atëherë, me entuziazmin, përgjegjësinë dhe atdhedashurinë e vet e kryen shkëlqyeshëm punën e tyre. Kështu më 16 prill 1879 Kuvendi i Madh Popullor në kryeqytetin e vjetër bullgar Tërnovo miratoi një Kushtetutë demokratike, duke bërë mesazhin se Bullgaria tashmë është një shtet më vete dhe do ta zgjedhë vetë rrugën e saj.
Kuvendi i Madh Popullor u thirr më 10 shkurt 1879 dhe atje bënte pjesë elita e Bullgarisë së Rilindjes – njerëz me arsim, të formuar si personalitete në kohën e betejave të kishës dhe të Lëvizjes për kulturën bullgare. Në punën e tij u përfshinë edhe përfaqësues të territoreve të cilat mbetën jashtë kufijve të Principatës së Bullgarisë pas Kongresit të Berlinit, prandaj edhe ideja për bashkimin e të gjithë bullgarëve në një shtet dominonte në të gjitha debatet e deputetëve.
“Kishte zëra të cilët e vunë në pikëpyetje legjitimitetin e Kuvendit të Madh Popullor për shkak të mbetjes së territoreve të konsiderueshme të populluara me bullgarë jashtë kufijve të Principatës – na tregoi docenti Mihaill Gruev, Kryetar i Agjencisë Shtetërore “Arkivat”.
“Ky ishte edhe shkaku që debati rreth çështjes mbarëkombëtare, siç e quanin, të bëhej një çështje qendrore, të paktën në fillim. Mirëpo, për etërit e Kushtetutës së Tërnovos ishte e qartë se shteti bullgar duhej të legjitimohej dhe ata filluan diskutimin e projektit të kushtetutës së re. Në fillim sipas idesë së administratës ruse ai duhej të ishte një ligj kryesor, domethënë struktura e shtetit duhej t’u ngjante territoreve autonome të Perandorisë Ruse. Mirëpo, themeluesit e Kushtetutës së Tërnovos ishin të qartë se duhej të krijonin një kushtetutë, e cila të simbolizonte synimin e bullgarëve për arritjen e pavarësisë kombëtare. Kështu ata e shndërruan projektin paraprak të juristit rus Sergej Lukijanov – nga një ligj kryesor në një kushtetutë si ato të shteteve më moderne evropiane.”
Çështja tjetër kryesore në rendin e ditës të Kuvendit të Madh Popullor ishte zgjedhja e kryeqytetit të ri. Edhe pse vetëm një votë më shumë, Sofja ishte shpallur kryeqytet i shtetit të ri – për shkak të gjendjes së saj gjeografike nga pikëpamja e unitetit kombëtar, sepse në atë kohë të gjithë mendonin se shkëputja e Maqedonisë dhe Rumelisë Lindore ishte e përkohshme. Derisa zhvilloheshin debatet rreth legjitimit të shtetit të ri në Kuvend u krijuan dy rryma ideologjike - ajo liberale dhe ajo konservatore dhe pikërisht në këto rrethe u formuan burrat e ardhshëm të shtetit, të cilët do të punonim për atdheun e tyre.
“Kjo ishte një përplasje jo vetëm e pikëpamjeve të ndryshme për organizmin e shoqërisë, por edhe e personaliteteve të shquara – tha gjithashtu historiani. – Në Kuvendin e Madh Popullor u spikatën figura si Petko Sllavejkov dhe Marko Ballabanov, të cilët kishin fituar popullaritet me veprat e tyre që në kohën para çlirimit. Por në debatin rreth krijimit të kushtetutës u dalluan edhe emra të rinj, si Petko Karavellov dhe Konstantin Stoillov. Këto ishin personalitete, të cilat lënë një gjurmë të thellë jo vetëm në procesin e krijimit të Kushtetutës, por në tërë zhvillimin shoqëror dhe politik të Bullgarisë në fund të shekullit 19.”
Sipas fjalëve të historianit ka se çfarë të mësojmë nga këto personalitete të mëdha.“Ideja për barazinë para ligjit, për ndarjen e pushteteve, për lirinë e personalitetit – këto janë parime të Kushtetutës së Tërnovos, me të cilat duhet të krenohemi” – shton ai.
Ekspozita udhëtuese e agjencisë “Arkivat” “Gjithçka është në forcat tona të bashkuara”, e cila paraqet përgatitjen dhe punën e Kuvendit të Madh Popullor, do të prezantohet më 3 maj në Burgas, para se të kthehet përfundimisht në Sofje në Natën e Muzeve më 18 maj. Atëherë sofjanasit dhe mysafirët e qytetit do të mund të shohin dhe origjinalin e Kushtetutës së Tërnovos.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Muzeu Historik Kombëtar feston 130-vjetorin e lindjes së mbretit Boris III me ekspozitën “Mbreti Boris III. Një personalitet dhe burrë shteti”. Ajo do të hapet sot, 3 tetor, në hollin qendror të muzeut. Ekspozita do të prezantojë, sipas rendit..
Koka e një statuje është zbuluar gjatë gërmimeve në kanalin e madh të qytetit antik të Heraklea Sintika. Ajo është e statujës që u zbulua disa ditë më parë dhe tani është në muzeun e Petriçit që të studiohet nga restauruesit. “Kjo verë ishte..
Më 22 shtator 1908 u shpall Pavarësia e Bullgarisë. Pas aktit më të guximshëm të pavarur në historinë bullgare - Bashkimit të Rumelisë Lindore dhe Principatës së Bullgarisë, bullgarët demonstruan edhe një herë fuqinë e unitetit dhe besimin në forcat e..
Statuja e parë prej mermeri e zbuluar më 3 korrik në qytetin antik Heraklea Sinthika është ndoshta e nipit të perandorit romak Oktavian Avgust - Lucij,..